Mirësia e leximit të Kuranit

Kurani është Libri i shenjtë i cili i zbriti profetit të fundit, Muhamedit, paqja qoftë mbi të, dhe për të cilin Allahu garantoi ekzistimin e tij deri në ditën e fundit të kësaj bote. Kurani është Libër përkujtues, sqarues, shërues, e mëshirues, plot dituri e urtësi. Ai është libri i përsosur.

Leximi i Kuranit është një prej punëve për të cilën vetë Zoti në Kuran ka premtuar shpërblim, kur thotë: “Padyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë.” “Allahu do t’ua plotësojë atyre shpërblimin dhe do t’ua shtojë nga mirësitë e Tij. Me të vërtetë Ai është Falës dhe Falënderues.” (Fatir, 29-30)

Profeti i dërguar për mbarë njerëzimin Muhamedi, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Më i miri prej jush është ai i cili mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve.” dhe “Lexojeni Kuranin, sepse ai Ditën e Gjykimit do të jetë ndërmjetësues për ata që e lexojnë.”

Ndërsa në një tjetër hadith për mirësinë e leximit të Kuranit thuhet: “Kush lexon një germë nga libri i Allahut, ka një mirësi dhe kjo mirësi është sa dhjetëfishi i saj…”  dhe “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për njeriun në Ditën e Gjykimit…”

Prandaj, në këto ditë të bereqetshme e net fisnike, agjëruesi duhet që të lexojë sa më shumë Kuran, sepse leximi i tij gjatë Ramazanit ka një specifikë më të veçantë. Agjëruesi duhet të shfrytëzojë mirësinë e kohës në muajin në të cilin është zbritur Kurani.

Të parët e umetit tonë, gjatë muajit të Ramazanit, lexonin sa më shumë Kuran gjatë namazit por jo vetëm.

Kalifi Osman e përfundonte leximin e Kuranit për çdo ditë. Disa të tjerë gjatë faljes në muajin e Ramazanit e përfundonin atë për tri net, disa të tjerë për shtatë dhe të tjerë për dhjetë net.

Besimtarët në këto net luten: O Zot, bëje Kuranin e Madhërishëm pranverë të zemrave tona, dritë të kraharorëve tanë, kthjelltësi të brengave tona, largim të shqetësime tona, udhërrëfyes për ne te Ti dhe në Xhenetet e begatshme.

Nën tingujt e këndimit të tij, njeriu del nga vetja, për një çast rrok përjetësinë, troket dyert e parajsës, sekinia (qetësia shpirtërore) që Allahu i jep e merr dhe e shëtit në skajet më të largëta të universit e kështu ai sodit me habi dhe ngazëllim krijimin për të kuptuar sadopak madhështinë dhe lavdinë e Krijuesit…

© URTESI.AL

Postime të ngashme

%d bloggers like this: