Rëndësia e folesë familjare

Përsosmëria e një kombi dhe një shoqërie nis nga fami­lja, nga foleja familjare e ngritur nga bashkëshortët e lidhur dorë për dorë për këtë qëllim. Nisur nga kjo, edukimi duhet filluar nga familja që të mbetet i qenë. Po qe se familja nuk është ngri­tur mbi parime edukative, as shoqëria nuk mund të mendohet të jetë me edukatë. Madje, edhe nëse një po­litikë arsimore-edu­kative e patëmetë është shumë e rën­dë­sishme për formimin e njeriut ideal, familja do të vazhdojë ta ruajë rëndësinë e vet përsa i përket kontributit të saj në edukimin e individit.

Po qe se mendjet e ushqyera mirë në familje, veçanërisht në periudhën e ushqyerjes së nënvetëdijshme, nuk vihen nën godi­tjen e erërave të kundërta serioze, në të ardhmen, me anë të disa vërejtjeve të vogla, mund të na dalin para si heronj të tra­shëgimit nënvetëdijesor duke na lënë të habitur. Sigurisht, suk­sesi në folenë familjare është etapa e parë e suksesit në jetën e përgjithshme. Dhe kjo etapë është e va­rur nga një martesë e shëndoshë.

Vlera e lartë e nënës.

Nëna është elementi më i rëndësishëm i familjes që për­gatit një komb. Në shikimin e islamit ajo është aq e shenjtë, saqë i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë:

“Xhenneti ndodhet nën këmbët e nënave!”

Ashtu është, sepse nëna është dora e shenjtë që e gatuan një komb si dhe ngritësja e folesë familjare që përbën qe­lizën e pa­rë të shoqërisë, ngritësja e një foleje ku reflektohen gëzimet dhe lumturia e fëmijëve që cicërojnë si zogjtë…

Me këtë aspekt, islami i jep nënës një vend dhe vlerë të tillë që përpjekja për t’i dhënë asaj vend tjetër dhe vlera të tjera për­tej kësaj, është ta vulgarizosh atë, është njësoj sikur t’i heqësh nga koka kurorën me margaritarë për t’i vënë një kësulë të “sto­lisur” me copëra qelqi! Allahu (xh.xh.) që i ka krijuar mashkullin dhe femrën, i ka pajisur ata sipas vendit dhe vlerës të tyre dhe u ka dhënë ato që duhen dhënë sipas kapaciteteve përkatëse. Femra është e dobët dhe delikate. Ajo preket më shpejt nga ndo­dhitë. Ja, pra, ta marrësh njeriun me një natyrë të tillë e ta largosh nga punët e përshtatshme me natyrën e tij me qëllim për ta shtrënguar në punë që nuk mund të përputhen me hije­shinë, dobësinë, delikatesën dhe respektin për të cilin është i de­një, është drejtpërsëdrejti padrejtësi dhe dhunë ndaj tij!

Në të vërtetë, kjo qenie delikate që i themi femër, është e pa­jisur me gjëra të tilla që, në këtë aspekt qëndron tejet pa­ra ma­shkullit. Femra është një heroinë dhembshurie; ajo ashtu dri­dhet mbi kokë të bijve të saj, saqë në këtë gjë mashkulli as që mund të krahasohet me të! Ndërkaq, kjo nuk është e posaçme vetëm për botën njerëzore. Megjithëse e gjithë pasuria e pulës është jeta e saj, ajo është gati ta fli­jojë veten për ta shpëtuar të voglin e saj nga dhëmbët e qe­nit. Ja, pra, kjo ndjenjë e thellë dhembshurie ndaj fëmijëve e dhënë nga Allahu të gjithë fry­morëve, është për nënën një kapital aq i madh, saqë çfarëdo vlere që t’i jepni asaj, do të mbetet e zbehtë para vlerës që i ka dhënë Allahu!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: