Surja Kurejsh-106

Surja Kurejsh-106

    بسم الله الرحمن الرحيم

  1. لِإِيلافِ قُرَيْشٍ
  2. إِيلافِهِمْ رِحْلَةَ الشِّتَاءِ وَالصَّيْفِ
  3. فَلْيَعْبُدُوا رَبَّ هَذَا الْبَيْتِ
  4. الَّذِي أَطْعَمَهُم مِّن جُوعٍ وَآمَنَهُم مِّنْ خَوْفٍ

 

    Shqipërimi

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit

  1. Për hir të garantimit që e gëzojnë kurejshët! 
  2. Garantimin e udhëtimit të tyre të lirë dimrit dhe verës! 
  3. Pra, le ta adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie, 
  4. I cili i ushqeu pas urisë dhe i siguroi prej çdo frike.

 

Sures Kurejsh, i thuhet ndryshe edhe surja “Li’ilafi Kurrejsh”. E zbritur në Meke, ka 4 ajete. Emrin e ka marrë prej fjalës Kurejsh në fillim të sures. Fakti që ka një lidhje të fortë me suren paraardhëse, duket sikur është vazhdimi i saj. Tregon mirësitë që kanë fituar Kurejshët nga observimi i Qabes.

 

Shkaku i zbritjes

Prej shkaqeve të zbritjes është fakti që Kurejshët duke parë ndihmën e Zotit në ngjarjen e “poseduesve të elefantëve”, në vend që të ishin të parët në pranim e Profetit Muhamed (s.a.s) dhe fesë së Zotit, në të kundërt ata ishin të parët që kundërshtuan dhe këmbëngulën në politeizmin e tyre.

 

Interpretimi (Tefsir)

 لِإِيلافِ قُرَيْشٍ

  1. Për hir të garantimit që e gëzojnë kurejshët! 

إِيلافِ I’laf, ka kuptimin e të mësuarit me diçka, e bërë e zakonshme. Allahu (xh.sh) duke i bashkuar ata kur ishin të përçarë, dhe duke i shndërruar rrugët e tregtisë në diçka të zakonshme, ia kishte mundësuar atyre që fitonin pasuri me anë të saj. Ndërsa, ata, tani distancoheshin nga adhurimi i Allahut.

Ndërkohë që, vetëm mirësia e udhëtimeve tregtare të dhëna prej Allahut (xh.sh), pa marrë parasysh mirësitë e tjera të panumërta, ishte një dhuratë e madhe prej Allahut (xh.sh) dhe qoftë vetëm për këtë duhet ta adhuronin Allahun.

 

إِيلافِهِمْ رِحْلَةَ الشِّتَاءِ وَالصَّيْفِ

  1. Garantimin e udhëtimit të tyre të lirë dimrit dhe verës! 

Allahu ia lehtësoi Kurejshëve rrugët e tregtisë gjatë dimrit për në Jemen dhe gjatë verës për në Siri, që ta adhurojnë Allahun.

رِحْلَةَ rrihlet, ka kuptimin udhëtim, emigrim. Kurejshët udhëtonin gjatë dimrit në Jemen, dhe gjatë verës në Siri dhe Basra për tregti. Në të njëjtën mënyrë emigronin për tregti ose për arsye të tjera gjatë verës në Taif, dhe gjatë dimrit në Meke. Edhe pa i llogaritur mirësitë e tjera të pafund të Allahut (xh.sh), Kurejshët më e pakta duhet ta adhuronin Allahun, qoftë kjo edhe vetëm për mirësinë e udhëtimit.

 

 فَلْيَعْبُدُوا رَبَّ هَذَا الْبَيْتِ

  1. Pra, le ta adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie.

Pra, ta njohin të vërtetën që solli Profeti Muhamed (alejhi selam) e të mos jenë të pabindur ndaj Tij, të heqin dorë prej politeizmit e mohimit dhe të adhurojnë Zotin e Bejt-i Atik (shtëpia e parë e ndërtuar në tokë) që e ruajti atë prej sulmit të ushtrisë së elefantëve, ta njohin vetëm Atë si Zot dhe të adhurojnë vetëm Atë. Adhurimi kryhet në drejtim të Qabes, por jo për vetë Qaben, por për Zotin e Qabes. Fatkeqësisht, disa besimtarë, respektin që tregojnë ndaj vetë Qabes, nuk e tregojnë për Zotin e Qabes, Profetin apo Kuranin.

 

الَّذِي أَطْعَمَهُم مِّن جُوعٍ وَآمَنَهُم مِّنْ خَوْفٍ

  1. I cili i ushqeu pas urisë dhe i siguroi prej çdo frike.

E kjo ishte frika nga armiku (ushtria e elefantëve) i shpënë. Po ashtu, siç pohon edhe ajeti që “A nuk e kanë vërejtur ata se Ne e kemi bërë vendin e shenjtë (Mekën) të sigurt, e njerëzit përreth tyre rrëmbehen (plaçkiten, e vriten). Po, a i besojnë ata të kotës, e të mirat e Allahut i përbuzin?” (Surja Ankebut, 67) njerëzit përreth tyre plaçkiteshin dhe vriteshin, ndërsa Kurejshët ishin të sigurt në zonën e sigurt (Qabe) dhe udhëtonin të sigurt për të bërë tregti. Kjo, ishte bërë e mundur me lutjen e gjyshit të tyre, Ibrahimit (a.s). Sepse, Ai, qe lutur kështu: “Zoti im, bëje këtë një qytet sigurie!” (Surja Bekare, 126) Sërish në një tjetër dua: “furnizoi ata me fruta!” (Surja Ibrahim, 37) Pra, a nuk duhet  që Kurejshët ta adhurojnë atë Zot që i ushqen dhe i siguron prej çdo frike?

Pra, ju ruajti ju nga frika ku askush nuk ishte i sigurt në Arabi. Në atë periudhë, në asnjë cep të Arabisë askush nuk mund të flinte i qetë. Ishin gjatë gjithë kohës përballë rrezikut të ndonjë sulmi. Askush nuk mund të dilte jashtë kufijve të fisit të tij. Sepse, në rast se dilte i vetëm, i pashoqëruar, ishte e pamundur të kthehej i gjallë. Mund të vritej nga dikush ose mund të zihej rob. Asnjë karvan nuk ishte i sigurt prej sulmeve, vetëm nëse i jepte ryshfet prijësve të fiseve përreth mund të kalonte shëndoshë e mirë. Po ashtu, kapitali që kishte me vete karvani mund të plaçkitej. Ndërsa Kurejshët mekas, ata ishin të sigurt prej çdo lloj rreziku. Për ata nuk ekzistonte frika e sulmit të armikut.

Nuk kishin as frikë se armiku mund të sulmonte Mekën. Ata shëtisnin të lirë në çdo cep të vendit me karvane të vegjël e të mëdhenj. Ata nuk i prekte askush, për vetë faktin që ishin “shërbyes të Qabes”. Askush nuk mund ta ngrinte zërin kundër tyre. Edhe sikur një kurejsh të sulmohej gjatë ndonjë udhëtimi, mjaftonte që ai të thoshte “jam nga Haremi”, pra nga Meka. Sapo dëgjonte këtë fjalë, sulmuesi ndalonte. Sepse, fiset që jetonin në gadishullin arabik nuk respektonin vetëm Qaben por edhe kurejshët që jetonin në rrethinat e Qabes. Ata thoshin: “Këta janë komshinjtë e shtëpisë së Allahut, janë banorët e Qabes dhe prijësit e saj, popull i Zotit.”

Pra, një popull që gëzonte një prestigj të tillë si në gadishullin arabik, dhe po ashtu edhe nga fiset arabe që jetonin jashtë gadishullit, duke menduar se po të ndiqnin Profetin Muhamed (s.a.s) do të ishte në dëm të interesave të tyre, dolën kundër thirrjes së Tij. Në këtë sure, urdhërohen që mos të dalin kundër teuhidit (monoteizmit) që i fton kjo thirrje, dhe ta pranojnë këtë thirrje dhe të adhurojnë Zotin e Qabes që u ka dhuruar atyre këto mirësi. Surja Kurejsh-106

Postime të ngashme

%d bloggers like this: