Preza që i mbijetoi shekujve

Nga Ferit Lika

Preza është një nga fshatrat më të lashtë të Tiranës. E njohur si qyteti Feniks për shkak të rrënimit dhe rindërtimit përgjatë shekujve. Ekzistenca e saj daton rreth 2000 vjet më parë me ndërtimin e kalasë.

Pasi kalon autostradën zhurmëmadhe Tiranë-Durrës, hyn në rrugën që lidh Vorën me aeroportin e Rinasit, e pak minuta më pas futesh në kthesën e një rruge të ngushtë që të çon në Prezë, mbi një kodër karshi kryeqytetit, rreth 20 km larg. Rruga e ngushtë që të çon për në fshat është e asfaltuar dhe muret mbrojtëse të saj ngjajnë me bedenat e kalasë, duke krijuar një unitet dhe duke të dhënë përshtypjen që në hyrje, të një vendi, historia e të cilit lidhet ngushtë me ndërtesën shekullore.

Në të dy anët e rrugës mbretëron një gjelbërim dhe një ajër i pastër, i cili fillon të shqetësojë mushkëritë tona të mësuara me ajrin e ndotur të Tiranës. Sa më shumë ngjitemi aq më shumë zgjerohet horizonti, e kur arrijmë në majë, Tirana duket si në pëllëmbë të dorës, deti Adriatik nga krahu tjetër, kalaja e Petrelës, e Krujës dhe ajo e Rodonit. Kontakti i parë në qendër të Prezës është me një pus, i cili sipas pllakatës të vendosur mbi të është ndërtuar në vitin 1187 hixhri (sipas kalendarit hënor), mbi 200 vjet më parë, nga osmanët.

Islami, një banor që takojmë aty, na tregon se pusi përdorej nga banorët dhe tregtarët për pastrimin e ambienteve përqark, ku në atë kohë zhvillohej pazari një herë në javë, por gjithashtu edhe nga besimtarët myslimanë për të marrë abdes përpara faljes.

Nëpër rrugicat e gurta futemi në kalanë e Prezës, simboli i ekzistencës së këtij fshati të rrethuar me kodra të mbuluara me ullinj, ndërsa dy liqene tutje në lugina i japin një tjetër freski kësaj zone malore.

Rruga që na dikton drejt hyrjes në kala, e shtruar me kalldrëm, përfundon te një portë e lartë druri, ku ndodhet edhe një mbishkrim, prej të cilit mësojmë më shumë për historinë e kalasë së Prezës. “Mendohet se kalaja është ndërtuar në shekullin e III-të para Krishtit dhe që nga ajo kohë deri në shekullin e XIX-të është rrënuar dhe rindërtuar krejtësisht disa herë dhe nga kjo mori edhe emrin qyteti Feniks (që simbolizon ripërtëritjen)…”, thuhet në mbishkrim.

Pasi kalojmë dy tre porta njëra pas tjetrës të lidhura me një tunel, na shfaqet një xhami e vogël e ngritur në murin e kalasë. Aty takojmë Kasem Hafizin, i cili ka rreth 20 vjet që shërben si imam në këtë xhami. Prej tij mësojmë se fillimisht xhamia që ne shohim sot ka qenë një kishë e vogël e më pas me ardhjen e osmanëve është shndërruar në xhami për të kryer ritet e faljes popullsia e cila tashmë ishte 100 % myslimane.

Kasemi tregon se xhamia (kisha) është ndërtuar së bashku me kalanë, që sipas gojëdhënave, ka një jetëgjatësi 2000 vjeçare.

Edhe pse në pension, mbi të 60-at, Kasemi vjen çdo ditë për të pesë vaktet e namazit, për t’u prirë besimtarëve që vijnë aty për t’u falur.

Kasemi është një ish medresist, ka mbaruar Medresenë e Tiranës në vitin 1964 dhe për vite me radhë ka punuar si mësues i gjuhës shqipe në shkollën e fshatit aty pranë dhe që prej 20 vitesh shërben si imam në këtë xhami. “Imami i fundit ishte babai im, Ahmet Hafizi, pas tij erdha unë”, thotë Kasemi.

Prejardhja myslimane e prezjanëve bënte që edhe dasmat -tregon Kasemi -të bëheshin pa alkool, në respekt të mësimeve e traditave të bukura islame.

Por si në çdo cep të Shqipërisë edhe këtu do të vinte goditja fatale e komunizmit, i cili mbylli fenë. “Me ardhjen e komunizmit, u mbyll xhamia dhe kështu shumë tradita u shuan. Kjo xhami u shndërrua në shtëpi kulture, sallë kinemaje, ndërsa xhamia tjetër, që ndodhet 500 metra më poshtë u kthye në magazinë (depo ullinjsh)”, kujton Kasemi.

Transformimet e xhamisë së kalasë nga xhami e mirëmbajtur në shtëpi kulture e sot në një xhami që mezi qëndron në këmbë, e pikëllojnë pa masë imamin, por siç na tregon ai, tani ka një rreze drite, pasi një projekt i një shoqate turke e ka përfshirë edhe këtë xhami për rikonstruksion.

Pas regjimit komunist kjo xhami ishte ndër të parat që u hap. Kasemi e kujton me gëzim atë ditë. “Atë ditë u mbush kalaja plot e përplot me njerëz. Ishte një ditë gëzimi dhe festë e madhe”, thotë Kasemi i emocionuar, duke vazhduar -u krijua një minber provizor dhe babai im që ishte 91 vjeç, erdhi e drejtoi faljen. Pas një viti ai ndërroi jetë dhe që prej asaj kohe u bënë plot 20 vjet që vij pesë herë në ditë për të falur namazin.”

Sot komuna e Prezës ka katër xhami të cilat hapen për të pesë kohët, por “shumica e njerëzve falin xhumanë dhe teravitë ndërsa për 5 vakte vijnë më pak”, tregon mësuesi.

Preza sot, nga zhurma e dikurshme e pazarit,  është kthyer në një fshat të qetë. Shumica e banorëve janë larguar në emigracion, një pjesë tjetër janë zhvendosur në zonat përreth, në Tiranë e Durrës, ndërsa një pjesë e vogël ka mbetur aty. Me lëvizjet e fundit demografike në Prezë kanë ardhur edhe nga zona të tjera, kryesisht nga Kukësi e Dibra, për të ndërtuar jetën e tyre aty.

Bejlerët dhe Agallarët

Preza ka pasur mjaft bejlerë dhe agallarë, të cilët sipas gojëdhënave i kishin shtëpitë brenda në kala e më pas me shtimin e popullsisë i krijuan varoshet (lagjet jashtë mureve të kalasë), tregon xha Kasemi, edhe pse të dhëna  e dokumente historike pretendojnë se për shkak të hapësirës së vogël të kalasë mund të mos ketë pasur banim në të.

Ndër beljerët më të njohur kanë qenë: Adem Beu, i cili ndërtoi një xhami tjetër, dhe sipas imam Kasemit, ishte besimtar i devotshëm. Të tjerë bejlerë kanë qenë Isa Beu, Xhafer Beu, etj., ata kishin mbiemra të ndryshëm si: Kalaja e Preza, po për shkak të pozitës që kishin, njerëzit i njihnin dhe i thërrisnin me mbiemrin Beu. Roli i tyre ka qenë shumë i rëndësishëm pasi ishin ata që pothuajse administronin fshatin. Ata punësonin fshatarët për të punuar tokat e tyre kundrejt një pagese, duke ulur kështu nivelin e varfërisë. Kjo traditë e punësimit vazhdon edhe sot e kësaj dite, ku fermerët apo të pasurit e zonës punësojnë fshatarët nëpër bizneset e tyre, duke bërë që qarkullimi i të ardhurave të mbesë brenda zonës.

Kalaja dhe ullinjtë, simboli i një fshati të lashtë

Kalaja dhe ullinjtë janë dy simbolet e Prezës. Rëndësia e tyre shtrihet thellë në histori.

Ullinjtë e Prezës janë mijëravjeçarë, madje mund të jenë edhe më të vjetër se kalaja. Kasemi thotë se perimetri i tyre shkon në 2-3 metra, pasi ulliri, shton ai, nuk vdes kurrë, edhe nëse thyhet apo thahet, nga trungu i tij mbin sërish një filiz i ri. Ulliri ka patur dhe ka një rëndësi të madhe për prezjanët, pasi në të shumtën e rasteve u ka siguruar atyre jetesën. Gjithashtu të dhënat historike apo dhe legjendat, tregojnë se edhe kalaja ka patur një rëndësi të veçantë për banorët e fshatit të vogël kodrinor.

“Kalaja ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme. Në kohën e Turqisë, siç më tregonte babai, qëllohej me top që nga kalatë e Stambolit dhe me radhë deri sa vinte në kalanë e Petrelës e Prezës dhe më pas në atë të Krujës dhe Rodonit, që paralajmëronte ardhjen e Ramazanit. Edhe për iftar dhe syfyr shtihej me top, gjë që tregonte hyrjen dhe daljen e vakteve”, kujton me nostalgji Kasemi. Ndërsa gjatë luftërave të ndryshme ndizej zjarri që nga kalaja e Sfetigradit dhe deri sa mbërrinte këtu. Në këtë mënyrë njerëzit mblidheshin dhe strehoheshin në kala dhe përgatiteshin për t’i bërë ballë luftës.

Kalaja shekullore, kodrat hijerënda, ullishtat me gjelbërimin e përjetshëm, një vend i vogël por që tërheq turistë dhe vizitorë të shumtë, të gjitha këto e bëjnë Prezën një feniks që i mbijetoi kohërave dhe shkatërrimit të historisë.

Jeta e prezjanëve

Prezjanët karakterizohen si njerëz të urtë, punëtorë e të qetë. Kjo vihet re menjëherë sapo shkel në Prezë, pasi nuk sheh njeri rrugëve, por duke punuar. Nëse takon dikë në rrugë dhe e pyet, ai është i gatshëm të të tregojë çdo gjë që di.

Dita e tyre fillon me punët në blegtori, në frutikulturë, nëpër sera e bujqësi dhe mbyllet me një kafe në mbrëmje në lokalin karakteristik në kodër, brenda kalasë.

“Unë personalisht -thotë Kasemi -kam një vit e gjysmë që kam dalë në pension. Më parë kam qenë mësues i gjuhës shqipe. Merrem më shumë me ullinjtë, tani me parapërgatitjen për vjelje. Vij në xhami për 5 vaktet e namazit dhe kujdesem për mbesën e vogël”.

Historikisht prezjanët janë njohur për kultivimin e ullirit, për qypat e detit, siç i thonin, që mbanin 1 kv vaj ulliri. Por edhe sot kjo traditë nuk është shuar. Kasemi na tregon se pothuajse çdo shtëpi në Prezë ka një mulli prej guri për nxjerrjen e vajit të ullirit, edhe ata që s’kanë, shkojnë te fqinjët, nuk shkojnë në fabrikë, pasi mulliri prej guri -thotë ai -e nxjerr vajin më të mirë, pa e shtypur bërthamën e ullirit, pasi kjo do ta bënte të hidhur vajin.

“Unë nuk kam mulli, por e bëj manualisht me dybek prej guri, i hedh ullinjtë aty dhe i shtyp me dru pa e çarë bërthamën dhe më pas i shtyp me këmbë. Kështu vaji del shumë më cilësor”, thotë Kasemi.

Prezjanët mbajnë gjithashtu edhe bletë për nxjerrjen e mjaltit “sade”, siç i thonë ata, pasi kodrat e gjelbërta dhe klima e përshtatshme ua afron mundësinë e mbajtjes dhe ushqyerjes së tyre.

Rëndësia e Prezës

Komuna Prezë sot, është e ndarë në shtatë fshatra me një popullsi prej rreth 7 mijë banorësh, e gjitha myslimane. Në Prezë për ditë xhumaje (të premte) bëhej një pazar i madh, njerëzit vinin nga ana e anës për të tregtuar mallrat e tyre aty. Atë ditë Preza bëhej e zhurmshme, pasi pazari kishte rreth 36 dyqane që gumëzhinin nga tregtarët dhe blerësit.

Për Prezën ka shkruar Marin Barleti, por edhe shumë autorë të tjerë të shquar. Shtjefën Gjeçovi ka shkruar një novelë mbi vlerat e Prezës, ku e cilëson atë si vatër të rëndësishme kulture dhe emancipimi.

Preza ka qenë një qendër e rëndësishme që kishte nën varësi rreth 33 fshatra dhe ka pasur një ndikim të madh në zonën përreth, duke u kthyer në pararojë e gjithë zonës për zhvillimin e arsimit, kulturës. Sipas historianëve edhe pas mëvetësimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, aty zhvillohej mësim përveçse në shqip edhe në gjuhën arabe e turke. “Shkolla shqipe u hap në shtator 1913 dhe u mbyll për disa muaj dhe u rihap më 1914. Ajo ishte ndër të parat shkolla shqipe me një ndjeshmëri të madhe ndaj kulturës”, tregojnë historianët.

Gjatë gjithë periudhave, nga koha Iliro-Romake e deri në Luftën e Dytë Borërore, ky vend është lakmuar e pushtuar nga të huajt. Sipas dokumenteve dhe dëshmive historike, Preza ka qenë në formën e një qyteze. Thuhet që vitin 1912 dhe deri në vitin 1920 qeverisja e vendit bëhej nga pleqësia, ku qeveriste kryeplaku së bashku me katër kryetarët e lagjeve. Ndërsa duke filluar nga viti 1921 dhe në vazhdim, qeverisja e vendit mori atributet e një forme më të organizuar, duke u ngritur kështu komuna e parë.

E ardhmja

E ardhmja e këtij fshati duket premtuese. Banorët e Prezës tashmë i kanë kuptuar avantazhet e kësaj zone dhe kanë filluar të kryejnë investime për të zhvilluar industrinë e turizmit. Fshati është i mbushur me vila luksoze dy-tre katëshe dhe me lokale shërbimi. Ai ka një pozicion gjeografik shumë të mirë dhe është bekuar me burime fantastike natyrore dhe kulturore.

Kalaja ndodhet gjithashtu fare pranë Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Me një sipërfaqe rreth 3 dynym dhe 270 metra mur rrethues, kalaja ofron një pamje panoramike, prej nga shihet qyteti i Tiranës, Kalaja e Petrelës, Rinasi, deti Adriatik dhe Kruja. Në trup, kalaja mban edhe kullën e sahatit të vitit 1800, xhaminë dhe një restorant që thellon edhe më shumë karakteristikat historike të zonës.

Kulla e sahatit është ngritur rreth viteve 1800-1850. Ajo shquhet për pozicionin mjaft të bukur, duke kontrolluar fushën e Tiranës.

Rreth 55 % e komunës është e rrethuar me kodra të larta, që ngrihen në rreth 255 metra mbi nivelin e detit. Pjesa që mbetet (45 %) është e sheshtë, ultësirë. Plani i komunës për zhvillimin e turizmit bazohet në zonën kodrinore perëndimore të saj, që parashikohet të ofrojë potencialin kryesor për zhvillimin e turizmit. Me projektet që komuna ka parashtruar synohet që Preza të spikasë si vend turistik, duke ndihmuar kështu në rritjen ekonomike dhe duke përmirësuar ndjeshëm jetën e komunitetit.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: