Në kohën e lirë, djalli na sulmon me shumë lloje dyshimesh, lëkundjesh dhe shqetësimesh, vullneti na bëhet lodër në duart e ndjenjave dhe, në situata të tilla, qëndresa ndaj vaniteteve na pakësohet. Ç’duhet të bëjmë?

Më së pari, përballë intrigave dhe lëkundjeve mbrapshtuese të djallit, përballë zbukurimit që u bën ai gjërave të këqija, ta vëmë ballin në tokë sipas të vërtetës që thotë se “çasti kur robi është më pranë Zotit, është sexhdeja”, dhe të hyjmë nën mbrojtjen e Tij!

Shprehja se djalli na sulmon në kohën e lirë e tregon plotësisht të vërtetën. Me të vërtetë, djalli merret më shumë me njerëzit që rrinë kot, që tregohen joaktivë në çështjet e fesë. Atëherë, edhe ne, duke u nisur nga kjo pikë, të fillojmë nga puna për të shpëtuar nga të ndenjurit kot dhe për të kërkuar rrugët e një qëndrimi aktiv.

Personit i cili e rinon vazhdimisht lidhjen me Zotin e vet me anë të meditimit objektiv dhe subjektiv, djalli nuk gjen dot rrugë për t’i shtënë dyshim e lëkundje.

Edhe njeriun e përkulur më dysh nga lidhja me vdekjen, djalli nuk e gjunjëzon dot me anë të lojërave të veta.

Djalli nuk afrohet dot as në gjoksin burim produktesh hyjnore të njeriut, ndjenjat e të cilit janë ngopur me besimin e mbështetur në fakte evidente.

Shkurt, po qe se ne mbajmë lidhje të vazhdueshme me Zotin tonë, edhe Ai nuk do të na braktisë ne në dorë të djallit që është armiku ynë dhe i Tij. Në librin e Tij, Zoti na thotë: “Mbajeni ju fjalën dhe më rrini besnik mua që edhe unë t’ju rri besnik juve!” (Bakara, 2:40)

Korniza e vullnetit tonë është e ngushtë në mënyrë të papërfillshme. Megjithëkëtë, Zoti e ka bërë vullnetin tonë “kusht elementar” duke i përmbysur të gjitha mashtrimet e djallit.

Duke ua prerë qysh në fillim rrugën gjërave që kërkon të na hedhë brenda vetes djalli dhe egoja jonë, ne bëhemi, në një masë, zotërues të truallit të tyre të luftës. Detyra që na bie neve në këtë mes, është të mos rrimë larg shokëve të mirë. Sepse shoku i mirë, në çdo kohë, me këshillat dhe porositë e tij të dobishme, mund të na zgjojë emocione dhe të na e ngrejë zemrën peshë.

Me botën e tij të brendshme, njeriu është një krijesë që ka nevojë të emocionohet çdo ditë dhe disa herë në ditë. Duke mbajtur parasysh jetën e sahabeve, ne duhet të themi: “Edhe ata muslimanë qenë, edhe ne muslimanë jemi. Si e patën arritur ata atë përsosmëri dhe pse ne nuk mundemi ta arrijmë?”

Duke i ndjerë në të gjithë ndriçimin shfaqjet hyjnore të reflektuara në zemrat tona, ne do të mund të mbetemi jashtë dhe larg dyshimeve dhe lëkundjeve të djallit. Kjo gjendje mund të arrihet disa herë duke dëgjuar bisedën e dikujt, disa herë duke kënduar Kur’an dhe disa herë duke kërkuar nëpër tefsire. Nuk ka ndonjë kufi në formë rinimi, por ne kemi nevojë për këtë të paktën sa për ajrin, ujin dhe bukën.

Sigurisht, dëgjimi i një njeriu që do të na e çonte zemrën peshë, ulja gju më gju me të, kërkimi i këshillave prej tij, të gjitha këto janë nga dinamikat që do të na japin mundësi t’i dëgjojmë edhe një herë Profetin dhe miqtë e tij të ngushtë dhe të na mbajnë në këmbë. Kujdes, kurrë të mos mendoni se i dini këto, se s’do të kishte rëndësi nëse i lexonit apo i dëgjonit edhe një herë tjetër disa gjëra! Sepse kjo është indiferentizëm, vetëmashtrim. Ashtu si përsëritja e nevojës për të ngrënë për shkak të përsëritjes së urisë, edhe jeta jonë moralo-shpirtërore, zemra, ndërgjegjja dhe ndjenjat kanë nevojë për ushqimin përkatës. Ja, pra, duke i menduar tërë këto, gjithmonë duhet ta hedhim veten në prehrin e një udhëzuesi dhe, duke hyrë brenda atmosferës së shenjtë të tij që i shkrin të gjitha të këqijat, duhet të kërkojmë rrugët për rinovimin e vetes. Kjo mund të bëhet disa herë me anë të meditimit, disa herë me anë të leximit dhe disa herë tjetër, me anë të mendimit të vdekjes. Me sa të kemi mundësi t’i bëjmë këto, me aq do të jemi mbrojtur nga djajtë prej njerëzish dhe xhindesh. Në çdo kohë, lutja jonë drejtuar Zotit duhet të jetë që të na mbrojë nga e keqja e egos dhe e djallit, në mënyrë që të mund ta vazhdojmë jetën në serat e mirësisë hyjnore!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: