Tre shokët e shpellës!

Profeti (s.a.s) tregon: Tre persona të cilët ishin nisur në udhëtim, gjatë rrugës fillon një shi i rrëmbyeshëm, kështu që ata detyrohen  të strehohen brenda një shpelle. Si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm nga mali shkëputet një shkëmb i madh dhe e bllokon të gjithë hyrjen e shpellës.

Personat të cilët ngecën aty brenda tashmë pa asnjë shpresë të mbetur, fillojnë të flasin me njeri-tjetrin.

Lutjuni Allahut me ndonjë vepër të mirë që keni bërë, mbase kjo vepër ndërmjetëson dhe shpëtojmë nga kjo fatkeqësi.

Njëri prej personave lutet kështu:

– O Zoti im! Unë kam dy prindër të moshuar dhe fëmijët e vegjël. Për ta kujdesem gjithmonë unë. Kur kthehem nga kullota me delet, i mjel, dhe para fëmijëve të mi, ushqej prindërit. Një ditë vonohem shumë në kullotë, kur kthehem ishte errësuar nga të gjithë anët. Prindërit i kishte zënë gjumi, mjel delet dhe ashtu siç bëja gjithmonë nuk i ushqeva fëmijët para prindërve, edhe pse ata grindeshin prej urisë. Më vinte keq t’i zgjoja prindërit dhe prita ashtu në këmbë deri në mëngjes derisa ata u zgjuan. Nëse kjo vepër është pranuar dhe është bërë vetëm për kënaqësinë Tënde, largojë këtë shkëmb prej këtu, aq sa të shohim qiellin. Allahu e lëviz shkëmbin e rënë sa ata mundën të shihnin qiellin.

I dyti lutet kështu:

O Zoti im! U dashurova me një vajzë saqë një ditë i kërkova që të kryenim imoralitet, por vajza më tha se nuk do të bënte asnjë gjë, nëse nuk do t’i dërgoja njëqind dinarë. I mblodha paratë e kërkuara, por në momentin kur do të kryenim imoralitet vajza më tha; O rob i Zotit, ki frikë prej Tij, mos ma merr nderin pa kryer martesën legjitime. E lë vajzën të shkojë duke hequr dorë nga ky veprim. Nëse e kam kryer për të fituar kënaqësinë Tënde, largoje dhe pak shkëmbin. Allahu e lëviz pak shkëmbin nga vendi.

I treti lutet kështu:

O Zoti im! Unë kam punësuar një person në shkëmbim të një sasie të vogël orizi. Kur mbaron punën, më kërkon pagesën, ja jap, por ai nuk e merr dhe largohet nga aty. Me atë oriz të mbetur nga pagesa e tij, mbolla toka dhe morra përfitime sa për të blerë një kope me lopë, dhe ashtu bëra. Një ditë punonjësi kthehet dhe kërkon të drejtën e tij;

– Ki frikë Zotin! më tha.

– Ik dhe merri ato lopët atje, janë të tuat. i thashë.

– Mos u tall me mua! tha.

– Nuk po tallem ato janë të tuat, merri! i thashë. Personi i merr lopët dhe ikën.

O Zot nëse e kam kryer këtë vepër për të fituar kënaqësinë Tënde, largojë shkëmbin nga hyrja e shpellës. Dhe kështu ndodh, Allahu e largon shkëmbin dhe ata dalin shëndoshë prej shpellës.

Burimi: Buhari, Muslim, Nesai.

Përgatiti: Marius Tafani 

© URTËSI.AL

Postime të ngashme

%d bloggers like this: