Sahabet, shokët e të Dërguarit të Allahut

Ata ishin të parët dhe të fundit që patën fatin më të mirë të rriteshin nën kujdesin e Gjeniut të Njerëzisë, Krenarisë së Njerëzimit, Muhamedit a.s. Brezi i tyre është një argument i fortë rreth vërtetësisë së Islamit. Pothuajse e gjithë shtresa e dijetarëve, kanë rënë dakord në mendimin se pas të dërguarve të Allahut, sahabet janë brezi më me vlera, më i lartë mes njerëzve të tjerë. Ata e kuptuan shumë mirë të Dërguarin e Allahut. Jeta e tyre është tregues i kësaj. Kështu që, për ta kuptuar sa më mirë të Dërguarin e Allahut dhe mesazhin e sjellë prej tij, është tepër e nevojshme, njohja e brezit të përgatitur nga ana e tij; horizonti i tyre, koncepti i tyre për jetën dhe fenë, etj. Të gjitha këto, na shërbejnë sot për të bërë analiza më të frytshme rreth asaj epoke dhe gjithashtu të përftojmë mesazhet dhe metodat e duhura për të pasur edhe ne sot një jetë më të ndërthurur me atë çka ka sjellë i Dërguari i Allahut a.s.

Nga ana tjetër, shekulli ku gjendemi, shpeshherë na formon atmosfera tunduese nga të gjitha anët, saqë dashje pa dashje e gjejmë veten mes vorbullave tunduese të kësaj bote dhe mes paqartësive rreth koncepteve për jetën e kësaj bote dhe të ahiretit. Të rinj, të reja, të moshuar, të moshuara, vazhdimisht janë në kërkim të modeleve në jetë. Dikush shikon si model babanë e tij, dikush nënën, dikush gjyshin, dikush tjetër një shoqe a një shok, një tjetër merr si model në jetën e tij, në stilin e jetës, në stilin e mendimit, e botëkuptimit, ndonjë aktor a aktore nëpër telenovela ose artistë të tjerë. Fatkeqësisht, kudo ku jemi përplasur, kemi gjetur boshllëqe. Asnjë model nuk ka arritur të na mbushë mendjen dhe zemrën. Përveç kësaj, shumë herë jeta e shumë të rinjve dhe e të moshuarve në shoqërinë tonë, finalizohet me dëshpërim dhe kjo është humbja më e madhe. Të mendosh që ke jetuar mbi 20, 40, 60… vite në këtë jetë dhe si përfundim nuk ke arritur dot të gjesh karakterin tënd me të cilin Allahu të ka krijuar, është me të vërtetë e dhimbshme për këdo. Një besimtar e ka për detyrë që gjatë jetës të gjejë vetveten, ta njohë atë me pikat e dobëta e të forta dhe të gjitha këto t’i vendosë nën shërbimin e së vërtetës dhe vlerave njerëzore. Kur të kthejë kokën mbrapa, të ketë më shumë momente shembullore për të treguar se sa dështime. Sahabet e nderuar bënë revolucion në vetet e tyre pasi u njohën me të vërtetën. Jo vetëm kaq, por i qëndruan asaj që besuan shumë fort dhe të përkushtuar deri në fund të jetës. E si mos të merren shembuj?! Në historinë e botës, hasim një brez, një grup gjenish, një grup artistësh, intelektualësh, drejtuesish, administruesish… një grup njerëzish me personalitet shembullor, efekti i të cilëve vazhdoi për katërmbëdhjetë shekuj me radhë, që janë gjithashtu frymëzim edhe për ne sot. Mjafton të shkundim pak pluhurin nga faqet e historisë së tyre.

Sahabet sipas Kur`anit dhe hadithit

Allau i Lartmadhëruar, siç e krijoi njeriun, i dërgoi atij udhërrëfyes. Siç dërgoi udhërrëfyesit, pranë tyre formoi edhe një brez shembullor që i pasuan mesazhet e tyre. Këtë e shikojmë më së shumti në epokën e të Dërguarit të Fundit. Ky brez u lavdërua nga vetë Allahu dhe nga i Dërguari i Tij a.s. Në suren Teube, Allahu i Lartmadhëruar thotë:

“Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë.”[1]

Duke qenë se Allahu i Lartmadhëruar na privilegjoi me besimin islam, na bekoi me të qenët pjesë e komunitetit të Dërguarit të Tij të fundit a.s., është e kotë të lodhemi duke kërkuar shembuj në cilëndo fushë qoftë, përveç të Dërguarit të Allahut dhe përveç gjigandëve të rritur në klimën e tij. Sa më afër tyre të jemi, aq më mirë mund ta lexojmë jetën, aq më të qarta na bëhen konceptet për dy botët dhe aq më pranë lumturisë së kërkuar mund të jemi.

I Dërguari i Allahut a.s. shprehet kështu për shokët e tij:

“Shokët e mi janë porsi puna e yjeve. Kujt do t`i shkoni mbrapa, do të udhëzoheni.”[2]

Siç do të shikojmë edhe përgjatë këtyre artikujve, me të vërtetë, njerëzit e përgatitur nga një superedukator siç ishte i Dërguari i Allahut a.s., janë personalitete pas të cilëve mund të shkohet me kënaqësi.

Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut a.s. na porosit:

Ndiqni sunetin, rrugën time dhe rrugën e pasuesve të drejtë. Këtë rrugë, shtrëngojeni shumë fort ashtu siç shtrëngoni diçka me dhëmballë.”[3]

Fjala “as`hab” është shumësi i fjalës “sahabe” kuptimi gjuhësor i së cilit është shok, mik. Ndërsa kuptimi terminologjik i fjalës “sahabe” është, çdo njeri i cili e ka parë të Dërguarin e Allahut duke qenë besimtar, ka marrë pjesë në kuvendin e tij qoftë edhe për një kohë të shkurtër dhe gjithashtu ka ndërruar jetë si besimtar. Ky është përkufizimi i njërit prej komentuesve më të mëdhenj të librit “Sahih Buhari” të shkruar nga imam Buhariu, i cili quhet Ibni Haxher Askalani. Gjithashtu, ky përkufizim është pranuar edhe nga shumica e dijetarëve.

Çfarë i lartësoi sahabet mbi të tjerët?

E para: prania në atmosferën mbresëlënëse profetike

Të lexosh libra rreth një personaliteti është ndonjëherë më me pak përfitim se sa të marrësh pjesë në kuvendin e tij qoftë edhe për disa minuta. Duke qenë se kontakti me të nuk është më imagjinar sipas librave, por real, atëherë, çdo mimikë, çdo intonacion, çdo përjetim shpirtëror i tij, gozhdohet në brendësinë tënde më shumë se leximi i disa librave. Është ndryshe të lexosh rreth bëmave apo përjetimeve të të Dërguarit të Allahut e ndryshe të marrësh pjesë në jetën e tij e të shikosh qëndrimin e tij në kijam, në ruku, në sexhde, të dëgjosh të folurin e tij, të marrësh pjesë në kuvendet e tij të ndritshme. Po kështu, sahabet e nderuar, dallohen nga të gjitha shoqëritë e tjera për arsyen se ata morën pjesë në atmosferën mbresëlënëse profetike derisa secili prej tyre u ngjyros me ngjyrën e duhur të Islamit dhe traditës profetike dhe po ashtu lanë mbresa te pasardhësit e tyre. Kushdo që ka dëshirë sot të flasë rreth të Dërguarit të Allahut, apo të kuptojë atmosferën e tij, duhet patjetër të kuptojë shumë mirë rrethin e tij dhe në një gjendje metafizike të mundohet të njësohet me atmosferën e të qenët para tij i rrethuar nga shokët e tij të nderuar.

E dyta: të qenët gjithmonë përkrah të vërtetës

Ata vinin nga një shoqëri ku e mira quhej e keqe dhe e keqja e mirë. Disa prej tyre vinin nga familje me pozita të larta dhe të pasura. Kur u njohën me të vërtetën, nuk menduan më asnjëherë të rikthehen aty ku ishin, megjithëse për një kohë të shkurtër, reputacioni u kishte rënë, pasurinë e kishin sakrifikuar në rrugën e Allahut, etj. Për më tepër, garonin me sinqeritet me njëri-tjetrin për të dhënë më shumë, ndërkohë që i kishin të gjitha mundësitë për t’u rikthyer aty ku ishin. Ata zgjodhën rrugën e së vërtetës dhe i qëndruan besnik asaj në çdo situatë.

E treta: emocionet e shpalljes hyjnore

Veçoria e tretë që i dallonte sahabet nga të tjerët, ishte përjetimi i shpalljes hyjnore në mënyrë të vazhdueshme. Fenomenet e dikurshme që merrnin trajektore të ndryshme, ndalesat, urdhëresat, po ashtu edhe lavdërimet, që vinin në formë të hapur ose të fshehur drejtuar tyre, u jepnin një emocion më shumë zemrave dhe mendjeve.[4]Këtu na vjen në mendje hadithi i famshëm i emërtuar si “Hadithi Xhibril” tek i cili ishin dëshmitarë një grup i konsiderueshëm sahabesh. Po ashtu, shumë shpallje hyjnore që i zbrisnin të Dërguarit të Allahut a.s., bëheshin në praninë e sahabeve të nderuar. Soditja herë pas here me këto sofra hyjnore, u jepte atyre emocione të vazhdueshme. Kështu, edhe ky fenomen bën që ata të jenë mbi të gjitha shoqëritë e tjera.

E katërta: dalja për zot fesë në ditë të vështira

Një ditë Ebu Bekri r.a., teksa i referonte Aliut ditët e vështira të fesë, i thotë kështu:

“Ali, ti ishe akoma i ri dhe nuk i konceptoje dot ato kohë. Ne nuk dilnim asnjëherë në rrugë pa e marrë parasysh disa herë vdekjen. Edhe kur dilnim, mendonim se nga momenti në moment mund të na drejtohet ndonjë shpatë. Askujt nuk ia kumtonim dot mesazhin se ‘Allahu është një’ pa qenë të përgatitur se do të na fluturojnë shigjetat mbi trup.”[5]

Kjo ishte një tablo e shkurtër, që na tregon qartë vështirësitë e kohës dhe guximin, besnikërinë e sahabeve të nderuar, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

Në Shqipërinë tonë, një fjalë e urtë thotë: miku i mirë, në ditë të vështirë. Islami, ka pasur dhe do të ketë gjithmonë miq të mirë. Lum kush e pati rrizk! Allahu na bëftë të denjë të jemi në gjurmët e sahabeve të nderuar.

Nga Hysni Merja

————————————————————————————

[1]. Teube, 9/100.

[2]. Alijjulkarî, el-Esraru’l-merfua, f. 388.

[3]. Ebu Davud, Sunnet 5.

[4]. Shiko Fet’h, 48/18-19.

[5]. İbnü’l-Arabî, Muhâdaratü’l-ebrâr ve müsâmeratü’l-ahyâr, 2/179.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: