Përshpirtshmëria në adhurim

Ndoshta Allahu të ka hapur derën e bindjes, por jo edhe atë të pranimit.
Ti u fale, vazhdon të falesh, qëndron në këmbë, ulesh, por ajo nuk pranohet.
Agjëron, ndjen uri dhe etje, por sërish ajo është e refuzuar. Pra, çështja nuk është e lidhur pas sasisë.

A dëshiron të falesh? A të bën diçka të falesh?

Profeti Muhamed (s.a.s.) na tërhoqi vërejtjen në porosinë e tij, kur përmendi Havarixhët (grupacion kundërshtues në kohën e Aliut r.a.) dhe tha: “Keni për ta urryer namazin tuaj, kur të shihni namazin e tyre dhe keni për ta urryer agjërimin tuaj, kur të shihni agjërimin e tyre, porse ata dalin nga feja ashtu sikurse del shigjeta nga harku i saj.”

Ai, falet përgjatë natës dhe agjëron gjatë ditës, por çfarë ka brenda tij? Çfarë ka në zemrën e tij? Ky pra, është i gjithë thelbi.

Kur e sheh atë të falet, ti sikur dëgjon prej tij të thotë: “Unë jam më i mirë se të gjithë ata, unë jam duke ndjekur rrugën e Profetit a.s., ndërsa ata jo. ”…Përse vallë e gjithë kjo mendjemadhësi? A nuk duhet të thotë: “Unë jam gabim, ndërsa të gjithë të tjerët me të saktën?”

Pikërisht për këtë thotë dijetari Sejid bin Ata: “Ndoshta ka hapur për ty derën e bindjes, por jo edhe atë të pranimit dhe ndoshta ka vendosur që të gabosh, e ai gjynah të bëhet shkak për të mbërritur tek Ai.”

Përshembull, një njeri bën një gjynah, pendohet, pikëllohet dhe Zoti atë e ngre sipër teje, ti që po ulesh gjithë natën, po këndon Kuranin dhe po kënaqesh me veten tënde, sepse ai ty të ka hapur derën e bindjes, por jo edhe atë të pranimit. Ndoshta atë derë ia hap dikujt tjetër, atij që fillimisht gabon dhe më pas ai gabim bëhet shkak për të arritur tek Ai.

Atëherë, pamjet e jashtme nuk janë çdo gjë, ka mundësi që bindja të të sjellë mendjemadhësi dhe kështu shkatërrohesh, ose gjynahu të të sjellë pendim dhe kështu shpëton.

Këtë të mos e kuptoj dikush gabim dhe të thotë: “Ju po ftoni në gjynahe dhe po mohoni bindjen!” Jo! Gjynahu mbetet gjynah dhe bindja mbetet bindje. Ajo që themi ne është, se bindja nuk plotësohet ndryshe, veçse kur shoqërohet me qëllim të posaçëm, frikë dhe respekt, përdëllim ndaj Zotit dhe gjynahu nuk të dëmton vetëm kur ti pendohesh.

Ne i ftojmë ata që kryejnë gjynahe në pendim, dera e të cilit qëndron e hapur. Ashtu sikurse edhe i ftojmë ata që janë të bindur në frikë dhe përdëllim, përndryshe ti bëhesh prej atyre të cilët nuk e kuptojnë fjalën tonë.

Nga Dr. Ali Xhuma

Përktheu nga arabishtja: Aorel Senja

© URTESI.AL

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: