Një vështrim i përgjithshëm mbi besimin në jetën e përtejme

Ringjallja 1 

Nga Ali Zaimi

Ajo është e vërtetë aq sa edhe kjo botë është e vërtetë.

Lajmi i parë është sihariq për të gjithë, për besimtarët, për mohuesit, për politeistët e për zullumqarët. Pavarësisht nëse besojnë apo jo, të gjithë njerëzit do të ringjallen pas vdekjes, për të jetuar përjetësisht, dhe kjo si pasqyrim i mëshirës së pafundme të Krijuesit, Rahmanit që ka hedhur krahët e mëshirës mbi gjithçka. Lajmi i dytë është edhe i mirë edhe i keq. I mirë për besimtarët që do të shkojnë në Xhenetet e amshuara të Allahut që si Rrahim (Mëshirëbërës) që është do ti gostisë ata me lumturi të pafundme, dhe i keq për mohuesit, politeistët dhe zullumqarët që do të përballen me dënimin e merituar në jetën e përtejme.

Pas çdo rasti vdekjeje, madje edhe më shumë, ne, me vetëdije ose jo, mendojmë për pasvdekjen. Besimtarët besojnë që ka një jetë tjetër, sikurse kjo jetë e madje më e kompletuar, ndërkohë që ateistët pretendojnë që me vdekjen mbaron gjithçka për njeriun. Po si e shikon besimi Islam çështjen e ringjalljes dhe të jetës së përtejme?

Kreu dhe baza e Islamit është besimi i palëkundur tek Allahu i Madhëruar dhe tek e vërteta hyjnore. Pas besimit në një Zot të vetëm, ajo çka e rregullon jetën dhe e vendos atë në një regjim të caktuar për të siguruar qetësinë kolektive e të përgjithshme të njerëzimit është pikërisht besimi në ringjallje dhe llogaridhënie në jetën pas vdekjes.

Besimi në jetën e përtejme është edukuesi më i mirë i rinisë, është shpresa më e madhe e fëmijëve, e pleqve, e të sëmurëve, është ngushëllimi i të dhunuarve dhe është frenuesi i zullumqarëve, i tiranëve e diktatorëve të mundshëm.

Është gati e pamundur që njeriu që nuk beson se do të japë llogari për ato çka kryen, ta ketë jetën të drejtë. Ndërsa jeta e njeriut që nuk e heq nga mendja se do të dalë një ditë përpara Allahut e do të japë llogari një më një, atëherë çdo hap, çdo fjalë, çdo vepër e çdo sjellje e këtij njeriu do të jetë e shoqëruar me vetëdijen e llogaridhënies, dhe rrjedhimisht e drejtë.  Natyrisht, njeriu do të jetë i tillë në raport edhe me vetëdijen për llogarinë përtej. Besimi se do të shpërblehet një ditë e motivon njeriun e mirë për punë; ideja e ndëshkimit për mëkatet e frenon të riun të jetë dhunues e i shkujdesur; frika e llogaridhënies e frenon njeriun të bëjë keq edhe atje ku askush nuk mund ta shikojë; besimi se do të takohet përsëri në botën tjetër e ngushëllon një fëmijë që ka humbur një të afërm apo një të moshuar që është, si i thonë, me një këmbë në atë botë, etj.

Në terminologjinë Islame Ahireti është jeta e dytë që do të fillojë pas shpërthimit të kiametit dhe do të vazhdojë pafundësisht, ku përfshihen të gjitha ngjarjet dhe etapat e quajtura ringjallja, grumbullimi, llogaridhënia, peshorja, ura, parajsa (xheneti) ose ferri (xhehenemi).

Në fakt, me vdekjen e një njeriu, fillon për të ahireti i tij, i cili vazhdon pafundësisht. Sipas kësaj, ndërsa një pjesë e njerëzve jetojnë dimensionin jetësor të kësaj bote, një pjesë tjetër kanë hyrë dhe ndodhen në dimensionin jetësor të ahiretit.

Në këndvështrimin Islam, jeta pa ringjalljen do të ishte e papërsosur dhe e padrejtë. Vetëm besimi në jetën e përtejme e mundëson perfeksionin përfundimtar dhe u jep përgjigje pyetjeve që aq shumë i preokupojnë mendjet e njerëzve që prej kohësh më të hershme dhe vazhdojnë t’i preokupojnë edhe sot.

Vendbanimi i shpirtit pas ndarjes prej trupit dhe prej botës tokësore quhet berzah, që do të thotë ndërmjetësi, vend ndërmjet botëve. Në jetën e berzahut, shpirtrat trajtohen sipas punëve që kanë bërë në këtë botë, nga ku kuptojnë se ku do të shkojnë pas ringjalljes, vendbanim me trup dhe me shpirt.

Jeta e berzahut vazhdon deri në ardhjen e Ditës së Gjykimit, kur engjëlli Israfil i bie Bririt dhe njerëzit që të gjithë do të ringjallen dhe do të dalin nga varret. Shpirtrat do të bashkohen me trupat, dhe njerëzit do të mblidhen në pritje të Gjyqit Suprem.

Myslimanët besojnë në Ditën e Gjykimit, kur do të vendosen Peshoret, në të cilat do të peshohen veprat e njerëzve: “Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshore të drejta, e askujt nuk i bëhet asnjë padrejtësi” (El Enbija, 21: 47).

Mëkatarët që nuk e besuan Allahun dhe i bënë shok Atij, pas Gjyqit do të çohen në Xhehenem, ku do të zënë shkallë të ndryshme në varësi të peshës së mëkateve. Besimtarët do t’i shpihen në Xhenet, por që të mbërrijnë deri aty, do t’u duhet të kalojnë nëpër Urën (Sirat), që varet mbi greminën, poshtë së cilës ndodhet Xhehenemi e matanë së cilës ndodhet Xheneti. Besimtarët që nuk i kanë bërë shok Allahut, por që kanë kryer mëkate, nuk mund të kalojnë dot nëpër këtë Urë, ata do të bien në Xhehenem, por nuk do të qëndrojnë aty përgjithmonë. Falë zemërmadhësisë së Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit, këta do ta braktisin Xhehenemin dhe pas vuajtjes së dënimit do të hyjnë në Xhenet.

Sipas Kuranit, koha se kur do të bëhet Gjykimi nuk dihet, atë e di vetëm Allahu, sepse një dije e tillë nuk është në fuqinë e krijesave. “Ty të pyesin për kiametin: “Kur do të ndodhë ai?” Po në çfarë gjendje je ti që t’ua përkujtosh atë? Vetëm te Zoti yt është dijenia për të” ( En Naziatë , 42-44).

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: