Padrejtësia më e madhe? T’i gjykosh të gjithë njësoj… ose drejtësia më e madhe? T’i gjykosh të gjithë ndryshe…

Ne si popull kemi një shprehje të urtë që thotë: “Mos i fut të gjithë në një thes”. Mund të duket si një shprehje e thjeshtë në pamje të parë, por mbart kuptim të gjerë brenda saj. Një nga gjërat për të cilat mund të hyjë në punë thesi, është të shërbejë si vend ku futen gjërat të cilat e kanë mbaruar funksionin e tyre dhe nuk shërbejnë më në atë gjendje që janë. Nëse i bëjmë një paralelizëm të thjeshtë me njeriun, thesi është fiks ahireti (bota e përtejme). Njeriu e kryen funksionin e tij në këtë botë dhe pastaj ndërron jetë. Mirëpo problemi qëndron nëse ekziston vetëm një thes apo gjenden thasë të ndryshëm, që e presin njeriun pas largimit nga kjo botë?

Njerëzit të cilët nuk besojnë tek bota e përtejme, për ta ekziston vetëm një thes që është i njëjtë për të gjithë. Për ta thesi i çdo njeriu është vetëm 2 metra hapsirë nën dhe ose për ata që nuk kanë kulturë varrosje në dhe të njeriut, thesi për ata është djegia e trupit. Ndërsa ata që besojnë në botën e përtejme, mendojnë ndryshe. Për ta ka thasë të ndryshëm dhe kjo duket më e logjikshme.

Pse në këtë botë nuk i fusim në burg edhe një kriminel edhe një njeri që bën vepra në dobi të shoqerisë, ose si i themi ne, që bën mirë? Ose pse nuk i lëmë të dy jashtë? Përgjigja është shumë e thjeshtë, apo jo? Sepse do ishte e padrejtë. Personit që kryen krime i tregohet “thesi” ku përfundon. Njerëzit që kapen duke bërë krime në këtë botë, gjykohen dhe vendosen në thesin e caktuar. Kur njerëzit kanë menduar që në këtë botë për të bërë dallimin e njerëzve nga i miri tek i keqi, kanë menduar të tillë thasë, si mund të mendojmë që Allahu që ka krijuar çdo gjë mos ta ketë menduar këtë?

Si mund të vendoset në të njëjtin thes dikush që ka vrarë njerëz me dikë që nuk lëndon dot një mizë të vetme? Si mund të vendoset në një thes të njëjtë njëri që ka vjedhur me dikë, që çdo qindarkë të pasurisë së tij e ka fituar me djersë? Si mund të qëndrojnë në të njëjtin thes një person që bën padrejtesi dhe një person që i bëhet padrejtësi? A nuk është paradoksale? Për këtë arsye është më e logjikshme që të ketë thasë të ndryshëm.

Nëse pas mbarimit të kësaj bote, për njeriun s’do të kishte një botë tjetër ku të merrte frytet e gjërave që ka mbjellë në këtë botë, kjo jetë do ishte e pakuptimtë. Imagjino jeton mesatarisht 80 vite dhe çdokush jeton ndryshe nga njëri tjetri dhe në fund të gjithë kanë të njëjtin përfundim. Gjithë kësaj jete, domethënë gjithë këtyre viteve nuk do t’i mbetej asnjë kuptim. Është njëlloj si provimet që bëjmë në shkollë. Imagjino të vijë profesori në klasë dhe t’u thotë që keni provim, por ky provimi ka një veçori. T’u thotë që sado të shkruani në provim, përsëri të gjithë do të merrni të njëjtën notë në fund. Mësoni sa të doni dhe përgjigjuni sa të dëshironi, përsëri në fund do merrni notën 4. A është e drejtë kjo? Ku shkon mundimi i atyre që kanë mësuar shumë për këtë provim? Edhe sikur të thotë profesori që të gjithë do merrni notën 10, përsëri është padrejtësi. Po ata që s’kanë mësuar fare për këtë provim dhe barazohen në notë me ata që e meritojnë dhjetën? Atëherë çfarë kuptimi do të kishte provimi? Prandaj, që e gjithë kjo jetë të marri kuptim, duhet që në fund të kësaj të ketë perfundime të ndryshme, ashtu siç duhet që edhe provimi në fund të ketë vlerësim sipas punës së nxënësve.

Kjo botë është fiks si një provim për ne. Këtë e tregon shumë qartë ajeti në suren Mulk, ajeti 2, ku thuhet: “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.” Vitet që jetojmë në këtë botë është koha e provimit, kurse vdekja është rënia e ziles për mbarimin e kohës së provimit, dhe në fund llogaridhënia është korrigjimi i provimit.

Allahu në disa ajete përdor disa krahasime ku i flet logjikës sonë, që a janë të barabartë ata të cilët janë pasiv me ata që përpiqen të bëjnë pune të mira në rrugë të Allahut? Gjithashtu thotë, që a është e barabartë gjëja e pisët me atë të pastërtën? A është i barabartë ai që sheh me atë që është i verbër? Ka shumë e shumë krahasime të tilla të përdorura në Kuran, por do të mjaftohemi vetëm me njërin prej tyre, ku Allahu thotë në suren Gafir, ajetin 58: “Nuk janë njësoj i verbiri dhe ai që sheh; as ai që beson e bën vepra të mira nuk është i barabartë me atë që bën keq. Sa pak që mendoni!” Tani na mbetet neve të mendohemi…

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: