Punët nuk më ecin mirë, më duket sikur ka ndonjë tersllëk. A ka ndonjë lutje që mund të më ndihmojë?

Besim H. 28 vjeç, Tiranë

Punët nuk më ecin mirë, më duket sikur ka ndonjë tersllëk. A ka ndonjë lutje që mund të më ndihmojë?

Jam 28 vjeç. Megjithëse nuk falem aq shumë sa më parë, i lutem shumë Allahut dhe bëj gjithmonë dua. Por e kam vënë re, megjithëse lutem, punët nuk më ecin mirë. Si të kem ndonjë mallkim. A mos ndoshta nuk lutem me sinqeritet dhe Zoti më sprovon, nuk e di, por kjo gjendje më mërzit shumë. Tani dua të martohem. Personi me të cilin jam lidhur më duket njeri i mirë, por për arsye familjare dhe martesa nuk po realizohet. Ka dhe shumë gjëra të tjera të cilat më bëjnë të mendoj se diçka nuk po ecën si duhet në jetën time. Çfarë duhet të bëj, a ka ndonjë lutje që mund të më ndihmojë? Ju faleminderit, Allahu jua shpërbleftë për çdo gjë.

I dashur, e para dhe më e rëndësishmja është se çdo gjë në jetë është sprovë dhe kjo nuk duhet harruar. Moskryerja e rregullt e adhurimeve është një nga arsyet kryesore që besimtarin ta kaplojë brenga dhe mërzitja. Të kesh regata të rregullta me Krijuesin e Gjithësisë është ura më e fortë drejt lumturisë e prehjes shpirtërore. Durimi në kryerjen e adhurimeve është prej durimeve kryesore në jetën e njeriut. Një prej sprovave që ka besimtari është sprova që ka gjatë kryerjes së adhurimeve. Vëlla i nderuar, mundohu t`i kryesh rregullisht adhurimet.

E dyta, mundohu të ndryshosh këndvështrimin ndaj ngjarjeve dhe “problemeve” në jetë. Mundohu ta shikosh çdo gjë të bukur, pozitive. Ky është ilaçi më i mirë ndaj çdo sprove nëjetë. Nëse veproni kështu, jeta juaj do marrë një dimension tjetër.

E treta, mundohu të lexosh çdo ditë suren Fet`h, suren Inshirah. Lexo dhe duanë e këshilluar prej Profetit tonë të nderuar (a.s.) për mbrojtje prej mërzisë, varfërisë, dembelizmit. Mundohu t`i bësh këto lutje pas namazeve të sabahut dhe akshamit. Njëherë kur profeti Muhamed (a.s.) hyri në xhami, pa se një person nga Ensarët, Ebu Umame, ishte ulur dhe qëndronte i menduar dhe i mërzitur. Profeti ishte shumë i lidhur me shokët e tij. E si mund të qëndronte indiferent kur shikonte ndonjë shok apo mik të mërzitur e të pikëlluar. Aq i ndjeshëm ishte ai, saqë problemin e kujtdo e quante problemin e tij, e ndante mërzitjen me të, ulej me ta dhe e ndihmonte me ç`të kishte mundësi. Kur e pa Ebu Umamen të mërzitur e pyeti: “Nuk është kohë namazi, përse je këtu në këtë orë?” “O i Dërguari i Allahut, kam një brengë përbrenda dhe i kam borxh dikujt”, iu përgjigj Ebu Umame. “A të të mësoj një dua që të heq brengën e mërzitjen, të të ndihmojë të paguash borxhin?”, e pyeti Krenaria e Njerëzimit (a.s.). Dhe e këshilloi të lutej në sabah e aksham me këtë dua:

All-llahumme inni eudhu bike minel-hemmi vel-huzni ve eudhu bike minel-axhzi vel-keseli ve eudhu bike minel-xhubni vel-buhli ve eudhu bike min galebeti-dejn ve kahrir-rixhal.

Kuptimi i së cilës është: “O Zot, kërkoj mbrojtjen Tënde nga brenga dhe pikëllimi! Prej Teje kërkoj mbrojtje nga dobësia dhe përtacia. Prej Teje kërkoj mbrojtje nga frika dhe koprracia. Prej Teje kërkoj mbrojtje që të mos më mbulojë borxhi dhe që t`më mos më mposhtin njerëzit”. (EbuDavud, İstiadhe)

E katërta: mos kini dyshim nga të mirat. E mira është e mirë dhe ajo regjistrohet diku. Në dashtë Zoti, çdo e mirë, çdo brengë e cila pritet me durim e shpresë ndaj Allahut, do të regjistrohet në librin e punëve të njeriut.

E pesta: mos u shkëpusni nga tubimet ku ka njerëz të mirë. Ato tubime, ato ligjërata e fjalë të mira do ju rehatojnë dhe do sjellin lumturi në shpirtin tuaj.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: