Profeti (a.s) dhe vuajta e urisë

Ndodh shpeshherë që kur mendojmë për figurën e të Dërguarit të Allahut, të flasim për mënyrën se si ai e adhuronte Zotin, për dashurinë e madhe që kishin njerëzit për të dhe situata të tjera të ngjashme, por pak mendojmë rreth figurës së Profetit, i cili shpeshherë mbeti edhe i uritur. Njeriu më i dashur nga ndjekësit e tij në të gjithë historinë e njerëzimit provoi dhimbjet e mëdha të urisë. Pse ndodhi e gjitha kjo në një bashkësi ku njerëzit do të sakrifikonin çdo gjë për të? Pse zgjodhi ai të jetonte një jetë të tillë? Për të marrë disa mesazhe nga ky aspekt i jetës së të Dërguarit të Allahut, le të lexojmë me kujdes rreshtat e mëposhtme dhe le të përjetojmë disa çaste nga jeta e tij.

Një natë ai kishte dalë nga shtëpia në një orar të pazakontë. Kur doli pa se në mesxhid ishin ulur dy persona, Ebu Bekri dhe Omeri. Pyetja e tij ishte fare e natyrshme: “Çfarë ju ka nxjerrë nga shtëpia në këtë orë?” Ata iu përgjigjën njëzëri: “Uria, o i Dërguar i Allahut!” Dy njerëzit më të mëdhenj të këtij umeti, pas të Dërguarit të Allahut, kishin mbetur të uritur. Resulullahu (a.s) u tha: “Pasha Atë në dorën e të cilit gjendet shpirti im! Edhe unë kam dalë nga shtëpia prej urisë!” Tanimë tre njerëzit më të mëdhenj kishin mbetur të uritur. Ata që ditë e natë u kishin shërbyer të tjerëve dhe kishin dhuruar çdo gjë për njerëzit, tani ishin larg vëmendjes së njerëzve. Pse kishte ndodhur e gjitha kjo?

Siç e dimë, i Dërguari i Allahut zotëronte moralin e Kuranit, një moral i cili thotë: “Ti mendon se ata janë të pasur, prej ndershmërisë së tyre.” Ky moral thotë gjithashtu: “Padyshim që ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut. Nuk duam prej jush shpërblim dhe as falënderim!” I Dërguari i Zotit bashkë me dy shokët e tij të afërt nuk u kishin shfaqur asgjë njerëzve prej vuajtjeve të tyre. Ata ishin duke përjetuar çaste shumë të vështira atë natë. I Dërguari i Zotit u tha që të çoheshin dhe të kërkonin së bashku diçka për të ngrënë.

Arritën te shtëpia e njërit prej Ensarëve. E shoqja e tij u çudit kur pa ata tre njerëz të nderuar para derës së saj në atë orë të pazakontë. Me siguri mendoi se diçka serioze po ndodhte. Me tërë gëzim u tha: “Mirë se erdhët, urdhëroni në shtëpinë time”. Bashkëshorti i saj kishte dalë jashtë për të marrë ujë për familjen dhe kur u kthye u mallëngjye nga miqtë që e kishin nderuar. Reagimi i tij spontan ishte: “Elhamdulilah!” I Dërguari i Zotit bashkë me dy njerëzit më të mëdhenj më kanë nderuar me vizitën e tyre. Në fakt, kush nuk do të donte të kishte në shtëpinë e tij miq të tillë?!

Ai vuri re nevojën e tyre dhe filloi t’u shërbente ujë të ftohtë dhe hurma të llojeve të ndryshme. Mesa duket, këto ishin të pamjaftueshme për të shuar urinë e tyre, e cila kishte disa ditë që jua kishte pushtuar trupat. Doli jashtë dhe theri njërën prej deleve të tij. Pasi e përgatiti dhe e poqi ua shërbeu miqve, të cilët hëngrën nga ai ushqim. Paramendoni veten në një situatë të tillë dhe imagjinoni se cili do të ishte reagimi juaj. Njeriu mendon se për atë natë çdo gjë është në rregull, të paktën del nga një situatë e vështirë. Por nuk është aspak kështu. I Dërguari i Zotit (a.s) pasi i shijoi këto mirësi bashkë me shokët e tij, ju drejtua atyre: “Do të pyeteni për këto mirësi në Ditën e Gjykimit!” Edhe në këto çaste, o i Dërguar i Allahut? Edhe në momentet e dobësisë dhe më të vështirat e jetës? Po, sigurisht!

Ai ishte njeriu që kishte vlerësuar çdo mirësi të Zotit dhe kishte falënderuar shumë për to. Ai na mëson që mënyra më e mirë e falënderimit ndaj mirësive është përdorimi i tyre në rrugën e fitimit të kënaqësisë së Allahut të Madhëruar. Njeriu s’duhet të mendojë kurrsesi se e meriton “luksin” në të cilin ndodhet. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm se sprova e dikujt është pasuria dhe e dikujt tjetër varfëria. Zoti na bëftë prej atyre që falënderojnë vazhdimisht për gjendjen e tyre!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: