Lumturia që të jep besimi në Zot

Si në planin individual ashtu dhe në planin shoqëror, shkaku më i parë e më i rëndësishëm që qëndron nën të gjitha vuajtjet, padrejtësitë, shfrytëzimet, shpërdorimet, grindjet dhe luftërat, mosmarrëveshjet, konfliktet dhe përleshjet që u nënshtrohet tërë njerëzimi, është fakti se Allahu nuk njihet si duhet, nuk njihet e nuk duhet dhe se nuk njihet shija shpirtërore e dashurisë për Të. Shija pa dhimbje rrjedh nga besimi. Prandaj njerëzimi ka nevojë më shumë se kurrë ta njohë Allahun, ta besojë Atë, ta zbulojë sërishmi se ç’është ky besim, ta ndjejë dhe provojë këtë besim.

Vetëm me anë të këtij besimi është e mundur që njeriu të mund ta kuptojë si qenien e vet, ashtu dhe përbërjen dhe synimin e botës ku jeton. Nisur nga kjo, do të përpiqemi që vlerën që shpreh besimi te Allahu për njeriun, ta përmbledhim në disa pika.

Ky besim, para së gjithash, siguron që njeriu të bëhet një qenie e drejtë dhe e virtytshme. Personi që i beson Allahut, meqë beson se suksesi dhe shpëtimi do të jenë të mundur vetëm me anë të mësimeve të mirësisë dhe bukurisë që ia ka bërë të ditura Ai, kapet pas këtyre si parime dhe përpiqet që jetën ta vazhdojë gjithnjë në këtë vijë. Sa për mohuesit, meqë nuk besojnë në ekzistencën e asnjë qenieje të lartë të cilës t’i drejtohen dhe para të cilës të mbajnë përgjegjësi, veç vetes, i vlerësojnë të mirën e të keqen vetëm sipas nefsit dhe interesit të vet. Kështu, nuk shohin ndonjë pengesë për të plotësuar çdo dëshirë e për të bërë çdolloj teprimi pa bërë dallim mes drejtësisë dhe padrejtësisë, hallallit dhe haramit. Sepse zoti i tyre janë dëshirat dhe kërkesat e tyre!

Duke shtresuar tek njeriu besimin në vetvete, ndjenjat e thjeshtësisë dhe përulësisë, ky besim e mban njeriun larg nga krenaria dhe mendjemadhësia që marrin nëpër këmbë qetësinë dhe bashkëjetesën e njerëzimit. Ai që i ka besuar siç duhet Allahut, kurrë nuk bëhet krenar dhe mendjemadh. Sepse ai e di se çdo gjë që ka, përfshirë edhe aftësitë, i përkasin Allahut, se Allahu ka mundësi ta marrë prapë çdo gjë që e ka dhënë. Kurse mohuesit, ngaqë mendojnë se çdo gjë që e shohin si pronë të vetën, është drejtpërdrejt vepër e forcave dhe aftësive të veta, nuk munden të gjejnë asnjë autoritet për ta falenderuar. Ata shohin vetëm veten, e ngrenë lart vetëm veten, gjë që u vë dinamitin ndjenjave të dashurisë dhe respektit për të cilat ka nevojë njerëzimi për të bashkëjetuar.

Në sajë të këtij besimi njeriu sheh dhe kupton se, pavarësisht nga çdo gjë, jeta është e mbushur plot me bukuri dhe gëzime dhe se nuk humbet asgjë prej vlerave të saj. Njeriu që beson, duke menduar se edhe nën ngjarje të hidhura të jetës, si vdekjet, fatkeqësitë, sëmundjet, dhimbjet e dëshpërimet, funksionon një dorë urtësie dhe dhembshurie, nuk mbytet në dhimbje e vuajtje. Duke kujtuar se tek ato ngjarje ka mësime që duhen marrë, vazhdon në rrugën e vet. Sepse duke menduar se asgjë në gjithësi nuk vepron spontanisht e pa qëllim, u vë gjoksin me durim fatkeqësive që i bien sipër; gjithashtu, duke menduar se Allahu nuk i ngarkon njeriut barrën që s’mund ta mbajë dhe se njeriu vihet në një provë pas së cilës ka një shpërblim moralo-shpirtëror, i pret ngjarjet me durim e qëndresë. Duke menduar se, sado të shqetësuar ta ketë botën e vet, para i ndodhet një jetë ku lulet nuk vyshken, ku diejt nuk perëndojnë, ku nuk ka më dhimbje e vuajtje, njeriu mund t’i harrojë në çast të gjitha dhimbjet. Kurse ai që s’ka besim, vjen një çast që duke mos i bërë dot ballë edhe një fatkeqësie të vogël, mund të tentojë të vrasë veten!

Njeriu që e sheh ekzistencën nga dritarja e besimit, e sheh gjithësinë si një ekspozitë hyjnore ku janë shtruar veprat e Krijuesit të Lartë, kurse veten, si një nëpunës i ngarkuar me detyrën që të shqyrtojë ato vepra arti të përsosura, secila prej të cilave është një mrekulli, dhe nga çdo gjë që sodit, merr një shije moralo-shpirtërore. Me qeniet të cilat, po të shihen nga dritarja e mosbesimit, duken, secila, të huaja dhe armiqësore, ai ngre lidhje si rrjedhojë e Zotit të tyre dhe, kështu, gjen mundësinë për ta shndërruar ndjenjën e të huajit ndaj tyre në një lloj miqësie. E thënë ndryshe, njeriu që beson, ngaqë, si rrjedhojë e Krijuesit, mundet ta shohë çdo krijesë me dashuri dhe miqësi, merr kënaqësi nga jeta e jetuar bashkërisht me ta!

 

Shkurt, besimi te Allahu është pikëmbështetja më e madhe për njeriun, i cili i ka nevojat të pafundme, kurse kapitalin, po aq të pakët, armiqtë, të panumërt, kurse fuqinë tejet të kufizuar, kërkesat, të pafundme, kurse dorën, po aq të shkurtër! Ja, pra, që qenia me emrin njeri, të mund t’i përballojë këto nevoja, të dalë fitues mbi armiq të panumërt dhe të shpëtojë nga frika dhe dyshimet, duhet të lidhet dhe mbështetet patjetër pas një fuqie të lartë me fuqi dhe pasuri të pafundme që është Allahu!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: