Veprimet sunnet dhe etika e abesit

Duke pasur parasysh se abdesi nuk ka vaxhibe, po kalojmë menjëherë në synetet e tij. Në terminologjinë e sheriatit, “Synet” quhen ajo vepër që Profeti a.s. e ka kryer vazhdimisht ose në përgjithësi dhe që ua ka këshilluar besimtarëve, por që nuk hyjnë në grupin e farzeve apo vaxhibeve.

Synetet e abdesit janë:

1. Të fillosh me bismil-lah (Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim), sepse Islami porosit që në çdo punë të vlefshme të fillohet me Bismil-lah. Shprehja më e kompletuar është të thuhet “Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahim”, edhe pse mund të thuhet vetëm Bismil-lah. Pejgamberi a.s. ka thënë: “S’ka abdes, ai i cili nuk fillon me Bismil-lah.” (Ibni Maxheh)

Abdesi mund të merret edhe në banjë, por nëse ka ndonjë vend jashtë banjës ku do të merret abdes, ai është më e preferuar sepse në të mund të thuhen edhe duatë e abdesit, kurse nëse merret abdes në banjë, atëherë duatë do të thuhen pasi të dilet nga ajo.

2. Të bërit nijet me qëllim nënshtrimi – adhurimi për vepra, të cilat nuk lejohet veprimi i tyre pa abdes, edhe pse nijeti është vendosmëria e zemrës për të vepruar diçka, shqiptimi i nijetit është synet.

3. Larja e duarve deri në nyja.

4. Pastrimi i gojës dhe i hundës tri herë radhazi për çdo namaz në mënyrë që pas pastrimit të hundës të ndihet freskia e ujit, përveç namazet në muajin Ramazan.

5. Të pastruarit e dhëmbëve me misvak. Përdorimi i misvakut tri herë bashkë me ujë, kur të pastrohet goja.

6. Fërkimi i pjesëve mes gishtave të njërës dorë me gishtat e dorës tjetër e po ashtu edhe fërkimi mes gishtave të këmbëve.

7. Fërkimi i mjekrës së rritur (të shpeshtë) me gishta, duke filluar nga fundi i mjekrës e përpjetë, sepse kështu vepronte Pejgamberi a.s..

8. Pastrimi i çdo pjese gjatë abdesit të përsëritet nga tri herë.

9. Përfshirja e tërë kokës mes’h me dorë të lagur, por vetëm një herë.

10. Mes’h kokës t’i jepet duke filluar nga pjesa e përparme e kokës.

11. Mes-hi i veshëve të kryhet me dorë të lagët.

12. Pjesët e trupit ku kryhet abdesi të lahen njëra pas tjetrës sipas radhitjes (tertib) dhe pa u tharë njëra të pastrohet pjesa tjetër.

13. Fërkimi i pjesëve të pastruara të abdesit kryhet duke ecur dorën mbi gjymtyrën e pastruar dhe duke e shpërndarë ujin me kujdes për të mos shpenzuar ujë tepër.

14. Larja të fillojë nga ana e djathtë.

15. Larja e duarve dhe e këmbëve të fillojë nga gishtat.

16. Të shmanget harxhimi i tepërt i ujit.

Adabet (sugjerimet) e abdesit

Me shprehjen adabet e abdesit” nënkuptojmë ato veprime që Pejgamberi a.s. i ka bërë disa herë, por jo rregullisht. Për jetësimin e këtyre rregullave praktikuesi shpërblehet, kurse mospraktikuesi nuk konsiderohet mëkatar, por qortohet. Këto rregulla në disa vepra të fikhut mund t’i gjeni nën titullin “Mustehabet e abdesit”.

Adabet më kryesore të abdesit janë:

Gjatë marrjes së abdesit myslimani të drejtohet kah kibla.

Dhënia mes’h qafës me dorë të lagur pa arritur fytin.

Ulja mbi një vend më të lartë nga toka, në mënyrë që të mos spërkatet me ujë.

Gjatë marrjes së abdesit të mos bisedojë me të tjerët.

Për marrje të abdesit të mos ndihmohet nga të tjerët, pa qenë nevoja.

Lëvizja e unazës, e cila duhet të jetë e lirë në gisht.

Depërtimi i ujit në gojë dhe hundë të bëhet me dorë të djathtë, kurse pastrimi të bëhet me dorë të majtë.

Gjatë pastrimit të veshëve, brendësinë e veshit ta pastrojë me gishtin e vogël.

Shqiptimi i “Besmeles” në pastrimin e çdo gjymtyre.

Pas marrjes së abdesit myslimani të thotë: “O Zoti im, më bëj mua nga ata që pendohen dhe më bëj mua nga të pastrit.”

Shqiptimi i Shehadetit në fund të abdesit të kryhet duke qenë në këmbë dhe i drejtuar nga kibla dhe mandej të thotë:

أَشْهَدُ أَنْ لاَ إِلَهَ إِلاَّ اللَّهُ وَحْدَهُ لاَ شَرِيكَ لَهُ، وَ أَشْهَدُ أَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُهُ وَ رَسُولُهُ، اللَّهُمَّ اجْعَلْنِي مِنَ التَّوَّابِينَ وَ اجْعَلْنِي مِنَ المُتَطَهَّرِينَ.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut Një, i pashoq, gjithashtu dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Tij. O Zoti im, më bëj mua nga penduesit dhe nga të pastrit.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: