Tesbihati i Namazit

Tesbihati i namazit, që është sunet i Profetit Muhamed (s.a.s), është një thesar i mrekullueshëm dhikri, lutjeje, salavatesh dhe i atributeve të bukur të Allahut. Veçse shumë besimtarë e neglizhojnë tesbihatin pas namazit dhe nuk përfitojnë nga ky thesar i madh.

Bediuzaman Said Nursiu tesbihatin e namazit e përngjason me përmendjen dhe lartësimin e Allahut së bashku me Profetin (s.a.s). Ystadi i nderuar, i cili i ka kushtuar shumë rëndësi dhe e ka praktikuar tesbihatin pa asnjë lëshim për gjatë gjithë jetës së tij, shprehet kështu në veprën “Kastamonu Lahikasë”:

“Tesbihatet pas namazit janë Rruga Profetike (s.a.s) dhe virdi i Velajetit Ahmedan. Prandaj ka një rëndësi të veçantë. Më pas kjo fjalë u sqarua në këtë formë: Ashtu siç është Velajeti Ahmedan mbi çdo velajet tjetër për arsye se buron nga profetësia, po ashtu edhe tesbihati pas namazit, që është rruga e këtij velajeti dhe lutja e posaçme e velajetit të madh, është në atë gradë  më e lartë sesa tarikatet dhe virdet e tjera.”

Në këto fjali që janë shkruar për të paralajmëruar besimtarët që tregojnë dembelizëm në bërjen e tesbihatit të namazit, gjenden të fshehura aq shumë sihariqe, saqë mund të mbushin tërë gjithësinë. Do të thotë që tesbihati pas namazit përfaqëson në një farë mënyre rrugën e Profetit (s.a.s) dhe është virdi i tij.

Vallë, a jemi në dijeni se çfarë thesari kemi humbur për shkak të punëve të thjeshta që na pengojnë nga bërja e këtij tesbihati, që na merr shumë pak minuta çdo namazi?

Bediuzamani e përngjason tesbihatin e namazit me një kuvend madhështor dhikri të drejtuar nga Profeti (s.a.s) ku marrin pjesë njëkohësisht miliona myslimanë.

Ndërkohë që, një mundësi dhe një përfitim i tillë shpirtëror, nuk duhet të braktiset kurrë me pretekste të thjeshta. Për fat të keq, një pjesë që falin namaz, ose nuk e bëjnë tesbihatin ose nuk ia japin hakun këtij adhurimi.

Tesbihati i namazit, që përbëhet nga “tesbihët, tahmidet, tekbiret, përmendja e Allahut, përgjërimi me dua dhe salavate, leximin e atributeve të vyer të Allahut duke u mbështetur tek Ai” është dy llojësh: i shkurtër dhe i gjatë.

Tesbihati i shkurtër është versioni që bëhet në xhami në shoqëri të myezinit. Kjo është shumë e njohur mes myslimanëve. Kurse tesbihati i gjatë është versioni që ka përpiluar BediuzamanSaid Nursiu, duke i grumbulluar nga ajetet dhe hadithet.

Le të përmendim disa transmetime prej sahabëve rreth lutjeve dhe dhikrit të Profetit (s.a.s) pas namazit.

Në një transmetim të Theubanit (r.a) thuhet se pasi mbaronte namazin Profeti (s.a.s) thoshte tri herë “Estagfirullahel Adhim” (Kërkoj falje prej Allahut të Madh) dhe më pas vijonte me këtë lutje: “Allahumme entesselâm ue minkesselâm, tebârakte ja dhel xhelâli uelikram.”[1] (Allahu im! Ti je paqja dhe paqja vjen prej Teje. O Allah i Madhërishëm dhe Bujar, sa mirësi dhe begati që posedon!)

Këo fjalë, që janë edhe tesbih, edhe dhikr, mund të lexohen edhe pas namazeve nafile, ashtu siç lexohen pas namazeve farz. Sepse me këtë lutje përmendet lartësia dhe madhështia e Allahut të Madhëruar. Prandaj është sunet të shprehen edhe pas namazeve sunet.

Pas kësaj lutjeje, lexohet salavati i njohur, që nis me fjalët “Salaten tunxhina”. Kjo është një dua shumë virtytshme me anë të të cilës lutemi edhe për Profetin (a.s), edhe për veten tonë.

Të kujtojmë edhe këtë lutje në lidhje me teuhidin, e cila neglizhohet shumë: “Kush thotë ‘Lâ ilâhe il’lallâhu uahdehû lâ sherîke leh, lehulmulku ue lehulhamdujuhjî ue jumît ue hue hajjun lâ jemût bijedihil hajr ue hue alâ kul’li shej’in kadîr’ pas namazit të sabahut dhe të akshamit pa u ngritur nga vendi, i shkruhen dhjetë sevape, i fshihen dhjetë mëkate dhe ai lartësohet dhjetë gradë. Atë ditë është i mbrojtur nga çdo e keqe dhe nga shejtani. Atë ditë ai është i ruajtur nga mëkatet, përveç nëse bën shirk.”[2]

A është shumë e mundimshme të ndajmë disa minuta, të cilat shërbejnë për të fituar këto sihariqe dhe begati? Cila vepër që zë vendin e tesbihatit mund të mbushin vendin e këtyre virtyteve?

Një tjetër element është Ajeti Kursi, i cili ka një vlerë të veçantë. Në lidhje me këtë Profeti (a.s) ka thënë: “Kush lexon Ajetin Kursi pas çdo namazi farz, hyrjen e tij në xhenet nuk e pengon asgjë veç vdekjes”.[3]

Më pas thuhet 33 herë Subhanallah, 33 herë Elhamdulil’lah dhe 33 herë Allahu Ekber. Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurajra (r.a) thuhet kështu: “Kush thotë ‘33 herë Subhanallah, 33 herë Elhamdulil’lah dhe 33 herë Allahu Ekber’ dhe herën e dhjetë ‘Lâ ilâhe il’lallâhu uahdehû lâ sherîke leh, lehul mulku ue lehul hamdu ue hue alâ kul’li shej’in kadîr’ menjëherë pas namazit, i falen të tëra mëkatet, qofshin ato sa shkuma e detit”.[4]

Namazi është një adhurim unik i zbukuruar me ngjyrat  e tesbihëve, tahmideve dhe tekbirëve. Edhe tesbihati që bëjmë pas namazit përforcon shpirtin dhe kuptimin e namazit.

Pas tesbihëve kalohet në dua, e cila është diçka personale. Pas duasë është sunet të thuhet 33 herë “La ilahe il’lallah”. Më pas, të përmendësh Allahun e Madhëruar me Emrat e Tij të bukur është një adhurim i lartë dhe ndërmjetësim për pranimin e lutjeve. Allahu i Madhëruar na ka këshilluar t’i lutemi Atij duke përmendur këta emra.

Salavatet e ndryshme, që gjenden në tesbihat, janë ndërmjetësuese për shefaatin e Profetit (a.s) dhe për pranimin e duave. Një besimtar, që nuk neglizhon asnjëherë namazin dhe tesbihatin, llogaritet të lexojë më tepër se 100 salavate në ditë.

Për të përfituar prej begatisë së tesbihatit ajo nuk duhet neglizhuar kurrë. Nëse e kemi kohën të kufizuar, mund ta bëjmë atë edhe ndërkohë që bëjmë punë të tjera, duke ecur, duke punuar, duke drejtuar makinën, duke bërë punët e shtëpisë, etj. Por braktisja e tesbihatit s’duhet të jetë kurrë një opsion.

Në lidhje me pasazhet kuranore që këndojmë pas namazeve, si dy ajetet e fundit të sures Bekara apo tri ajetet e fundit të sures Hashr, ka porosi profetike të posaçme. Sipas transmetimeve, kush lexon natën  dy ajetet e fundit të sures Bekara pas namazit fiton sevape sikur të ketë kaluar tërë natën me adhurime dhe leximi në mëngjes i tri ajeteve të fundit të sures Hashr, ndërmjetësojnë arritjen e statusit të dëshmorit.

[1] Muslim, Mesâxhid: 135-136.

[2]Tirmidhi, Deauât, 63.

[3] Munaui, Fejzul Kadir, 6/197.

[4]  Muslim, Mesâxhid 146.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: