Çfarë vlere ka falja e namazit të natës?

Në këtë artikull të shkurtër do të shpjegojmë vlerën e namazit të natës, rëndësinë e faljes së tij dhe begatitë që fitojmë nga falja e këtij namazi. Rreth namazit të natës flasin dhjetëra ajete të Kuranit Famëlartë, po ashtu edhe shumë Hadithe të Profetit Muhamed (a.s). Ky namaz bën pjesë në grupin e namazeve nafile (vullnetare) dhe konsiderohet të jetë namazi më i mirë dhe më me vlerë që mund të falë njeriu pas atyre që i ka farz (detyrim).

Namazi i natës në gjuhën arabe njihet si “Kijamu’l – Lelj” apo “Tehexhud”. Fjala tehexhud vjen nga rrënja e fjalës “Huxhud”, që do të thotë të bësh të kundërtën e diçkaje. Njeriu që çohet për t’u falur natën bën të kundërtën e gjumit, që është zgjimi dhe në rastin konkret edhe falja e namazit të natës. Në kuptimin terminologjik, namaz nate quhet namazi që falet pas kohës së faljes së namazit të jacisë, deri në lindjen e agimit (hyrja e kohës së sabahut). Disa dijetarë kanë bërë një dallim midis namazit të natës dhe tehexhudit, ku namaz nate kanë quajtur namazin që falet menjëherë pas faljes së jacisë apo para se njeriu të shtrihet për të fjetur. Ndërsa namaz tehexhudi kanë quajtur namazin që njeriu fal kur zgjohet nga gjumi i natës, specifikisht atë që falet në 1/3 e fundit të natës.

Për vlerën e namazit të natës flasin shumë ajete të Kuranit Famëlartë, disa prej tyre mund t’i rendisim si në vijim:

“Kaloje një pjesë të natës si falje shtesë për ty (Muhamed)! Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë ty në një vend të lavdëruar.” (Isra, 17/79)

“O ti i mbuluar! Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj, që është gjysma ose diçka më pak. Ose diçka më shumë se ajo dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë.” (Muzzemmil, 73/1-4)

“Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne.” (Sexhde, 32/16)

“Askush nuk e di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Sexhde, 32/17)

“Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Dharijat, 51/18)

Të gjitha këto ajete tregojnë se falja e namazit të natës ka një vlerë të veçantë dhe është cilësi e njerëzve të devotshëm. Allahu i Lartësuar i ka dhënë natës disa specifika ndryshe nga dita. Një nga arsyet më të forta që i japin vlerë të madhe namazit të natës është ajo që Profeti (a.s) na e tregon në një hadith, që e transmetojnë pothuajse të gjithë librat e shkencës së Hadithit.

Ai thotë: “Kur vjen 1/3 e fundit të natës, Zoti i lartësuar zbret në qiellin më të afërt (zbritje pa përngjasim, ashtu siç i shkon për shtat madhështisë së Tij) dhe thërret: A ka dikush të më kërkojë diçka dhe Unë t’ia jap atë? A ka dikush të më lutet dhe Unë t’i përgjigjem lutjes së tij? A ka dikush të më kërkojë falje dhe Unë ta fal atë? Vazhdon të thërrasë në këtë formë deri në lindjen e agimit.”

Ky hadith na e paraqet qartë vlerën e namazit në 1/3 e fundit të natës dhe lutjes në atë kohë. Është një moment ku vetë Zoti është duke kërkuar dhe pritur për thirrjet dhe nevojat tona. Për këtë arsye, namazi i falur në këtë kohë është më i vlefshëm, sipas mendimit të dijetarëve.

Dikush shkoi te Profeti (a.s) dhe e pyeti: “Cili namaz është më i vlefshëm (më i mirë)?” Ai i tha: “Pas namazeve farz, namazi më i vlefshëm është ai i natës.”

Në një hadith të gjatë, Profeti (a.s) na tregon përfitimet që do të arrijmë, nëse e falim namazin e natës.

Ai ka thënë: “Ju inkurajoj të falni namazin e natës, sepse ai ka qenë zakoni i të devotshmëve në të gjitha kohët; ju sjell afërsi me Zotin tuaj; ju privon nga bërja e mëkateve; jua pastron gjynahet tuaja dhe jua largon sëmundjet e trupit tuaj.” (do t’ju bëjë më të shëndetshëm)

Ebu Hurejra (r.a) nuk kishte pasur mundësi në disa raste të jetës së tij, për shkak të angazhimit të shumtë me diturinë, që të falej në 1/3 e fundit të natës. Ai i tha nxënësit të tij se i Dashuri im më ka thënë: “Kush nuk ka mundësi të falet në 1/3 e fundit të natës, le të falet në pjesën e parë të natës.” Kështu, vetë Ebu Hurejra në disa raste do ta falte namazin e tehexhudit para se të flinte, pas namazit të jacisë.

Çfarë kanë thënë disa dijetarë të njohur dhe njerëz të devotshëm rreth namazit të natës:

Fudajl b. Ijadi (r.a) ka thënë: “Zoti zbret në 1/3 e fundit të natës dhe thotë: Ka gënjyer ai që pretendon dashurinë ndaj meje dhe në këtë kohë është duke fjetur. Ai nuk dëshiron çdo i dashuruar që të vetmohet me të dashurin e tij?”

“Ai që dëshiron të bëhet prej atyre që u pranohet lutja, por nuk e fal namazin e natës, ai nuk do që vërtet lutja e tij të jetë e pranuar.”

Ibn Dakik el-Id, pas ajetit në suren Sexhde, që flet për namazin e natës thotë: Si mund ta dëgjojë dikush këtë ajet: “Askush nuk e di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Sexhde, 32/17); dhe pastaj mos të çohet për t’u falur natën. Pjesën e fundit të ajetit; si shpërblim për punët e mira  që kanë bërë, ai komenton të jetë namazi i natës, sepse ajeti paraardhës që është përmendur edhe më sipër, flet pikërisht për faljen e namazit të natës.

Ibn Hazim prej tabinëve ka thënë: “Mahnitem me Xhenetin, se si flenë ata që e duan atë dhe mahnitem me zjarrin, se si flenë atë që vrapojnë larg tij.”

Profeti Muhamed (a.s) e ka falur namazin e tehexhudit përgjatë gjithë jetës së tij. Një pjesë e dijetarëve mendojnë se ai e kishte farz këtë namaz, ndërsa disa thonë që ai vetë ia kishte bërë obligim vetes së tij. Ai asnjëherë nuk e la pa falur namazin e tehexhudit, qoftë edhe kur ishte udhëtar apo i sëmurë. Nëse në ndonjë rast nuk do të arrinte dot ta falte, ai do ta bënte kaza atë namaz gjatë ditës së nesërme.

Namazi i tehexhudit është mundësi e rrallë për çdokënd që dëshiron të ketë një bisedë private me Zotin e tij. Në hadithin që flet për 7 grupet e njerëzve, që do të jenë Ditën e Gjykimit nën hijen e arshit të Zotit, flitet edhe për një person, i cili kur vetmohet tërësisht i mbushen sytë me lot, nga dashuria dhe frika që ka ndaj Zotit të gjithësisë. E lusim Zotin të na bëjë prej atyre që falen ditën edhe natën! E lusim të na bëjë prej atyre që ruhen nga mëkatet ditën edhe natën! E lusim Zotin të na e mundësojë faljen e namazit të natës dhe të na bëjë prej pasuesve të Profetit Muhamed (s.a.s)! Amin!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: