Lutjet e Kuranit (1)

Lutja është një nga adhurimet më të rëndësishme në Islam, madje ajo është konsideruar si thelbi i adhurimit. Lutja është thelbi i adhurimit, sepse lutësi shpreh qartazi nevojën, përuljen e tij ndaj Krijuesit dhe e di se Ai është i vetmi që ka mundësi t’ia plotësojë kërkesat atij. Nëpër tekstet fetare ekziston një nxitje e qartë për t’u lutur, madje e kundërta e kësaj, gjendja e të mos luturit, konsiderohet një gjendje jo e mirë. I Dërguari i Allahut (s.a.s) ka thënë në një hadith: “Allahu zemërohet me atë që nuk i lutet Atij”.

Në këtë shkrim do të cekim shkurtimisht lutjen e babait të njerëzimit, Ademit (a.s). Siç e dimë, ai ishte vendosur në Xhenet bashkë me bashkëshorten e tij Havanë. Allahu u kishte dhënë shumë të mira dhe u kishte lejuar të hapin e të pinin nga çdo gjë, por vetëm të mos i afroheshin pemës së ndaluar. Iblisi i mallkuar ia doli që t’i devijonte ata të dy dhe kështu Ademi dhe Havaja hëngrën nga pema e ndaluar. Kështu, ata e thyen urdhrin e Allahut, pavarësisht të gjitha mirësive që Ai u kishte dhënë. A nuk ngjan gjendja e babait tonë me atë të gjithsecilit prej nesh? Edhe ne, pavarësisht se jemi të mbuluar nga mirësitë e Allahut, vijojmë t’i shkelim kufijtë që na ka vendosur. Si u pendua Ademi (a.s) dhe si mund të pendohemi të gjithë ne, pavarësisht se jemi të prirë të bëjmë gabime?

Ademi bashkë me bashkëshorten e tij u zbritën në Tokë. Allahu u shpalli se Shejtani do të ishte armiku i tyre i përbetuar, kështu që duhet të ishin të kujdesshëm ndaj cytjeve të tij. Ndjenja e fajit te Ademi (a.s) ishte vërtet e madhe dhe ai dëshironte rrugën e pendimit. Por, si të pendohej? Kush do ta mësonte si të lutej? Ishte Allahu Ai që e mësoi Ademin (a.s) dhe Havanë se si t’i luteshin Atij. Kjo është mëshira e Zotit të Gjithësisë. Edhe pse njeriu mëkaton ndaj Tij, Ai sërish ia tregon rrugën e kthimit tek Ai dhe rrugën e pastrimit nga e keqja. Kjo tregohet kështu në Kuran: “Ademi mori (mësoi) disa fjalë nga Zoti i tij dhe Ai ia pranoi pendimin. Pa dyshim, Ai është pranues i pendimit dhe mëshirues i madh”.

Cilat ishin fjalët që Allahu ia mësoi Ademit (a.s) dhe si mund t’i komentojmë shkurtimisht këto fjalë? Këto fjalë gjenden në suren Araf, ku thuhet: “O Zoti ynë, ne i bëmë padrejtësi vetëve tona, nëse Ti nuk na fal dhe mëshiron, sigurisht që do të jemi prej të humburve”!

Lutja fillon me frazën “O Zoti ynë”, e cila ka një kuptim shumë të rëndësishëm. Me anë të kësaj fraze njeriu pohon gjendjen e tij para Zotit, ai është rob, ndërsa Allahu, Zoti i tij. Ai shfaq haptazi nevojën që ka për Të dhe vërteton se vetëm Ai ka mundësi t’i pranojë lutjet. Më pas vijon: “I bëmë padrejtësi vetëve tona”. Këtu shprehet qartë pranimi i gabimit, marrja e përgjegjësisë dhe afirmimi i natyrës njerëzore. Ndryshe nga Iblisi i cili nuk pranoi të pendohej e të përulej, por u tregua mendjemadh e akuzues ndaj Allahut, Ademi dhe bashkëshortja e tij morën përsipër përgjegjësinë e mëkatit dhe kërkuan falje për të. Njeriu duhet ta drejtojë gishtin gjithnjë nga vetja për gabimet e tij dhe jo të çohet e të kërkojë për dikë që ta akuzojë e t’ia hedhë fajin e tij përsipër.

Dy fjalët e tjera që përmenden në ajet janë “Rahme” dhe “Magfirah”, që në shqip përkthehen si mëshira dhe falja. Ademi i kërkoi të dyja këto, edhe pse ato në dukje janë dy cilësi të njëjta. Nëse njeriu kërkon vetëm faljen e Allahut, kjo do të thotë se mëkatet e tij mund të falen, pra ai mund të pastrohet sërish. Kjo i ngjan gjendjes së një personi, i cili gjendet i zhytur në borxhe dhe atij i falet borxhi. Edhe pse borxhi i falet, gjendja e pasurisë së tij aktuale është sërish zero dhe nuk mund të thuhet se ai është në gjendje të mirë. Në situatë të ngjashme është edhe njeriu të cilit i janë falur mëkatet, por ai nuk ka asnjë vepër të mirë. Për këtë arsye ai ka nevojë për cilësinë e mëshirës, e cila do t’ia mundësojë të bëjë punë të mira, të cilat do të jenë të pranuara nga ana e Allahut të Madhëruar.

Njeriu duhet t’i lutet Allahut sa më shumë me lutjet e Kuranit, sepse ato janë lutjet më të mira. Nëpërmjet tyre shprehet qartë madhështia e Krijuesit të Gjithësisë, vihen në pah cilësitë e Tij të faljes e mëshirës dhe njeriu shpreh me fjalët më të sinqerta gjendjen e tij para Zotit.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: