Surja Maun-107

                                            

                                                                      بسم الله الرحمن الرحيم

  1. أَرَأَيْتَ الَّذِي يُكَذِّبُ بِالدِّينِ
  2. فَذَلِكَ الَّذِي يَدُعُّ الْيَتِيمَ
  3. وَلا يَحُضُّ عَلَى طَعَامِ الْمِسْكِينِ
  4. فَوَيْلٌ لِّلْمُصَلِّينَ
  5. الَّذِينَ هُمْ عَن صَلاتِهِمْ سَاهُونَ
  6. الَّذِينَ هُمْ يُرَاؤُونَ
  7. وَيَمْنَعُونَ الْمَاعُونَ

Shqipërimi

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit

  1. A e ke parë ti (a e sheh) atë, që përgënjeshtron përgjegjësinë dhe llogarinë në botën tjetër? 
  2. Po ai është që e përzë në mënyrë të vrazhdë jetimin. 
  3. Dhe që nuk nxit për ta ushqyer të varfrin. 
  4. Mjerë për ata, të cilët kur falen, 
  5. janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre.
  6. Ata që vetëm shtiren (sa për sy e faqe).
  7. Dhe nuk japin as sendin më të vogël (as hua).

 

Kjo sure ka shtatë ajete. Sipas një pjese të interpretuesve të Kuranit, surja ka zbritur në Meke. Sipas disa të tjerëve tre ajetet e para kanë zbritur në Meke, ndërsa pjesa tjetër në Medine.[1]

Sipas Meududit, kjo sure ka zbritur në Medine. Ai thotë: “Sipas nesh, në këtë sure ka tregues që na tregojnë se kjo sure është medinase. Dhe ky tregues është, paralajmërimi për ata që falin namaz dhe shprehja “mjerë” për ata që janë të pakujdesshëm ndaj namazit apo ata që e falin atë sa për sy e faqe. Sepse, myslimanët ishin aq të fuqishëm në Medine, sa disa njerëz për përfitimet e tyre shfaqeshin si myslimanë. Pjesëmarrja në xhemat (grup) ishte vetëm që të pranoheshin si myslimanë. Ndërsa në Meke nuk kishte gjëra të tilla. Atje askush nuk kishte nevojë të falte namaz për t’u dukur. Edhe për vetë besimtarët në Meke ishte shumë e vështirë të falnin namaz apo të formonin xhemat. Myslimanët faleshin fshehurazi në Meke.”

 

Pavarësisht sqarimit të Meududit, që hipokritët fillojnë të shfaqen më tepër në Medine, mund të lind një pyetje se si mund të shpjegohet mendimi i disa komentuesve që kjo sure ka zbritur në Meke? Përgjigja mund të jetë e tillë: Allahu i Lartë, me dijen e Tij hyjnore, duke zbritur suret dhe ajetet në Mekë, ka dashur të njoftojë për situatat që do të formohet në Medine.

Surja e ka marrë emrin nga ajeti i fundit që ka kuptimin “me ndihmuar”, dhe prej temës dominante në sure. Në sure theksohet, se besimi dhe veprat e kryera do ta kenë shpërblimin në botën e pasme (ahiret), dhe se ndihmesa e mbështetja ndaj njëri-tjetrit është e domosdoshme në shoqëri.

Surja flet për dy grupe njerëzish:

  1. Mosmirënjohësit, që i mohojnë mirësitë e Allahut (xh.sh) dhe mosbesimtarët që e quajnë si të rreme ekzistencës e ditës së gjykimi e botës tjetër.
  2. Hipokritët, të cilët, në punët që kryejnë nuk kanë si synim kënaqësinë e Allahut (xh.sh), por i kryejnë punët e falin namaz sa për sy e faqe.

 

Interpretimi (Tefsir)

                                                                     أَرَأَيْتَ الَّذِي يُكَذِّبُ بِالدِّينِ

  1. A e ke parë ti (a e sheh) atë, që përgënjeshtron përgjegjësinë dhe llogarinë në botën tjetër? 

أَرَأَيْتَ A e ka parë? Duket sikur i drejtohet Profetit Muhamed (s.a.s). Por, siç e kërkon rregulli i metodës Kuranore, në raste të tilla u drejtohet të gjithë atyre që zotërojnë mendje të shëndoshë. Pyetja retorike (teaaxhub) është përgatitëse për ato që do të njoftojë në vijim.  Pyetja “A e ka parë?”, ka kuptimin e shikimit me sy. Sepse, gjërat që do të sqarohen më vonë, janë elementë që mund t’i shikoj çdo njeri që i shohin sytë. Por, kuptimi i saj mund të jetë edhe ta kuptosh, ta dish dhe të meditosh rreth saj. Për shembull ne themi: “Hej shikojeni mirë!”, pra mendoni pak. Nëse e marrin kuptimin e fjalës në ajet në këtë formë, kuptimi i ajetit do të jetë ky: “A e di se cilët janë ata njerëz, që përgënjeshtrojnë ditën e gjykimit?” Por, mund të jetë edhe “Mendoje gjendjen e atij personi, që mohon shpërblimin dhe dënimin për vepra e kryera!” Ose, “O Muhamed! I shikon apo jo, dhe i njohe, se ç’ka bëjnë ata të cilët mohojnë ndër Kurejshët?”

Shkaku i zbritjes

Sipas transmetimit: Ebu Xhehli ishte kujdestar (ekzekutor testamenti) i një jetimi. Një ditë jetimi shkon pranë Ebu Xhehlit këmbëzbathur dhe i kërkon nga pasuria e tij. Por, ai as që e përfilli fare dhe e përzuri duarbosh. Paria e kurejshëve me një ton tallës: “Shko te Muhamedi të ndërmjetësojë për ty.” Jetimi, duke mos e kuptuar qëllimin e tyre, shkoi te i Dërguari Allahut (s.a.s) dhe kërkoi ndihmë prej Tij. Profeti (a.s) duke qenë se i kishte zakon të mos kthente asnjë njeri duarbosh, ngrihet e shkon bashkë me të te Ebu Xhehli. Ebu Xhehli e përshëndet dhe i thotë: “Urdhëro!” dhe ia jep mallin jetimit. Kurejshët për t’i kujtuar të mirën që bëri i thonë: “edhe ti devijove, dole nga feja ynë dhe u fute në fenë e Muhamedit”. “Jo”, ia ktheu ai, “nuk devijova por, në të djathtën dhe të majtën e tij pash dy ushtarë me armë në dorë, u tremba shumë se mos më sulmonin.”

Ndërsa, në transmetimin e Ibn Abbas’it thuhet se ka zbritur rreth një koprraci, mburravec dhe hipokrit.

Pra, kjo sure ka zbritur për njërin prej tyre ose për një histori të ngjashme. Por, vlefshmëria e gjykimit nuk është e kufizuar vetëm për ata, por i përfshin të gjithë njerëzit që janë të tillë.

Fjala “Din” në ajet, sipas terminologjisë së Kuranit, ka kuptimin e shpërblimit të veprave në botën tjetër dhe në njëjtën kohë përdoret edhe për Islamin. Por, kuptimi i parë këtu është më i përshtatshëm. Sepse, një njeri që beson në botën e pasme (ahiret) nuk sillet në atë mënyrë me jetimin. Padyshim që, ai që tallet me jetimin dhe nuk e ushqen të vobektin, nuk beson në botën e pasme dhe nuk frikësohet prej kërcënimit të Allahut.

 

فَذَلِكَ الَّذِي يَدُعُّ الْيَتِيمَ

  1. Po ai është që e përzë në mënyrë të vrazhdë jetimin. 

Pra, nëse e ke parë e di, e nëse nuk e ke parë mësoje! Për arsye se nuk i besojnë fesë dhe dënimit në botën tjetër, ata mosbesimtarët e tillë e përbuzin jetimin. Duke e cilësuar si të dobët jetimin, dhe duke mos pasur frikë prej dënimit të Allahut (xh.sh), ata e përzënë në mënyrë të vrazhdë jetimin pa pasur asnjë pikë mëshire.

 

 

                                                                     وَلا يَحُضُّ عَلَى طَعَامِ الْمِسْكِينِ

  1. Dhe që nuk nxit për ta ushqyer të varfrin. 

Pra, nuk nxit dhe nuk dëshiron që të ushqehet me diçka i varfëri. Ashtu si nuk i ndihmon vetë të varfrit, po ashtu, as që dëshiron që të tjerët ose të afërmit e tij që janë në gjendje të mirë ta ndihmojnë, ushqejnë apo përkujdesen për të. Dhe as që i këshillon apo nxit ata në këtë rrugë. Ndërkohë që, ajo pjesë ushqimi i përket të varfrit e të mjerit, dhe jo atij që kontribuon.[2] Ky ushqim, dhënia e të cilit është vaxhib (e domosdoshme) për atë që e jep, është e drejta e jetimit. Ai që e jep, nuk e jep atë për bamirësi, përkundrazi ai është i detyruar që ta japë këtë duke qenë e drejta e jetimit. Kuptimi i ajetit 19-të i sures Dharijat “Dhe në pasurinë e tyre ka të drejtë edhe lypësi e i vobekti.” Pra, ai që ushqen një të mjerë në një gjendje të tillë, është sikur t’i ketë dhënë atij pjesën që i takon, sikur i ka shlyer borxhin.

Ata që kanë nevojë të jetojë së bashku të familjarizuar dhe në harmoni në shoqëri, dhe që me ndihmën e Allahut të Lartë kanë shpëtuar prej varfërisë e frikës, duhet ta adhurojnë Allahun e të jenë robër vetëm të Tij. Dhe, për të kryer këtë adhurim, si një detyrë e fesë së drejtë, duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin për të ushqyer e për t’u kujdesur për jetimët, të varfrit e të vobektët. Ata që nuk e kryejnë këtë detyrë kur ekziston mundësia, dhe akoma më keq ata që e përzënë dhe tallen me jetimin duke ia mohuar të drejtën pa treguar as përkujdesjen më të vogël për ushqimin e jetimit që gjendet pranë tyre, tregon se në ç’gjendje të ulët dhe të turpshme ndodhen ata, që të bën të ndjesh dhimbje e keqardhje në emër të humanizmit. Ka edhe kuptimin që, përzënia e jetimit dhe mos përkujdesja ndaj të varfërve, janë vepra të pamëshirshme që i kryejnë ata të cilët e mohojnë fenë. Sado që, mosbesimi i një njeriu të duket si diçka e paperceptueshme, sjellja e mosbesimtarit në këtë formë në një farë mënyre mund të perceptohet. Por, ajo që të habit më shumë është fakti që, ata që duken si besimtarë e sillen me hipokrizi në punët dhe adhurimet fizike e kapitale, tregohen aq koprracë saqë as gjënë më të vogël nuk e dhurojnë.

 

 

                                                                                   فَوَيْلٌ لِّلْمُصَلِّينَ

  1. Mjerë për ata, të cilët kur falen, 

Ose “sa keq për ata që kur falen”. Pra, mjerë ata që falin namaz e do të bien në gropën e xhehenemit të quajtur uejl. Ose më saktë që falin namaz dhe hiqen si besimtarë.

 

 

                                                                          الَّذِينَ هُمْ عَن صَلاتِهِمْ سَاهُونَ

  1. janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre.

Ata që kanë gabuar ndaj namazit të tyre dhe janë mashtruar. Duhet pasur kujdes, nuk janë qortuar ata që kanë gabuar apo harruar në namazin e tyre, por ata që kanë gabuar ndaj namazit të tyre. Sepse, të gabosh apo harrosh ndonjëherë në namaz është diçka njerëzore, e pashmangshme. Për këtë arsye transmetohet nga Ata b. Dinar të ketë thënë: “Falënderimet i takojnë Allahut, i cili nuk ka qortuar për gabimet në namaz, pra nuk ka thënë في صَلاتِهِمْ سَاهُون  “ata që gabojnë apo janë të pakujdesshëm në namazin e tyre” por, ka thënë عَن صَلاتِهِمْ سَاهُونَ “ata që janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre”.

Ka disa sqarime të ndryshme të interpretuesve të Kuranit rreth kuptimit të shprehjes janë të pakujdesshëm ndaj namazit: Të tregohesh i pakujdesshëm ndaj rëndësisë së namazit e mos ta kryes atë si një detyrë të rëndësishme, mos të tregohesh i kujdesshëm ndaj kohës së tij, mos të shqetësosh për kohën e namazit që po kalon e ta vonosh atë, mos të shqetësohesh në rast të braktisjes së tij, të falësh namazin pa pasur si synim kënaqësinë e Allahut të Lartë, por ta falësh për ndonjë përfitim të kësaj bote, ta falësh në mënyrë hipokrite, mos ta falësh si madhërim dhe shfaqje të robërisë para prezencës së të Vërtetit por thjesht sa për t’u dukur e për argëtim.

Kjo çështje është argumentuar me dy transmetime nga Ibn Xherir.

Transmetimi i parë, transmetohet nga Sa’d b. Ebi Uakas të ketë thënë: Pyeta të dërguarin e Allahut (s.a.s) rreth الَّذِينَ هُمْ عَن صَلاتِهِمْ سَاهُونَ . Profeti (s.a.s) tha: –“Këta janë ata që e vonojnë namazin nga koha e tij”.[3]

Ndërsa tjetri: Nga Ebu Berzele el-Eslemi (r.a): Kur zbriti ajeti الَّذِينَ هُمْ عَن صَلاتِهِمْ سَاهُونَ Profeti (a.s) tha: “Allahu Ekber, kjo për ju është më e dobishme se t’ju dhurohet e tërë bota. Ndërsa, ata kur falin namaz nuk mendojnë se do të kenë ndonjë dobi, dhe kur nuk e falin nuk frikësohen prej Zotit të tyre.”[4]

 

Duhet të kuptohet qartë që, gjatë faljes së namazit të vijnë mendime të tjera është gjë tjetër, ndërsa të mos tregosh fare kujdes ndaj namazit është gjë tjetër. Cilësia e parë është dobësi njerëzore. Njeriut mund t’i vijnë në mendje mendime jashtë vullnetit të tij. Një besimtar, kur e kupton se është shpërqendruar nga namazi, përpiqet sërish të përqendrohet. Ndërsa, cilësia e dytë i përket atyre që janë të hutuar në namazin e tyre. Sepse, namazi i njerëzve të tillë është si sport. Njerëz të tillë nuk kanë si qëllim në zemrat e tyre përmendjen dhe afrimin tek Allahu i Lartë. Sepse, ata nuk besojnë që namazi është farz (detyrim). Që në fillim të faljes së namazit e deri në fund të tij, ata nuk ia drejtojnë zemrat Allahut. Me ato mendime që e fillojnë namazin po me atë mendim e përfundojnë atë. Për arsye se falin disa kohë të namazit, njerëz të tillë mburren dhe mendojnë se feja përbëhet vetëm nga namazi. Ata, të cilët nuk kryejnë adhurime të tjera përveç namazit janë po kjo kategori njerëzish.

Ndërsa, sipas disa interpretuesve të tjerë të Kuranit, ky ajet është rreth hipokritëve në besim e vepra që përmenden në ajete të tjera: Lidhja me ajetin 142 të sures Nisa është më i përshtatshëm.

إِنَّ الْمُنَافِقِينَ يُخَادِعُونَ اللَّهَ وَهُوَ خَادِعُهُمْ وَإِذَا قَامُوا إِلَى الصَّلَاةِ قَامُوا كُسَالَىٰ يُرَاءُونَ النَّاسَ وَلَا يَذْكُرُونَ اللَّهَ إِلَّا قَلِيلًا “Hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun (duke u paraqitur si besimtarë të rremë), por Allahu mbizotëron dinakëritë e tyre. Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t’u dukur te njerëzit dhe fare pak e përmendin Allahun.”

Pra, është më e përshtatshme të themi se, ata falin namazin, por nuk e kuptojnë përmbajtjen dhe esencën e tij të vërtetë.

 

 

                                                                                 الَّذِينَ هُمْ يُرَاؤُونَ

  1. Ata që vetëm shtiren (sa për sy e faqe). 

Çdo punë që bëjnë nuk e bëjnë për Allahun, por e bëjnë për t’iu dukur njerëzve dhe në vende ku mund të duken.

Pavarësisht se, shumë interpretues të Kuranit janë të mendimit se këto ajete kanë zbritur rreth hipokritëve, ka edhe prej atyre që janë të mendimit se kanë zbritur rreth mosbesimtarëve mekas. Për shembull, sipas Sulejman Ates, për atë arsye që kanë zbritur tre ajetet e para, për ata persona dhe për ato cilësi që përshkruajnë, po ashtu për të njëjtën arsye, persona dhe për të përshkruar të njëjtat cilësi kanë zbritur edhe katër ajetet e fundit.

Sipas këtij mendime, kuptohet që edhe politeistët mekas falnin namaz, por nuk i jepnin rëndësi namazit, nuk faleshin rregullisht, faleshin ndonjëherë duke e perceptuar namazin si një traditë, pa qenë të mirinformuar rreth tij, faleshin për argëtim. Ajeti 50 i sures Enfal “Lutja e tyre pranë shtëpisë (Qabes) nuk ishte tjetër vetëm se britmë dhe duartrokitje”, na tregon që, edhe politeistët faleshin, por namazin e kishin shndërruar në mjet argëtimi duke lëshuar britma e duke duartrokitur gjatë faljes.

Adhurimet si namazi, zekati e agjërimi, nuk janë adhurime që i solli islami pa ekzistuar fare më parë. Por, këto ekzistonin edhe në fetë hyjnore para islamit. Kështu që Isa (a.s) kur ishte akoma fëmijë në djep u tha njerëzve përreth: “më ka porositur me namaz (falje) e zeqatë për sa të jem gjallë.”(Surja Merjem, 31) Po në të njëjtën sure, në ajetin e 55-të të saj njoftohet që Ismaili (a.s) e ka urdhëruar familjen e tij që të falë namaz. Në Kuranin Fisnik tregohet që, të gjithë profetët u kanë kumtuar popujve të tyre vazhdimisht të njëjtat principe: Adhurimin e Allahut të Lartë, kryerjen e veprave të mira dhe besimin në botën e pasme.

 

                                                                                  وَيَمْنَعُونَ الْمَاعُونَ

  1. Dhe nuk japin as sendin më të vogël (as hua).

Fjala الْمَاعُونَ Maun, ka këto kuptime leksikore dhe të nxjerra prej interpretuesve të Kuranit: zekat, donacion e bamirësi, diçka që ka një vlerë të mirëfilltë, gjëra që janë bërë zakon të merren si hua midis komshinjve si enë balte, enë të vogla, sofër, sëpatë, qyrek dhe mjete të tjera pune që kërkohen hua për ndihmë dhe që nuk shihen me smirë prej askujt.

Ata, për të cilët bën fjalë ajeti, janë ata njerëz që janë aq koprracë saqë edhe diçka që mund ta marrin sërish mbrapsht ngurrojnë ta japin. Për njerëz të tillë as që bëhet fjalë të japin zekat, sadaka apo ndonjë ndihmë tjetër bamirësie, por edhe diçka hua që do ta marrin sërish mbrapsht nuk e japin. Ata që sillen koprrac edhe për gjëra të vogla, për gjëra të mëdha janë akoma më shumë koprracë. Kuptohet lehtë që njerëz të tillë nuk japin zekat. Hipokritët, që nuk japin diçka të vogël hua, zekat e sadaka nuk mund të japin fare.

Një pyetje të tillë si: “A përfshihet në gjykimin e a ajetit mosdhënia hua atyre që nuk janë korrekt në shlyerjen e huas?”, mund t’i përgjigjemi në këtë formë: Kjo ndoshta nuk futet në gjykimin e ajetit. Nëse një mysliman nuk është përballur tre herë me të njëjtën situatë, nuk është e drejtë që të mos e japi diçka që i kërkohet hua. Nëse është përballur në të tre rastet me të njëjtën situatë, e kur t’i kërkohet sërish diçka, duke treguar bujarinë e tij mund t’i thotë që ti nuk je sjellë korrekt në herët e shkuara por unë po të jap sërish edhe një herë. E ka të drejtën e një paralajmërimi të tillë.

Pra, kështu fal namaz, duket si besimtar por mashtrohet nga namazi i tij. Kjo situatë e atyre që duan të shtiren ndërkohë që refuzojnë të japin edhe ndihmën më të vogël, edhe pse jo siç të habit gjendja e mosbesimtarit, gjendja e tyre është tepër e habitshme kur nuk ndihmojë të vobektët e përzënë jetimin. Sepse, në Kuran pas besimit përmenden bashkë namazi dhe zekati si bazat e veprave të mira. Për rrjedhojë, ka disa njerëz që shtiren si fetarë, duken sikur falin namaz dhe me faljen e tyre pretendojnë se i kanë shlyer të gjitha detyrimet fetare. Nuk i japin rëndësi adhurimeve të tjera si zekati dhe refuzojnë ta japin atë. U pëlqen të kërkojnë për hir të Allahut, ndërsa kur vjen puna për të dhënë edhe gjënë më të vogël apo për të ndihmuar robërit e Allahut e për të sjellë në vend urdhrat e Allahut me aq sa kanë mundësi, i shmangen kësaj përgjegjësie.

Si përfundim: Padyshim që, besimi në ahiret (jetën e pasme) është një nga shkaqet më të rëndësishme që e pengon njeriun të kryejë vepra të këqija, e nxit atë drejt punëve të mira dhe ia shton ndjenjën e dhembshurisë për të varfrit. Ata që nuk besojnë në ahiret nuk mendojnë për të varfrit, jetimët e të vobektët. Ata shumë pak ose aspak mendojnë diçka tjetër veç interesave të tyre. Për këtë arsye, në këtë sure tregohet se ata që nuk besojnë në botën tjetër, që nuk e falin namazin me përkushtim dhe nuk i japin rëndësinë e duhur shpirtit të fesë, nuk mendojnë për të tjerët, nuk janë të sinqertë, veprojnë vetëm sa për sy e faqe dhe nuk i ndihmojnë të tjerët.

Pra, ata që besojnë në llogaridhënien dhe gjykimin në ahiret (botën e pasme), tregohen të mëshirshëm ndaj jetimit, i ndihmojmë nevojtarët, e falin namazin me përkushtim, sinqeritet, vazhdimisht dhe në kohën e caktuar. Nuk u pëlqen të mburren, adhurimet i kryejnë me sinqeritet dhe i ndihmojnë të tjerët.

[1] Sipas Suleyman Ates, surja ka zbritur e plotë në Meke. Sepse, ajetet kanë lidhje me njëri-tjetrin. Fe’ja lidhëse në ajetin e katërt, ashtu siç tregon lidhjen me ajetet para, fjala ُصَلِّينَ tregon lidhjen me ajetet pas. Këto ajete që shpjegojnë njeri-tjetrin, dhe që kanë lidhje të pandashme nga njëri-tjetri, nuk mund të mendohet se kanë zbritur veçmas. Shk: Çadas Tefsir, tefsiri i sures Maun.

[2] Përdorja “ta’amul miskin” në vend të “it’amul miskin” që mund të ishte me kuptim më të qartë, ka një tjetër nënkuptim. Sepse, po të ishte “it’amul miskin” do të kishte këtë kuptim: “Nuk nxit në ushqyerjen e të varfrit”. Ndërsa, “ta’amul miskin” ka kuptimin “Nuk ia jep të varfrit ushqimin që i takon”.

[3] Bejhaki, es-Sunenu’l Kubra, II, 214.

 

[4] Sujuti, ed-Durrul Mentur, VIII, 642.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: