Të jesh ambicioz

Ambicia e shëndoshë konsiston në dëshirën e individit për të bërë punë që i përkasin hierarkisë më të lartë të punëve. Ambicia e shëndoshë konsiston në dëshirën dhe synimin këmbëngulës për ta ndryshuar gjendjen gjithmonë e më për mirë dhe drejt pozitave gjithmonë e më të larta, kah asaj çfarë është më e dobishme jo vetëm për individin, por edhe për familjarët, vendin dhe bashkësinë e tij… Ambicia është për t’u lavdëruar dhe meriton të klasifikohet si e shëndoshë, përderisa vjen në përputhje me të drejtën islame, ndërsa personi që ushqen ambicie që bie ndesh me Islamin, sikurse ai që ushqen ambicien për të vënë diktatin e tij mbi të tjerët apo për të përvetësuar padrejtësisht pasuritë e njerëzve, i tilli është e vërtet se quhet ambicioz, porse ambiciet e tij janë ambicie të sëmura, të liga dhe të padenja.

Një personi prej gjeneratave të para myslimane i thanë: Filani ka ambicie të lartë. Ai i përgjigj: “Po qe se është kështu, atëherë ai nuk disponon synim tjetër veç Xhenetit”.

Ambicia është disa nivelesh dhe më të ulëtat prej tyre i takojnë jetës së kësaj bote. Kurse ambiciet më të arrira janë ato që aspirojnë gradat më të larta të Xhenetit të amshueshëm. Edhe amshimi, ashtu si dynjaja, ka një hierarki nivelesh dhe pozitash, pas të cilave fshihet ambicia ekuivalente humane… Për këtë arsye do të gjesh që edhe në çështjen e arritjeve të amshimit, të ketë aspirues lutja e të cilëve të jetë: “O Zot, më fut mua në Xhenet!”, dhe të tjerë lutja e të cilëve të jetë: “O Zot, më fut mua në Firdeus, më të lartin Xhenet!”

Nëse do të kërkosh në historinë e të gjithë njerëzimit nuk ke për të gjetur ambicie më të lartë se ajo e Profetit Muhamed (s.a.s). Ai nuk kërkoi pozita të kësaj bote, madje as edhe thjesht pozita të larta prej atyre të amshimit, por ai kërkoi një pozitë unike, të pamundshme për t’u arritur përveçse nga ana e një njeriu të vetëm prej të gjithë njerëzimin, përfshirë edhe profetët. Profeti (a.s) e bëri publike këtë ambicie të tijën dhe iu drejtua të gjithë myslimanëve që të bëjnë lutje për të (a.s) që Allahu t’ia japë këtë pozitë, duke u thënë: “Luteni Allahun të më japë mua El-Uesilen, e cila është një pozitë në Xhenet që s’i takon veçse një robi prej robërve të Allahut dhe unë shpresoj të jem vetë ai. Ai që e kërkon për mua El-Uesilen, do ta fitojë ndërmjetësimin tim.”

Profeti Muhamed nuk e ushqeu vetëm veten e tij me aspirata të larta, por ai i inkurajoi edhe shokët e tij (r.a) dhe të gjithë myslimanët që të jenë ambiciozë. Hadithet e tij janë të mbushura me nxitjet që Profeti (a.s) u bën myslimanëve për të qenë të parët në të gjitha çështjet e dynjasë që u gjenerojnë atyre shpërblime në amshim. Ai e nxiti vazhdimisht ambicien e myslimanëve për të qenë të parët në bindje dhe vepra të mira. Principin e konkurrimit në vepra të mira Muhamedi (a.s) e ka rrënjosur përmes shumë e shumë prej haditheve të tij.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: