Muaji i shenjtë i Rexhebit

Muaji i shenjtë i Rexhebit

Kalendari hënor përbëhet nga dymbëdhjetë muaj, katër prej të cilëve janë të shenjtë. Muajt e shenjtë quhen si të tillë, sepse edhe në periudhën para Islamit, por edhe më pas, ishte e ndalur lufta dhe derdhja e gjakut në këto katër muaj. Muajt Dhul-Ka’deh, Dhul-Hixheh dhe Muharremi vijnë njëri pas tjetrit, ndërsa muaji Rexheb është i shkëputur prej tyre.

Muaji Rexheb është i 7-ti në kalendarin hënor dhe vjen pas Xhumadal Thani dhe para muajit Shaban. Kuptimi leksikor i fjalës Rexheb tregon rëndësinë, pozitën dhe madhështinë e këtij muaji. Ai emërtohet me disa emra; si Rexheb el-Esam, Rexhebi i heshtur. Sepse në këtë muaj uleshin shpatat e luftës dhe nuk dëgjohej më tingulli i tyre. Është emërtuar edhe si Rexheb el-Esab, muaji i bollëkut, sepse mëshira e Zotit zbret në masa të mëdha përgjatë këtij muaji.

Me urtësinë e Tij Krijuesi dalloi disa nga disa të tjerë

Allahu me urtësinë e Tij të pafundme përzgjodhi dhe dalloi disa profetë, njerëz, vende, muaj dhe kohë mbi disa të tjera. Ai dalloi profetët ndër njerëzit dhe disa profetë mbi disa të tjerë. Po ashtu përzgjodhi disa vende dhe kohë mbi disa të tjera. Zgjodhi Mekën nga të gjithë qytetet dhe Medinën si qytetin e migrimit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s). Gjithashtu, përzgjodhi ditën e xhuma ndër ditët e tjera të javës dhe natën e kadrit ndër të gjitha netët e vitit.

Nga të gjithë muajt, Ramazanin e përzgjodhi si muajin e agjërimit. Ndër dymbëdhjetë muajt, Ai zgjodhi katër si të shenjtë, midis tyre edhe muajin Rexheb. Kështu ne duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi këtyre muajve, duke u munduar t’i shtojmë sa më shumë adhurimet dhe të përpiqemi që të fitojmë kënaqësinë e Krijuesit. Allahu thotë në Kuraan:

“Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!” (Teube, 9/36)

Postime të ngashme

%d bloggers like this: