10 ditët e muajit Dhulhixheh

Nga dita e sotme fillon njëri prej muajve të shenjtë, muajit dhul-hixhe. Dhjetë ditët e para të ‎këtij muaji, janë ditë në të cilat është betuar vetë Zoti i Lartësuar në Kuran, ku thotë:‎
وَالْفَجْرِ. وَلَيَالٍ عَشْرٍ.‏
‎“Pasha agimin! Pasha dhjetë netët (e para të muajit dhul-hixhe)!” (El-Fexhr, 1-2)‎

Ato janë ditët më të mira tek Zoti dhe shpërblimi i veprave të mira gjatë këtyre ditëve, është ‎i shumëfishuar.‎

Dhjetë ditët e para të muajit dhul-hixhe sipas llogaritjeve të kalendarit tonë hënor janë ditë ‎të zgjedhura prej Allahut mes ditëve të vitit. Përzgjedhja e një gjëje mbi një tjetër është e ‎drejtë e Allahut, sepse Ai është Krijuesi dhe si i tillë Ai i di më së miri të veçantat e ‎krijesave të Tij.‎

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Zoti yt krijon çfarë të dojë dhe zgjedh. Nuk u ‎takon atyre zgjedhja. I lartësuar qoftë Allahu nga ajo që i shoqërojnë.” (el-Kasas, 68)‎

Ibn el-Kajjimi (r.h.) thotë: “Allahu i Madhëruar zgjedh prej çdo lloji më të lartën dhe më të ‎mirën, siç zgjodhi prej melekëve Xhibrilin, prej njerëzve Muhamedin, prej qiejve më të ‎lartin, prej vendeve Mekën, prej muajve muajt e shenjtë, prej netëve natën e Kadrit, prej ‎ditëve ditën e xhuma, prej natës mesin e saj (koha e namazit të jacisë) dhe prej njësive ‎kohore kohët e namazeve.”‎

Katër muajt e shenjtë, janë muaj të zgjedhur dhe të preferuar tek Zoti. Lidhur me këta 4 ‎muaj, në Kuran thuhet:‎

‎“Me të vërtetë, numri i muajve te Allahu është 12, sipas Librit të Allahut, prej ditës që i ‎ka krijuar qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë; ky është besim i drejtë. ‎Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj.” (et-Tevbe, 36)‎

Këta 4 muaj të preferuar nga vetë Zoti janë: dhul-kade, dhul-hixhe, muharrem dhe rexheb. ‎‎“Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!” (et-Tevbe, 36) Në fakt, ‎dëmtimi i vetes është i ndaluar në të gjithë muajt, por në këta 4 muaj është më e rëndë.‎

Dhjetë ditët e para të muajit dhul-hixhe kanë këtë status të privilegjuar, pasi janë ditët e një ‎muaji të shenjtë. Veç kësaj, dhul-hixhe është një nga tre muajt ku bëhet nisja për ‎haxhillëk: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar.” (el-Bekare, 197) dhe këta tre ‎muaj janë: shevali, dhul-kade dhe dhul-hixhe. Përveç shevalit, dhul-kade dhe dhul-hixhe ‎janë edhe muaj të haxhillëkut edhe muaj të shenjtë. ‎

Në këto 10 ditë, zhvillohen shumica e ritualeve të haxhillëkut, si dita e Arafatit dhe dita e ‎Bajramit. ‎

Dita e therjes së kurbaneve është një nga këto 10 ditë të mira. Dita e Arafatit është dita më ‎e mirë e vitit, ashtu siç është Nata e Kadrit nata më e mirë e vitit. ‎

Ashtu siç janë 10 netët e fundit të ramazanit netët më të mira të vitit, 10 ditët e dhul-hixhes ‎janë 10 ditët më të mira të vitit.‎
Prej muslimanit pritet që këto 10 ditë kaq me vlerë tek Zoti, t’i mbushë me ibadet dhe vepra ‎të mira. Në një hadith, Pejgamberi a.s. thotë: ”Gjatë jetës tuaj, Zoti u dërgon puhiza, ‎prandaj ekspozohuni ndaj tyre.”‎

Herë pas here, Allahu i Lartësuar na ofron shanse të ndryshme në sezone të ndryshme. ‎Këto shanse i shfrytëzojnë njerëzit e bindur dhe të devotshëm. Është e njëjta gjë që ‎ndodh me bizneset, të cilat kanë sezone të caktuara ku të ardhurat e tyre shtohen ‎maksimalisht.‎

Allahu i Plotfuqishëm ka dashur që edhe ata që synojnë kënaqësitë e botës tjetër, të kenë ‎shanset e tyre për shtimin e sevapit dhe shpërblimit.‎

Kështu, muaji ramazan, 10 ditët e dhul-hixhes, 4 muajt e shenjtë etj…, janë sezone dhe ‎shanse për shtimin e shpërblimit. Të gjitha këto janë shanse të cilat Zoti ua ofron robërve ‎të Tij, për tu afruar më shumë me Krijuesin e tyre, nëpërmjet veprave të mira dhe ‎distancimit nga ligësitë.‎

Ndër veprat e mira që preferohen të bëhen këto ditë janë tesbihet (subhanallah), tahmid ‎‎(elhamdulilah), tehlil (la ilahe il-lallah), tekbir (Allahu ekber). ‎

Tregohet se shokët e Pejgamberit (a.s.) e përmendnin shpesh Zotin këto 10 ditë, madje ‎edhe kur kishin dalë në pazar për të shitur e blerë. Kur takoheshin me njëri-tjetrin ata ‎bënin tekbir, saqë gumëzhinte i gjithë tregu nga tekbiri.‎

Një vepër e pëlqyer këto ditë është edhe dhënia e sadakës, shpërblimi i të cilës ‎shumëfishohet.‎

Preferohet gjithashtu edhe agjërimi i 9 ditëve të dhul-hixhes, e në veçanti agjërimi i ditës ‎së Arafatit, pasi që Pejgamberi (a.s.) ka thënë: ”Agjërimi i ditës së Arafatit, i fshin ‎gjynahet e vitit të kaluar dhe të ardhshëm.” ‎

Për haxhilerët nuk preferohet agjërimi i kësaj dite, sepse vetë Pejgamberi (a.s.) nuk e ka ‎agjëruar këtë ditë. Ai hante e pinte këtë ditë, me qëllim që njerëzit ta shihnin dhe të mos e ‎agjërojnë.

Postime të ngashme