Si ka qenë haremi te osmanët?

Te ne, dhoma e gjumit është një gjë shumë e madhe dhe e shenjtë. Atje tharmohet soji dhe zhvillohet. Atje formohet familja me intimitetin e saj më të posaçëm. Prandaj ndodh që tek ne, dhoma e gjumit nuk hapet dhe në të nuk ftohen miq apo vizitorë. Jo të huajt, por aty nuk mund të hyjnë kur të duan as pjesëtarët e tjerë të shtëpisë. Dhoma e gjumit është aq intime dhe e posaçme, saqë, sipas edukatës që kemi marrë, sikur të na ftojë dikush ku kemi shkuar si mik, të flemë në dhomën e tij bashkëshortore si shenjë respekti dhe bujarie për ne, nuk pranojmë. Pse, si është puna? Edhe dhoma bashkëshortore e gjumit është, fundja, një dhomë gjumi si të gjitha dhomat e gjumit. Mirëpo, ja që tek ne çdo gjë është kaq shumë e ndryshme dhe kështu është zhvilluar. Në këtë kuptim, haremi nuk është diçka e posaçme vetëm për osmanët. Në të gjitha shtëpitë tona ka nga një harem të tillë. Prandaj, njeriu që i qëllon me gurë etërit për këtë shkak, gabon shenjë se, në vend që të qëllojë aty ku duhet, i bie kokës së vet!

Haremi te osmanët bart një kuptim disi më privat. Për shembull, haremi nuk është i hapur për këdo, si në shumë pallate, ndërtesa apo ndërtesat e haremit janë të rrethuara me mure. Ja, pallati Topkapi është një ndërtesë e madhe e hapur vetëm për disa, kurse e mbyllur ndaj botës së jashtme me qëllim për të mbrojtur intimitetin e posaçëm të atyshëm, ku gratë dhe skllavet e pallatit mbretëror mund të jetonin dhe dëfreheshin të qeta dhe në mënyrë legjitime. Synimi i një rregullimi të tillë ka qenë që në vështrimet e zonjave dhe skllaveve të pallatit të mos binte ndonjë gjë e papërshtatshme dhe të mbroheshin nga ndikimet e jashtme. Gratë, përgjithësisht, femrat e haremit jetonin dhe dëfreheshin brenda mjedisit të haremit dhe sipas kritereve dhe normave islame. Ato nuk shihnin jashtë, kurse nga meshkujt, shihnin vetëm burrat dhe të afërmit e tyre të gjakut. Në fakt, kjo vlente edhe për burrat e pallatit. Edhe ata, pas atyre mureve të lartë, mjaftoheshin me shijet dhe kënaqësitë legjitime. Nëse jetesa pas mureve ishte jetë kalaje, ata ndanin të njëjtën jetë me bashkëshortet e tyre. Ja ku është haremi, shkoni e shiheni! Po qe se këtë kritikojnë, do të thotë se nuk dinë se ç’kritikojnë.

Por po qe se kritikojnë praninë e shumë grave në harem, edhe për këtë kemi se ç’të themi.

Po, ka patur sulltanë osmanë që janë martuar me dy apo tri gra. Kurse ne as kemi ç’të themi, as mund të themi! Njeriu perëndimor dhe mendimi i tij nuk janë as parim, as gjithçka! Dikur ashtu e kanë menduar. Tani martesën me shumë gra e quajnë poligami dhe një gjë të turpshme. Kurse nesër do ta quajnë turp të sotmen!

Pastaj, kush duhet ta ketë thënë fjalën mbi këtë çështje, e ka thënë. Zoti i ka dhënë leje burrit të martohet gjer me katër gra, po qe se i plotëson kushtet përkatëse. Ata që e kanë përdorur këtë leje, nuk janë vetëm sulltanët osmanë, le t’i kritikojnë. Me dy-tri apo më shumë gra janë martuar Profeti, sahabet, njerëz të mëdhenj të fesë dhe shumë njerëz të tjerë, që falnin natën gjer në dyqind rekate namaz e që e patën kaluar jetën me adhurim. Kjo do të thotë se askush s’ka të drejtë ta marrë nëpër gojë këtë çështje që e ka lejuar feja. Meqë këtë çështje e kam trajtuar edhe në diskutimin mbi martesën e Profetit me shumë gra[1], po mjaftohem me kaq. Por po u desh, këtë konkluzion fetar mendoj ta analizoj si një çështje më vete.

Njëra prej specifikave të rrokura posaçërisht dhe të kritikuara kur bëhet fjalë për haremin, është tema e skllaveve ose robinjave. Pandeh se urtësinë e lënies hapur të institucionit të skllavërisë nga Islami e kam parashtruar me hollësi me rastin e dhënies së përgjigjes për një pyetje rreth skllavërisë dhe qëndrimit të Islamit ndaj saj.[2] Prandaj, këtu do të kaloj duke dhënë vetëm një mendim të shkurtër.

Skllavet për të cilat bëhet fjalë këtu, ishin robinja lufte. Myslimanët i merrnin nëpër shtëpitë e tyre, i edukonin, u tregonin rrugët që çonin në përsosmërinë njerëzore dhe i mbronin si t’i kishin miq të shtrenjtë. Krahas plotësimit të nevojave të tyre materiale, kujdeseshin edhe për nevojat moralo-shpirtërore. Po të bëheshin myslimane, shpesh i linin të lira të largoheshin. Po të donin, mund të bashkëjetonin me to dhe atëherë, skllavja e bërë me fëmijë, quhej nënë fëmije, fitonte mundësinë për t’u çliruar dhe çlirohej me një nga mënyrat e njohura. Edhe bashkëjetesa ose, më saktë, marrëdhënia seksuale me to kishte kushtet e veta. Personi mund të hynte në marrëdhënie vetëm me skllaven e vet. Skllavja nuk duhet të ishte (të ndodhej) e martuar. Mbi të nuk duhet të kishte pronësi edhe dikush tjetër.

Nëse çështja duhet trajtuar brenda etikës së saj, skllavja ishte një mall, kurse zotëria e çlironte nga ky aspekt duke ia ngritur vlerën shoqërore. Ai e bënte atë një qenie me vlerë. Ndërkohë, edhe ia hapte dyert që e çonin në liri. Pa mendoni, veç kësaj, ato merreshin në pallat dhe respektoheshin me një respekt shumë më të madh se në shtëpitë e veta të mëparshme! Cili njeri me mend në kokë mund ta kundërshtojë këtë?

Ne po e shohim se si janë trajtuar e si trajtohen robërit në ditët tona. Ata mbyllen si një kope kafshësh në ahure, trajtohen në mënyrë të pështirë, kurse nga vuajtjet dhe klithmat e tyre, keqtrajtuesit e tyre ndjejnë kënaqësi sadiste. Të gjithë i dimë krimet masive kundër njerëzimit që ka kryer Perëndimi. Prandaj, kur i krahasojmë sjelljet dhe veprimet e tyre kriminale e antinjerëzore me realitetet që ata i kritikojnë, nuk rrimë dot pa thënë se ata nuk e kuptojnë se ç’është njerëzore dhe prandaj nuk e kuptojnë dot as sjelljen njerëzore të Islamit dhe urdhrin e Islamit për sjellje njerëzore! Por edhe nëse kjo lloj injorance i ka hije njeriut perëndimor nga koka gjer në këmbë, unë s’e gjej dot te ajo pjesë e tyre që zgjatet gjer te ne. Prandaj edhe mbetem i habitur!

Kur ata marrin robër lufte nga ne, ne ç’do të bëjmë? Apo do t’ua kthejmë prapë me qëllim që të riarmatosen e të na kthehen prapë? Apo do të themi se ata le të marrin robër sa të duan, se ne s’na lejon botëkuptimi ynë bujar? Po a s’do të ishte ky gjykim një kokëtrashësi e tepërt? Dhe në qoftë se ndaj anës tjetër nuk duhen bërë veprime ndëshkuese, pse duhet luftuar? Pse të vriten mijëra njerëz? Pse të mbeten gra të veja e fëmijë jetimë? Meqë shkohet në luftë duke i marrë parasysh pasojat qysh në fillim, do të thotë se secili i ka pranuar pasojat qysh në fillim. Dhe njëra prej këtyre pasojave është rënia rob. Po qe se trajtimi i robërve bëhet sipas parimeve islame, a s’është më njerëzore? Siç marrin ata robër prej nesh, edhe ne do të marrim prej tyre. Po ç’do t’i bëjmë robërit që do të marrim prej tyre? A do t’i lëshojmë apo do t’i vrasim? Jo, do t’i ndajmë mes myslimanëve. Në këtë mënyrë, atmosfera shpirtërore në shtëpitë e myslimanëve do t’i zbusë ata ndaj Islamit. Do të krijohen miqësi individuale dhe pa u shtrënguar aspak, pas një kohe, të gjithë ata do të shkrihen para këtij trajtimi dhe do të futen në Islam. Atëherë do të dalë në shesh burrëria dhe bujaria e myslimanëve. Myslimani do të kërkojë rrugët për ta shpëtuar nga robëria vëllain që ka zgjedhur fenë e tij. Vlera e çlirimit të skllevërve në Islam do të veprojë mbi myslimanin, nga njëra anë, si faktor nxitës, nga ana tjetër, si kundërshpërblim për mëkatet e kryera, edhe robërit do të fitojnë lirinë me rrugë të shumta që s’do të kenë të prerë.

Ne i trajtojmë robërit njerëzisht dhe përpiqemi t’i edukojmë ata në rrugën që shkon për te vlerat njerëzore. Ne i ndihmojmë ata për ruajtjen e ekuilibrit botë-përjetësi. Ne bëjmë gjithçka që na vjen ndoresh për hyrjen e tyre në Islam dhe i mbrojmë. Fundja, këto janë gjërat që bëheshin në pallat. Nga njëra anë, robinjat edukoheshin me cilësi njerëzore, nga ana tjetër trajtoheshin si zonja. Sa shembuj mund të tregohen për robinja që kanë tentuar të ikin nga pallati? Është e pamundur!

Veç kësaj, le të shohim në histori se ç’gjëra ka përftuar një sjellje dhe trajtim i tillë. Në literaturën islame, ka një emërtim: mevali, ish-skllav i bërë zotëri e që ka arritur në shkallët më të larta të pozitës intelektuale e shtetërore. Mes tyre ka personalitete gjeniale që do të kujtohen dhe përmenden kurdoherë me respekt të lartë.

Usame b. Zejd (r.a.) të cilin Profeti e donte aq shumë sa s’e ndante nga nipërit, qe caktuar komandant i një ushtrie të përgatitur kundër Bizantit. Mes ushtarëve ishin edhe personalitete të tillë si Ebu Bekri dhe Omeri. Kurse Usame ishte vetëm një 18-vjeçar nga libertët. Edhe i ati, Zejd b. Harithe, pati komanduar ushtrinë islame në Mu’te dhe pati rënë dëshmor.

Nafiu që pati përgatitur një personalitet të tillë si imam Malikun, ishte nga libertët. Skllaves së vet shumë të dashur, Merxhane, Abdullah b. Omeri ia pati dhënë lirinë i nxitur dhe i entuziazmuar nga ajeti kuranor që u thoshte myslimanëve se nuk do të mund të arrinin devocionin e vërtetë nëse nuk dhuronin gjënë më të dashur. Abdullai e donte shumë atë, por, me dëshirën për të arritur devocionin e vërtetë, e liroi për hir të Allahut. Ja, kjo Merxhane u martua pastaj me dikë dhe nga martesa e tyre lindi Nafiu. Abdullah b. Omeri e donte shumë Nafiun, e merrte pranë dhe e përkëdhelte. Pastaj e edukoi duke e ngjitur në majat e diturisë. Si njëri prej yjeve më të shkëlqyer të botës islame, Nafiu ishte një mevali.

Imam Adhami, Mesruku, Tavus b. Kejsan dhe sa e sa të tjerë qenë mevali. Madje, në kohë të emevive, dy dijetarë që, duke biseduar mes njëri-tjetrit, po përmendnin dhe numëronin dijetarët, vunë re se vetëm i pesëdhjetenjëti doli se s’ishte mevali.

Po qe se në ato pallate qenkëshin përgatitur njerëz të tillë dhe janë përgatitur, ejani të gjithë së bashku të heqim dorë nga liria, të përgatitemi atje si robër dhe pastaj ta rifitojmë lirinë.

Në të gjitha këto që treguam, nuk ka ndonjë pikë ku njeriu që është njeri mund të gjejë shkak për kritikë. Mjafton që të mos jetë i kufizuar e i detyruar për të vepruar ndryshe!

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: