Nana Lule, 75 vjeçarja që lexon çdo ditë kolosët e mendimit Islam

Nga Ferit Lika

Dua që të vdes në këtë shtëpi ku jam, dhe pas vdekjes sime librat dua të ngelen këtu, t’i mbajë ai që do të jetojë në këtë shtëpi. Kam një dëshirë të madhe që ai person i cili do të jetojë këtu, të jetë mysliman i mirë.

Ajo është 75  vjeç dhe lexon dy-tre libra në ditë. Fëmijët veç, por edhe miq, të afërm, komshinj e kushdo që e njeh, e thërrasin Nana Lule. Ajo është Luleta Kazazi Xibri dhe rrjedh nga një familje e njohur myslimanësh të Tiranës, Kazazët.

Nën peshën e viteve dhe nga kujtesa e largët ajo thërret të gjitha ato kujtime, ndodhi e histori që kanë lënë gjurmë në jetën e saj dhe që kanë gdhendur tek ajo medalionin e mirësisë, dhembshurisë e dashurisë.

Një familje me një histori shekullore që nga koha e sundimit të Perandorisë Osmane, qeverisja e mbretit Zog, regjimit komunist dhe demokracisë. Ajo tregon se si Islami ka qenë i pranishëm vazhdimisht në familjen e saj, se si ajo është luhatur mes dilemave të besimit e pikëpyetjeve që lindnin dhe se si tashmë ajo ua përçon fenë islame të tjerëve.

Rrënjët

“Qysh fëmijë kam pas shkuar nëpër xhamitë e vjetra të Tiranës me gjyshen dhe me hallën time. Ato falnin namaz, në shtëpinë tonë islami praktikohej rregullisht. Unë prejardhjen e kam turke, nga Gaziantepi i Turqisë. Stërgjyshi im ka qenë ushtarak në ushtrinë osmane në Vilajetin e Tetovës. Atij i ka dhënë Zoti djem shumë dhe ai i ka shpërndarë, një në Tiranë, një në Durrës, një në Dibër e një në Shkodër.

Këta të Tiranës dhe Durrësit janë shtuar me djem, kurse ata të Shkodrës dhe Dibrës janë shtuar me vajza, nuk kanë bërë djem, si me i thënë iu ka pre krahu. Gjatë kësaj periudhe Islami në shtëpinë tonë zbatohej rregullisht dhe turqishtja flitej shumë. Mbiemri ynë ka qenë Kaza Ali dhe është transformuar në Kazazi, që domethënë mëndafshpunues. Edhe sot e kësaj dite në Shkodër ka mbetur emri Hani i Ali Kazazit.

Më pas ky djali që ishte vendosur në Tiranë, që ishte babgjyshi im, punoi në Bashkinë e Tiranës, ku mblidhte gjithë taksat, ishte ekonomist dhe kishte miq gjithandej nëpër Shqipëri, fshatra e qytete edhe gjatë kësaj kohe Islami në shtëpinë tonë gufonte.

Babai im, Beqir Kazazi, është martuar dy herë. Gruaja e parë i vdes dhe e lë me katër fëmijë. Martohet me gruan e dytë, me shoqen e gruas së vet, sepse para se të vdiste ajo ia kishte lënë amanet të marrësh vajzën e Abazit këdo që të të japë. Kështu merr vajzën e vogël, Merushen, nënën time nga Lekdushi i Tepelenës. Në fakt origjina e saj e thellë është nga Lezha, kanë qenë myslimanë në Lezhë në kohën e turkut me mbiemrin Alia dhe nga Porta e Lartë kanë marrë titullin Bash. Me nënën time babai ka bërë edhe gjashtë fëmijë të tjerë.

Jemi 10 fëmijë, edhe pse ishte vetëm 19-vjeçe kur erdhi në shtëpinë e Kazazëve, nëna ime gjeti katër fëmijë dhe i mbajti si fëmijët e vet, edhe në këtë kohë Islami përparonte në shtëpinë tonë, gjithashtu flitej edhe turqisht. Pas ardhjes së nënës sime, ajo nuk dinte turqisht, kështu që ata e ndalën përdorimin e turqishtes dhe folën vetëm shqip, bëhet fjalë për vitet ‘41, ‘42.”

Myslimanë tinëz

“Gjatë kohës që isha në gjimnaz, por dhe më e vogël agjëroja dhe shkoja në xhami me gjyshen. Në vitet ‘60 pas mbarimit të shkollës së lartë, fillova punë si infermiere dhe më pas kam bërë edhe 7 vjet shkollë nate për ndihmësmjeke.

Më thanë që të bëhesha komuniste, por unë nuk pranova në asnjë mënyrë. Më kishte thanë baba që jo, se këta (komunistët) s’besojnë në Zot, këta s’kanë atdhe, s’kanë karakter, s’kanë mëshirë, janë kriminela, janë hajdutë. Baba ishte shumë i zgjuar, vetë ishte nacionalist me Zogun.

Komunizmi ka hy që në vitin 1944, pas lufte. Gjatë kësaj kohe e shtypte fenë dalëngadalë dhe në ‘67-ën e zhduku fare. Por edhe këto vite të gjithë myslimanët shqiptarë e praktikonin fenë tinëz. Gjithmonë kam agjëruar. Njëherë ata më kuptuan dhe më çuan te sekretari i partisë. Sekretari më duket ishte mysliman vetë se më tha: – Mos e bëj më herë tjetër se të heqin prej pune e ta japin librezën me vijë të kuqe e nuk hyn në punë as pastruese natën me fshi rrugët. Herën e dytë kur më çuan te shefja e kuadrit me gjithë një shoqen time, Zenepen, por as këtu nuk u dënova për fat. Pas këtyre ndodhive na mblodhi baba dhe na tha: – Se ç’bëhet në shtëpi mos tregoni, thoni nuk dimë gjë, baba e nëna nuk beson, nuk agjëron.

Në 85 vdiq Enveri, vajta te daja dhe i thashë dajë ndodhi ajo, shët më tha shët, mos u ni, se kemi pas shumë frikë. Atë ditë kur vdiq Enveri festuam e hëngrëm gjëra të mira. Daja vdiq rreth tre-katër muaj pas Enverit, nëna u mërzit shumë, dhe në nëntor 1986 vdes edhe ajo.  Gjithmonë e kam pas urryer komunizmin, edhe pas shembjes së tij kam marrë dhe i kam gris të gjithë ato fletëlavdërimet dhe çmimet që kisha marrë gjatë punës sime si infermiere.”

Një familje myslimane strehon hebrenjtë duke i dhënë besën

Nana Lule tregon edhe për besën që familja e saj i ka dhënë një familje hebreje. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, babai i Luletës ka strehuar një çift hebrenjsh. Luleta ka lindur në vitin 1942, pikërisht në kohën kur hebrenjtë përndiqeshin masivisht. “Emrin ma kanë vënë çifutët, se baba ka mbajt çifutë në shtëpi, është bërë edhe një libër tani, ku tregon se si shqiptarët i kanë mbajt dhe se si i kanë mbrojt hebrenjtë në kohën kur askush nuk i hapi dyert”, tregon Luleta.

Gjatë njërës prej periudhave më të zeza të njerëzimit, kur miliona komunitete hebrenjsh, po ndiqeshin kudo rreth Europës, shqiptarët bënë diçka revolucionare duke iu dhënë mbështetje dhe kulm mbi kokë racës hebreje, e cila tanimë po përndiqej nga shumica e qarqeve shtetërore. Dokumentari “Besa”, i realizuar për të dokumentuar këtë akt humanitar ngre pyetjen : Sa njerëz do të hapnin dyert e shtëpisë, të rrezikonin qenësinë e tyre për disa të huaj, të panjohur, edhe këta në rrezik për jetë? “Shqiptarët, natyrisht”, ishte përgjigjja e regjisorëve.

Pjesë e këtij dokumentari është edhe vetë Nana Lule e cila tregon se si ata rrezikuan jetën e tyre duke strehuar komunitetin i cili po ndiqej nga italianët, gjermanët, duke i shndërruar kështu në anëtarë të familjes vetëm për t’i mbrojtur nga gjenocidi i gjithëmbarshëm ndaj tyre.

 Ajo tregon, “mbaj mend një ngjarje që ma ka treguar vite më pas nëna. Njëherë kur kishin ardhur gjermanët për kontroll te puna e babës, se ai punonte furrxhi, ose te shtëpia – nuk më kujtohet mirë, – unë sapo kam pas lerë dhe baba më ka lënë në duart e çifutes, Fatime i thonin, nuk e di si mund ta ketë pas emrin e vërtetë dhe i ka thënë: Është gruaja ime, shiko sapo ka lerë, është lehonë, ndërsa për nënën time, që ka qenë duke punuar, i ka thanë është punëtorja ime, punon në furrë, ndërsa për burrin e çifutes i kishte thënë, ai është katunari që na sjell dru me gomar.”

Nën besë, mysafiri duhet të mbrohet me çdo kusht, në pragun e shtëpisë. Mbi këtë premtim, bazuar mbi islamizmin, shqiptarët dikur ruanin çifutët brenda territorit të tyre, dhe ishin të gatshëm edhe të sakrifikoheshin vetëm që atyre të mos u ndodhte asgjë.

Familja, prehja e shpirtit për së gjalli

Teksa tregon për familjen e saj Nana Lule e përmalluar kujton se i ati ka qenë shumë i dashur e xhymert, ndërsa nëna autoritare, siç thotë ajo. “Baba ishte shumë i butë, ndërsa nëna ishte shumë autoritare, ajo na bënte zap. Kur thoshte ajo do bëhet kjo gjë, ashtu do bëhej nuk thoshte dy herë se pastaj thoshte “azate” (e padëgjueshme-nga toskërishtja) dhe ne e dinim çfarë na priste. Kurse kur vinte baba aty ishte lumturia më e madhe, se ai ishte shumë i butë dhe kur vinte, vinte me torba plot dhe gjithë rrugës i falte gjëra kalamajve, karamele, fruta etj.

Kur ka vdekur baba kalamajtë thoshin ka vdekur ai baba që na ka pas dhënë ide. Këtë gjë e bëj edhe unë tashti kur vij rrugës edhe atyre që janë në gjendje të mirë edhe atyre që janë në gjendje të keqe u jap ç’të kem, si një kujtim që më ka mbetur nga im atë.

Nëna ishte shumë punëtore, punonte në sanatorium si kuzhiniere në vitet ‘62-‘63, i kishte shoqet e rralla, ishte analfabete dhe kur hyri në punë mësoi shkronjat dhe lexonte libra, këtë ia kam marrë nënës se edhe unë kam shumë qejf të lexoj.  Ajo na thoshte mos e ço dakikun dëm, se shih ikën ditët. Ndërsa baba më thoshte kur të dalësh nga puna shkundi mirë xhepat se mos ndonjëra nga shoqet të fut ndonjë gjë në xhep – tani e kam kuptuar që ai po më thoshte mos vidh. Nëna vdiq 63 vjeç, 9 vjet pas babës, ata kishin një diferencë prej 22 vjetësh.”

Nënë Aishja, predikuesja e palodhur e Islamit

Komunizmi kishte bërë të vetën, edhe pse besonte, Luleta Kazazi i ishte larguar praktikimit të fesë. Këtë ajo e tregon e përlotur. “Në vitin 1987, një ditë vajta të nusja e xhajës burrit duke qarë, isha 42 vjeç, kisha tre kalamaj. Ajo më pyeti çfarë ke që qan? I thashë, qaj për nënën. Nuse ti të qash kështu për nënën, ma ktheu ajo, ti ke pas qenë falur që fëmijë, pse s’falesh tani, pse s’lutesh për nënën ti, pasi unë ju përgjigja se i kam harruar të gjitha. Ajo më dha një libër “Ilmihali” të Abdullah Zemblakut, merre lexoje por ma kthe prap se s’është i imi. E mora e lexova dhe aty mësova ritet islame. Atë libër e kam në shpirt, aty mësova Elif Lamin, aty mësova suret e tjera.

Kur e mori vesh vjehrra e gocës time që unë falesha vjen në shtëpi dhe më thotë: Do të sjell një grua që t’ju flasë për fenë, ti mblidh dhe ca goca tjera dhe mbyllni dyert. Kështu mblodha 11 veta, mbyllëm dyert, i thashë burrit kur të vish trokit tre herë se kemi gra brenda, nuk i tregova se çfarë do bënim. Nënë Aishja filloi të këndojë Mevludin e ne ia filluam të qarit nga emocionet që të falte mevludi, pastaj na foli për njësimin e Zotit.

Që nga ajo kohë takime të tilla i kemi bërë deri në 1994 kur ndërroi jetë nënë Aishja. Bashkë me të shkonim në gjithë Shqipërinë dhe u flisnim grave për Islamin. Nënë Aishja është dënuar disa herë me burgim nga regjimi, por ajo edhe atje i kthente gratë në myslimane.

Nënë Aishja ishte shqiptare e Maqedonisë, kishte ardhur qysh fëmijë në Tiranë dhe ishte martuar me një burrë që ishte oficer tek Zogu. Kur iku Zogu, ai nuk e mori me vete gruan se kishte frikë mos mbetesh vetëm në rrugët e Evropës, por ti rrijë në Shqipëri me shpresën se do të kthehej një ditë dhe s’u kthye kurrë më. Fëmijë nuk kishte edhe pse kishte vetëm një vit që ishte martuar ajo nuk u martua më, por ia dedikoi jetën Islamit, predikonte në çdo shtëpi.

Kur e kam takuar unë ishte 75 vjeçe. Ajo na bëri që ne grave që takoheshim me të që t’i dedikoheshim Islamit shumë. Kur erdhi ’90-ta dhe u shemb regjimi vendosa shaminë tamam, se edhe më parë kam pas mbajt tek-tuk, por edhe në këtë kohë burri nuk më lejonte, por unë i thashë do ta vë dhe s’e heq kurrë edhe sikur të më vrasësh.

Në vitin ‘91 filluan njerëzit të shkonin në haxh. Ne nuk kishim mundësi dhe  nënë Aishja u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare pa shkuar në haxh.  Para se të vdiste më dha një peshqir, shami të bardhë dhe më tha: Kur të shkosh në Mekë, se do ta bëjë Zoti mbarë më vonë ty inshallah, po ta lë ty që ta çosh në Mekë për mua, këtë do ta quaj haxhin tim unë.

Kam shkuar në haxh dy herë, herën e parë në 2004 është që është bërë sebepçie një grua të cilën edhe sot e kësaj dite nuk e di kush është, që Zoti e shpërbleftë me xhenet. Ajo më solli një zarf përmes një fëmije të lagjes. Ky çuni i vogël vjen e më thotë: Nana Lule ishte një grua me shami si ty dhe ma la këtë letrën për ty. Ku është i thashë, thirri të vijë brenda. – Jo nënë iku se nuk kam kohë tha. Mesa kuptova më vonë ajo s’kish dashur që unë ta njihja. Ajo kishte futur në zarf 150 mijë lekë (të vjetra), dhe kishte shkruar një letër “shpresoj ke Zoti që këto lekët e mia do të bëhen sebep që ti të shkosh në haxh”. Si more djalë për dy javë unë kam mbledh dy milion e gjysmë lekë. Ia tregova vëllait letrën, ai ua tregoi gocave, motrave, komshinjve, kushërinjve në Kavajë dhe të gjitha ata dërguan lekë dhe shkova në haxh. Në 2010 kam shkuar sërish në haxh për nënën time.”

nana lule (2)

Të lexosh pa u ndalur

Një dëshirë e vullnet për të lexuar dhe për të përhapur islamin siç ekziston te Nana Lule, nuk e gjen shpesh në botën e sotme të modernizuar dhe të “pushtuar” nga teknologjia që ndryshon më shpejt se stinët e vitit. Me krenari ajo thotë: “Doja të bëhesha myslimane, por jo injorante. Kështu fillova të lexoj çdo libër mbi Islamin”.

Sapo merr pensionin, apo kur fëmijët i japin ndonjë të hollë, ajo vrapon për te libraria për të marrë sa më shumë libra e për t’i lexuar ato sapo të mbërrijë në shtëpi.

Nana Lule lexon çdo ditë, në çdo moment që gjen kohën e përshtatshme. “Duke lexuar e duke ia treguar edhe burrit, Metit. “Kurse kur shoh filmin me Shehrezaden, se është film turk, nuk bëjnë punë të pista në televizion, bëj çorape me shtiza, i mbarova dy palë kësaj jave”, tregon me entuziazëm Nana Lule.

“Kam lexuar shumë libra edhe atëherë kur s’kisha i thosha të tjerëve që kishin, ua merrja dhe i lexoja. Kam lexuar në rininë time romanet ruse “Drejt bregut të ri”, “Doni i qetë”, “Mbreti i maleve”, etj.”

Por mbi të gjithë librat që ajo ka lexuar, sigurisht veçon dhe lexon më shumë ato fetar. Në bibliotekën e saj gjen libra voluminoz si: “Udhëtimet drejt lumturisë”, “Melhemet e zemrës”, “Sëmundja dhe Ilaçi”, “Mos u trishto”, “Psikologji islame”, “Legjislacioni i traditës së profetit”, “Fjalor i orientalizmave”, “Fetva bashkëkohore”, “Allah me emrin tënd jetojmë”, “Mjaft me heshtje” – Paul Findley, “Njeriu dhe islami”, “Çështja e Palestinës”,“Historia e Kalifëve”, “Vargu i Profetëve”, të gjitha përkthimet e Kuranit që janë bërë deri më sot.

Në biblotekën e saj gjen të gjithë librat e Amër Halid, Risalet e Said Nursi, të gjithë librat e Kardavit, Fet’hullah Gylenit, Ibën Kajimit, Imam Gazaliut, Seid Kutubit, e një pafundësi autorësh të tjerë.

Ajo tregon për taktikën që ka përdorur për ta futur burrin në Islam, duke lexuar e duke i thënë ma lexo pak se nuk e kuptova. “Qyyyqa, unë jam e trashë, ho me ho lexoje i çikë ti, ma shpjego i çikë se s’mor vesh nga kto gjona, ho me ho se ti je mo i ngeshëm, se unë e kom menjen ke gjella, ai merrte e lexonte dhe thoshte thotë kshtu e kshtu”, tregon ajo.

Libri që ma ka shtuar më shumë Imanin (besimin) – thotë nënë Luleta, është “Njeriu dhe Islami”, i shkruar nga një iranian që e kam marrë që në ’90-ën te xhamia e Kokonozit. “Ai libër fliste kaq bukur për krijimin e njeriut që nga Ademi a.s. e deri në ditët e sotme, ishte kundër padrejtësisë. Ai libër ma ka shtuar besimin edhe më tepër.”

Por Nana Lule nuk është ndalur vetëm me kaq, edhe pse e moshuar ajo ka mësuar edhe arabishten për ta lexuar dhe kuptuar Kuranin në gjuhën në të cilën ka zbritur.  “Qysh në 1996 kam shkuar nëpër shoqata e kurse ku kam mësuar edhe të lexoj Kuran, s’ia fal vetes që s’i hyra anglishtes”, thotë ajo.

Nana Lule kudo që shkon flet për islamin për besimin dhe njësimin e Zotit. Ajo përveçse lexon shumë, blen libra dhe ua fal të tjerëve. Ka edhe nga ata që ia marrin librat për lexim dhe nuk ia kthejnë më, por edhe këtë ajo e ka zgjidhur. Në faqen e parë të librave ajo shkruan: “Lexues i nderuar, të lutem ma kthe librin, e kam blerë me sakrifica”.

Teksa lexon netëve të gjata të dimrit ajo mban dhe vendos shënime, “Shumë e bukur, lexoje sërish”, “Nuk e kuptova”, “Pyet librashitësin”, “Kjo flet për atdheun”, “E thellë”, etj.

Ajo ka punuar vite të tëra si infermiere dhe mban mend emrat e profesorëve, pacientëve, diagnozave, data, vite, etj. Ajo mban mend data e ngjarje historike, tituj e përmbajtje librash pafund.

Kur e pyet se kujt ka dëshirë t’ia lërë trashëgim librat ajo shprehet e qartë: “Dua që të vdes në këtë shtëpi ku jam, dhe pas vdekjes sime librat dua të ngelen këtu, t’i mbajë ai që do të jetojë në këtë shtëpi. Kam një dëshirë të madhe që ai person i cili do të jetojë këtu, të jetë mysliman i mirë.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: