Psikologjia e dhimbjes

Flet me heshtje, bërtet në qetësi. Vuan nga dhimbjet e sëmundjes, edhe pse i kupton shumë pak simptomat e mjekësisë dhe psikologjisë. Njeriu në momentin e gëzimit jeton në sipërfaqe të jetës, ndërsa në momentin e dhimbjeve zhytet në thellësitë e saj. Dhimbja është ajo që na dallon nga gjërat materiale, nga shkëmbinjtë e mëdhenj, që nuk ndiejnë asgjë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkufizon dhimbjen si një eksperiencë të papëlqyeshme, e lidhur me një dëm të prekshëm ose që pritet të ndodhë. Dhimbja përgjithësisht është një ndjenjë negative, e cila shoqërohet me humbjen e lumturisë. Ajo mund të jetë edhe fizike, si dhimbje e kokës apo diçka e ngjashme. Mund të jetë edhe shpirtërore, si mërzitje dhe frikë.

Dhimbja ka një rol shumë të rëndësishëm. Ajo është paralajmëruese për ekzistencën e një sëmundjeje të caktuar, apo prishjen e ekuilibrit natyror në trupin e njeriut. Në këtë këndvështrim ajo përfaqëson klithmën për ndihmë, që të mbrohet trupi dhe shëndeti ynë. Dhimbja që ndien kur prek diçka të nxehtë të thërret ta heqësh dorën nga sipërfaqja e nxehtë. Edhe dhimbja që ndien në kyçin e këmbës, të pengon që ta lëvizësh atë, kështu të mbron nga kompikacione më të vështira.

Gjëja më e dëmshme që mund ta godasë një njeri është pamundësia për të ndier dhimbje. Paaftësia për të ndier dhimbje është tërësisht një sëmundje më vete, prej të cilës vuajnë disa njerëz dhe si shkak i saj vdesin shumë shpejt, sepse u mungon dhimbja paralajmëruese për sëmundjen. Kjo është edhe një nga shkaqet e përhapjes së kancerit. Ai fillon, përhapet dhe njeriu nuk ndien asgjë rreth atij. Dhimbjen e jep më së fundmi, pasi është përhapur në të gjithë trupin.

Nëse godet diçka të mrehtë pasi ke arritur një sukses nuk ndien të njëjtën dhimbje kur e godet atë për shkak të një zënke. E gjitha kjo varet nga ndjenjat dhe emocionet e njeriut. Truri ka mundësi t’i bllokojë sinjalet e dhimbjes. Diçka e tillë është vërtetuar pas studimeve të shumta dhe më pas u përhap edhe në tekstet mësimore. Njeriu ndien dhimbje, aq sa i lejon truri i tij që të ndiejë.

Truri i njeriut ka një ndikim të jashtëzakonshëm në përcaktimin e llojit të dhimbjes dhe intensitetit të saj. Një punëtor i goditur nga një mjet i mprehtë në çizmen e punës së tij po ndiente një dhimbje të jashtëzakonshme dhe asnjë lloj ilaçi nuk po e qetësonte, derisa mjeti i mprehtë u hoq prej këmbës së tij. Dhimbja u largua menjëherë pasi u pa që objekti nuk ishte ngulur fare në këmbën e tij, por kishte kaluar midis gishtit të madh dhe gishtit tjetër pranë tij. Dhimbja nuk është gjë tjetër veçse mënyrë këndvështrimi. Koncepti që njeriu ka mbi shëndetin e tij është ndikuesi kryesor për të përballuar çdo lloj dëmi shëndetësor.

Si mund ta kontrollojmë dhimbjen? Një nga mënyrat e kontrollimit të dhimbjeve është mendimi pozitiv. Sipas studimeve truri ynë e koncepton dhimbjen sipas gjërave që i thuhen rreth saj dhe jo sipas asaj që ndien trupi. Sipas studimeve mendimi pozitiv dhe optimist e ul ndjeshmërinë e dhimbjeve më shumë se 28 %. Ndërsa meditimi dhe adhurimi e ulin ndjeshmërinë e dhimbjes deri në 40 %.

Një nga shkaqet që e ulin ndjeshmërinë e dhimbjes sipas mjekësisë është edhe frymëmarrja e thellë. Sipas eksperimenteve praktikimi i saj mund të ulë ndjeshmërinë e dhimbjes deri në 70 %. Frymëmarrja e thellë ndryshon shpejt edhe psikologjinë e dhimbjes, duke ndryshuar perceptimin e saj nga ana e trurit.

Ka edhe metoda moderne për kontrollin e dhimbjeve. Perceptimi i saj nga ana e trurit thjesht si një eksperiencë e keqe e vështirëson më shumë dhimbjen. Kur mendja jonë reflekton për arsyet, qëllimet dhe urtësitë pas saj, kjo e lehtëson shumë dhimbjen. Përfitimet e dhimbjes ndihmojnë në rritjen e pjekurisë njerëzore. Kështu, nuk sugjerohet përshkrimi i dhimbjes, si p.sh.; kjo dhimbje po më shpërthen kokën, sepse kështu ne i vizatojmë trurit një foto të ekzagjëruar të dhimbjes.

Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka ndonjë mysliman që të preket nga një gjemb apo diçka më e vogël sesa ai, përveçse lartësohet me anë të tyre nga një gradë.” Kështu dhimbja merr një kuptim tjetër. Ibn Ataullah ka thënë: “Dhimbja të prek sespse nuk arrin ta kuptosh Zotin me anë të saj. Kur ta kuptosh të vërtetën e privimit ai do të bëhet vetë dhurimi.” “Allahu kur i do disa njerëz, i sprovon ata.”

Pas çdo dhimbje që na godet qëndron një kuptim dhe kuptimi gjendet pas çdo gjëje. Kuptimet më të thella ndonjëherë lindin pas vështirësive më të mëdha. Sfida e vërtetë është ta kthesh dhimbjen në frymëzim, ta kthesh në eksperiencë dhe mësim. I urti ka dy zemra: një në dhimbje dhe një në reflektim. Ktheje dhimbjen tënde në gëzim.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: