Përgojimi

Përgojimi, apo gijbeti, është dukuria e të folurit për dikë kur ai nuk është i pranishëm. Si term, gijbeti ka kuptimin e të përmendurit të turpit, të dobësive e të mangësive të dikujt pas krahëve të tij. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!), pasi është pyetur për këtë, i ka përshkruar kështu gijbetin dhe përmasat e tij: “Përgojimi është përmendja e dikujt me diçka që, nëse ai do ta dëgjonte, nuk do t’i pëlqente. Nëse ajo e metë që ti i vesh atij gjendet vërtet tek ai, thënia përbën përgojim; nëse e meta nuk gjendet tek ai, atëherë thënia është shpifje.”[1]

Surja “Huxhurat”, në ajetin 12, ndalet drejtpërdrejt te përgojimi duke thënë: “Mos përgojoni njëri-tjetrin. Mos vallë ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Nga kjo të keni neveri! E pra, t’ia kini frikën Allahut!” Ky ajet përmend shkatërrimin që sjell përgojimi në shpirtin e njeriut dhe në trupin e shoqërisë. Ai tregon se përgojimi është lëndim i nderit dhe i personalitetit të njeriut, që është si mishi dhe gjaku i tij.

Bediuzzaman Said Nursi e komenton kështu ajetin e lartpërmendur: “Një ajet i vetëm, që në gjashtë mënyra të mrekullueshme, na tregon se sa i urryer është përgojimi; që na sqaron plotësisht se sa i dëmshëm është gijbeti në këndvështrimin e Kuranit, nuk i lë vend nevojës për kurrfarë sqarimi tjetër. E në të vërtetë, pas sqarimit të Kuranit, nuk është i nevojshëm asnjë sqarim tjetër.

Në ajetin “Mos ndonjëri nga ju dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?” (Huxhurat, 12) shfaqen gjashtë shkallë të turpërimit, të të koriturit. Prej përgojimit, gjashtë shkallë përmenden me forcë. Ky ajet, kur u drejtohet atyre që e ushtrojnë personalisht përgojimin, merr kuptim në një formë të ardhme. Kështu, është e ditur: shenja e hemzes në krye të ajetit mbart kuptimin e formës pyetëse (vallë). Ky kuptim i të pyeturit hyn si ujë në të gjitha fjalët e ajetit. Çdo fjalë ka një hukëm të tërthortë.

E pra, së pari, nëpërmjet shenjës së hemzes thotë: vallë, a nuk e keni mendjen, që është vendndodhja e pyetjes dhe e përgjigjes, teksa nuk e kuptoni diçka kaq të shëmtuar? Së dyti, me fjalën “dëshiron”, thotë: vallë, mos ju është prishur zemra, që është vendndodhja e dashurisë dhe e urrejtjes, e dëshirës dhe e neverisë, teksa e dëshironi dhe pëlqeni gjënë më të fëlliqur? Së treti, me fjalën “ndonjëri prej jush” thotë: ç’ka ndodhur me jetën tuaj shoqërore dhe me qytetërimin tuaj, që marrin jetë prej shoqërisë, që arrini të pranoni një vepër të tillë helmuese? Së katërti, me fjalët “të hajë mishin e vëllait të vet…” thotë: ç’u bë me aspektin tuaj njerëzor, që i ngulni kaq përbindshëm dhëmbët shokut tuaj? Së pesti, me fjalën “vëllait”, thotë: a nuk ju ka mbetur asnjë pikë mëshire për njerëzit tuaj, për farefisninë tuaj, që e lëndoni kaq dhunshëm e me tepri përmasën shpirtërore të një të dhunuari që në kaq shumë drejtime është vëllai juaj? Dhe a nuk ju kanë mbetur mend në kokë që një gjymtyrë të trupit tuaj e kafshoni si të luajtur mendsh? Së gjashti, me fjalën “të vdekur” thotë: Ku e keni zemrën? A mos ju është prishur krejt natyrshmëria që, ndaj një vëllait tuaj në gjendjen më të respektueshme e të pacenueshme, bëni një punë kaq të urryer dhe i hani mishin?

Kjo do të thotë se, me shprehjet e këtij ajeti dhe me argumentimet e nxjerra veç e veç prej fjalëve të tij, të folurit keq dhe të përgojuarit e të tjerëve është diçka shumë e ligë në plan të mendjes e të zemrës, të njerëzores e të shpirtërores, të natyrshmërisë e të përkatësisë. E pra, shih se si ky ajet, duke përmendur gjashtë shkallë të paarritshme, ia del të turpërojë më të turpshmen dhe me gjashtë nivele të paarritshme të pengojë rënien në atë hon të tmerrshëm.

Përgojimi është një armë e ulët që shfrytëzohet më së shumti prej atyre që kërkojnë e ushqejnë armiqësi, smirë e urrejtje. Njerëzit shpirtmëdhenj e me vlera nuk bien kurrë aq poshtë sa të kapen pas kësaj arme të fëlliqur e ta vënë në shfrytëzim. Sikurse ka thënë një personalitet i famshëm, “Në vend që ta ndëshkoj armikun tim nëpërmjet përgojimit, më mirë e mbaj lart shpirtin tim dhe nuk e ul veten aq poshtë, sepse përgojimi është armë e të poshtërve dhe e të ulëtëve.”

Përgojimi është ajo që, nëse njeriu që përgojohet do të ishte i pranishëm dhe do të dëgjonte, do të fyhej e do të zemërohej. Nëse thuhet e vërteta, ajo është përgojim. Nëse thuhen gënjeshtra, kjo është edhe përgojim, edhe shpifje. Ky mëkat i shëmtuar bëhet, në këtë mënyrë, i dyfishtë.

Përgojimi, në disa çështje të veçanta, mund të jetë i lejuar (xhaiz):

1. Nëse dikush paraqet përshkrimin e një ankese te një zyrtar, me qëllimin që të përfitojë ndihmë për të shpëtuar nga e keqja e një njeriu të lig dhe të marrë prej tij të drejtën që i takon.

2. Nëse dikush dëshiron të kryejë një punë të përbashkët me dikë dhe për këtë vjen të këshillohet me ty. Në këto rrethana, vetëm për punë, pa qëllim të keq, në mënyrë që t’i japësh hakun këshillimit, mund të thuash: “Mos bëj puno me të, sepse do të dëmtohesh.”

3. Nëse qëllimi nuk është që të poshtërohet e të turpërohet dikush, por thjesht që ai të përshkruhet apo të dallohet, mund të thuhet, për shembull: “Ai burri lypës e i çalë shkoi në filan vend.”

4. Nëse njeriu që përgojohet është një mëkatar i hapur. Pra, dikush që nuk i vjen aspak turp e nuk i skuqet faqja nga ligësia e vet, apo që madje ndihet krenar prej së keqes, që i shijojnë dhuna e mizoria dhe që të gjitha këto i kryen hapur e pa kurrfarë ndrojtjeje. Pikërisht për këto çështje, pa ndonjë qëllim tjetër përveç të drejtës dhe çështjeve të punës, përgojimi mund të jetë i lejuar. Përndryshe, siç e konsumon zjarri drurin, ashtu edhe gijbeti i konsumon e i zhduk të gjitha veprat e mira.

Nëse dikush ka përgojuar dikë apo ka dëgjuar se si përgojohet dikush, duhet të lutet duke thënë: “O Allahu im, më fal mua dhe njeriun që unë kam përgojuar!” Pastaj, kur t’i jepet rasti, duhet t’i thotë atij që ka përgojuar: “Ma bëj hallall!”[2]

“Pjesa më e keqe, më e rëndë dhe më mizore e gijbetit është përgojimi apo shpifja për nderin e njerëzve të dëlirë. Pra, nëse një njeri që ka parë me sytë e tij, por që nuk sjell katër dëshmitarë për të dëshmuar, se një burrë apo një grua ka kryer zina. Kjo është një ndër mëkatet e mëdha më të liga, porsi vrasja më mizore, që e helmon jetën shoqërore të besimtarëve, që i shkatërron jetën dhe lumturinë një vatre familjare.”[3]

Ndërsa fakti se përgojimi bëhet shkak për prishjen e personalitetit, shpjegohet kështu:

“Ti, gjatë ditës, duke qenë zgjuar e syçelë, thua një fjalë të bukur; ndonjëherë në ëndërr ushqehesh me diçka në formën e një molle të bukur e të shijshme. Gjatë ditës thua një fjalë të shëmtuar, gjatë natës gëlltit diçka të hidhur. Nëse përgojon, të ushqejnë me një mish të fëlliqur. Atëherë, fjalët e bukura e të shëmtuara që thua në gjumin e kësaj bote do t’i shijosh si fruta në botën e të zgjuarve, që është bota e Ahiretit. Dhe nuk duhet të mendosh se do të jetë e largët dita që do të ushqehesh me frutat e fjalëve të tua.”[4]

Zakone e sjellje të tjera të këqija, që kanë kuptime të përafërta me gijbetin, shprehen me termat “hemz”, “nemime” dhe “lemz”. I pari i këtyre është hemzi, që gjen vend në titullin e sures 104 të Kuranit (Humeze). Hemzi ka kuptimin e të thumbuarit të dikujt pas krahëve, e të tallurit, të fyerit, të lëndimit të tij. Lemzi është kryerja e të gjitha këtyre në sy të individit në fjalë, në prani të një publiku të gjerë. Ndërsa me nemime kemi të bëjmë kur tjetri ngacmohet e thumbohet me shprehje të tërthorta. Kurani urdhëron që sjellje të tilla të mos ndiqen dhe ata që i kryejnë të mos dëgjohen (Kalem, 10-12). Duhet shtuar, gjithashtu, se përgojimi është një ndër shkeljet e të drejtave të robit.


[1] Muslim, Birr, 70; Tirmidhi, Birr, 23; Darimi, Rikak, 6.

[2] B. S. Nursî, Mektubât, 273-74.

[3] B. S. Nursî, Barla Lâhikası, 267.

[4] B. S. Nursî, Sözler, 581.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: