Libri ynë, Kur’ani

Nga Ali Zaimi

Kurani është manuali më i mrekullueshëm i mesazheve dhe ligjeve hyjnore. Ai është kodi që zgjidh enigmën e jetës, është çelësi i të vërtetave që qëndron pas rrjedhës së ngjarjeve, është fund e krye ekspozitë e të vërtetave. Ai është një burim drite që i bën dritë zemrave dhe shpirtrave; mendjes dhe shkencave; materies dhe përtej saj; është harta e shenjtë e botëve të përtejme. Kurani është drita dhe themeli i botës shpirtërore dhe intelektuale të Islamit; është treguesi i rrugës më të ndriçuar drejt lumturisë, është burim drite i bashkësive më të shkëlqyera të shoqërisë njerëzore; është fryma dhe zëri i botës shpirtërore. Kurani është Fjala e mrekullueshme e Allahut që iu shpall Profetit Muhamed (a.s.).

Kurani është një libër urtësie e drejtësie, libër lutjeje e adhurimi, libër urdhri e thirrjeje, libër mendimi e meditimi, është burim për të gjithë librat që i vlejnë njerëzimit. Ai është libri që urdhëron drejtësinë e vërtetë, lirinë, barazinë e drejtpeshuar, dobinë, nderin, virtytin, dhembshurinë ndaj të gjitha qenieve. Ai ndalon hapur dhunën, politeizmin, padrejtësinë, injorancën, kamatën, gënjeshtrën, dëshminë e rreme… Profeti ka deklaruar se Kurani ishte mrekullia e përjetshme e profetësisë së tij.

Kur’ani është fjalë hyjnore e zbritur Profetit Muhamed alejhi selam për 23 vjet me rrugën e vahjit, e memorizuar dhe shkruar në libra, e përcjellë me miratim të gjerë, këndimi i të cilit përbën adhurim. Të gjitha ajetet që përmbahen në Kur’an, i përkasin Allahut, janë fjalë e Tij. Në Kur’an nuk përmbahen fjalë të Profetit apo të dikujt tjetër.

Kurani është fjala e Allahut plot urtësi me cilësinë e Tij, Krijuesi i të gjithë botëve i zbritur nga gjithpërfshirja e “emrit më të madh.” Ai është një koleksion i mesazheve hyjnore që shpjegon Madhështinë e Hyjnisë dhe i mesazheve më të përsosura i dërguar si mëshirë në horizontin njerëzor.

Kurani është burimi kryesor i predikimit fetar të Islamit, i normave të tij morale, etike dhe juridike. Teksti i këtij Libri hyjnor në arabisht është i përsosur dhe konsiderohet si Fjala e Zotit e mirëfilltë dhe e plotë, e pa përsëritshme, si në formë ashtu dhe në përmbajtje. Çdo fjalë e Kuranit është në përputhje të plotë me atë, që gjendet e shkruar në Visarin e Ruajtur (Levh-I Mahfudh) në Arketipin Qiellor të Shkrimeve të Shenjta, ku ruhen njoftime për gjithçka që ndodh në Gjithësi. Allahu e vuri tekstin e Kuranit në gojën e Muhamedit përmes Shpalljes së Vërtetë Hyjnore. Dijetarët myslimanë shquajnë shtatë mënyra të zbritjes së Shpalljeve:

  1. Shpallja përmes shikimit të ëndrrave të vërteta. Ëndrra të vërteta iu shfaqën Profetit Muhamed edhe përpara Profetësisë dhe vazhduan t’i shfaqeshin gjatë gjithë jetës.
  2. Çuarja në vetëdije e Shpalljes përmes shfaqjes së engjëllit. Kryeengjëlli Xhebrail ia çoi në vetëdije Muhamedit ajetet e Kuranit, kurse Profeti a.s i memorizoi ato që iu thanë dhe u vetëdijesua lidhur me kuptimin e tyre të thellë.
  3. Shfaqja e engjëllit në pamjen e njeriut. Dëshmitarë të kësaj forme të Shpalljes, si zbritje nga lart, kanë qenë, në ndonjë rast, edhe sahabët më të afërt të Muhamedit.
  4. Shfaqja e engjëllit të patrupëzuar, të shoqëruar prej tingujsh që të kujtojnë kambanat. Është forma më e rëndë e zbritjes së Shpalljes, në ato minuta fytyra e Profetit mbulohej nga djersët.
  5. Shfaqja e Kryeengjëllit Xhebrail në pamjen e tij të vërtetë. Nga tekstet e Kurnit mësojmë se një Shpallje e tillë i ka ndodhur Muhamedit a.s dy herë. Për këtë bëhet fjalë në suren 53 En Nexhm (“Ylli”), ajetet 5-15.
  6. Përçimi i Shpalljes në vetëdije të Muhamedit drejtpërdrejt prej Allahut, pa ndërmjetësimin e engjëllit. Është bërë zakon të thuhet se me këtë rrugë u parashtruan si detyrim pesë namazet, që duhet të kryhen çdo ditë nga besimtarët myslimanë.
  7. Bisedimi me Allahun pa ndërmjetës. Muhamedi a.s ka biseduar me Allahun edhe pa ndërmjetës, tek ndodhej prapa perdes që e mbronte nga drita, në kohën e ngjitjes lart në qiell (miraxhi).

Në Kur’an ka shumë sure (surerë) dhe ajete.

Sure (sure): Eshtë emërtimi i secilës pjesë të Kur’anit. Për nga tematika dhe kuptimi, sureja përbëhet prej ajetesh që janë vazhdim i njëri-tjetrit. Në Kur’an ka gjithsej 114 sure të shkurtra apo të gjata.

Ajet: Çdo fjali e sures quhet ajet, ku disa ajete janë të gjatë e, disa më të shkurtër.

Profeti ynë, ajetet e Kur’anit që ia sillte Xhebraili (a.s.), i mësonte vetë përmendësh, edhe ua bënte të ditura, pa humbur kohë, myslimanëve, shumica e të cilëve, gjithashtu, i mësonin përmendësh. Ajetet që i vinin, Profeti ua jepte menjëherë për t’i shkruar myslimanëve që kishin shkrim të bukur, të cilët u quajtën “katipët e zbulesës”. Kështu, ajetet e Kur’anit u ruajtën në po atë formë që i erdhën Profetit. Në këtë mënyrë Kur’ani ka ardhur gjer në ditët tona pa pësuar asnjë ndryshim! Në ajetin e 9 të sureut el-Hixhr të Kur’anit, Allahu siguron ruajtjen e autenticitetit të Kur’anit: “Pa dyshim, Ne e kemi zbritur Dhikrin (Kur’anin) dhe, pa dyshim, Ne do ta mbrojmë atë!”

Dhe 14 shekujt që pasuan, e vërtetuan premtimin e Zotit. Po kështu, Kur’ani do të arrijë gjer në kiamet pa iu ndryshuar edhe një shkronjë e vetme! Kur’ani përbëhet prej rreth 600 faqesh.

Këndimi i Kur’anit është adhurim, sevap e mirësi. Prandaj myslimanët e këndojnë Kur’anin dhe e dëgjojnë me respekt kur e këndojnë të tjerët. Disa myslimanë të kohës së Profetit e patën mësuar Kur’anin përmendësh. Kjo traditë ka ardhur gjer në ditët tona. Gjatë gjithë historisë, me qindra mijëra vetë e kanë mësuar Kur’anin përmendësh, gjë që vazhdon edhe sot. Atyre që e mësojnë Kur’anin plotësisht përmendësh, u thonë “hafizë”.

Mbledhja kanonike në libër e Kur’anit

Kurani i Shenjtë iu zbrit Muhamedit pjesë-pjesë gjatë rreth 23 vjetëve. Zbritja e tij filloi në vitin 610 e përfundoi në vitin 632. Fillimisht sahabët (shokët e Profetit) shkruanin vullnetarisht ajetet që vinin, më pas vetë i Dërguari i Allahut i urdhëroi ata që ta shkruanin shpalljen e radhës fill pas zbritjes së saj. Në kohën kur Profeti Muhamed ishte në jetë, ajetet i regjistronin në gjethet e palmës së fikut, në pafta guri, në copa lëkure, në eshtrën e shpatullës së deveve e të tjera. Profeti u bënte shkruesve vërejtjet e nevojshme se ku duhej futur ajeti i sapo zbritur. Që të gjitha ajetet e Kuranit kanë qenë të regjistruara me shkrim që kur ishte gjallë vetë Profeti, por jot ë mbledhura sëbashku në një libër të vetëm.

Pas vdekjes së Profetit, u bë e qartë se me kalimin e kohës numri i memorizuesve të Kuranit mund të vinte duke u pakësuar, kishte rrezik që të gjendeshin përpara faktit të humbjes së plotë apo të pjesshme të tekstit të tij. Omer bin Hatabi, që u ndërgjegjësua lidhur me këtë më përpara se të gjithë të tjerët, e bindi kalifin e parë Ebu Bekrin për nevojën e hartimit të një teksti të vetëm, të miratuar prej të gjithë njohësve të Kuranit. Ebu Bekri e mbështeti nismën e Omer bin Hatabit dhe ngarkoi Zejd bin Thabitin që t’i mblidhte regjistrimet e Kuranit nga të gjithë banorët e Medinës, t’i rendiste dhe t’i shtjellonte suret dhe ajetet në atë radhë, që ato ua kishte bërë të ditura sahabëve të tij më të afërt me gojën e tij vetë Profeti, pas kësaj ta ballafaqonte tekstin me ato regjistrime, që i zotëronin dijetarët e tjerë myslimanë. Për ta bërë këtë, atij iu desh një vit punë. Pas këtij afati, teksti i krahasuar, i plotësuar dhe i saktësuar iu paraqit kalifit, Ebu Bekrit. Kështu, Kur’ani u mblodh me një kujdes dhe korrektësi të madhe dhe u bë libër.

Qëllimi dhe disa vecori të Kur’anit

Një analizë e thjeshtë do të mjaftonte për të nxjerrë në shesh se, nga ana e gjuhës dhe e shprehjes, Kur’ani nuk i përngjet asnjë libri. Veçanërisht, edhe nga stili, kuptimi dhe përmbajtja, Kur’ani është i pashembullt e i pashoq. Në këto kushte, ose Kur’ani zë një vend nën të gjithë librat e shkruar gjer tani – gjë që as djalli nuk e pretendon dot – ose zë një vend mbi çdo libër tjetër. Atëherë, Kur’ani nuk është fjalë njeriu, por Fjala e Zotit të Botëve.

Qëllimi kryesor i zbritjes së Kuranit ka qenë përçimi i porosisë dërguar njerëzve që të mësojnë të vërtetën e Fesë Islame, përmes kësaj të vërtete të arrihet pastrimi moral dhe përsosja shpirtërore, për çka njerëzit kanë një prirje të natyrshme. Porositë dhe rekomandimet që jepen në Kuran përbëjnë bazën e patundur të Islamit, kurse vlerat morale dhe etike të përçuara në të në vazhdim të shumë shekujve janë përcaktuese të sjelljes, të mënyrës së të menduarit dhe të jetuarit të myslimanëve, ato vlera përcaktojnë veprimet e besimtarëve sipas rastit, në kushtet e ndryshme jetësore, në të cilat ata ndodhen

Si një udhërrëfyes drejt të vërtetave, ai ka katër pikësynime kryesore: Të argumentojë dhe demonstrojë ekzistencën dhe njësinë e Allahut; të argumentojë dhe tregojë profetësinë; të njoftojë dhe shpjegojë për ringjalljen dhe botën tjetër (ahiretin); të përhapë adhurimin ndaj Allahut e të hedhë themelet bazë të drejtësisë.

Pavarësisht nga tentativat që s’reshtën kurrë për ta tjetërsuar atë, me gjithë intrigat dhe sulmet për ta bllokuar atë, Kurani, duke depërtuar përtej çdo kohe dhe hapësire, ruan me dinjitet freskinë e parë. Mjafton një vështrim sipërfaqësor mbi shoqërinë për të konstatuar se jeta më e rregullt për njeriun është jeta ku merr frymë Kurani. Një sërë arritjesh, vlerash e bukurish të qytetërimit të sotëm, që vlerësohen e duartrokiten në të katër anët e botës, janë po ato gjëra që Kurani i pati inkurajuar shekuj më parë.

Kur’ani është thelbi I jetës. Jeta e njeriut bëhet e dobishme, e mbarë dhe e bekuar me aq sa njeriu e bën Kur’anin parim të jetës. Jeta larg Kur’anit nuk ka begati, s’ka mbarësi. Në bashkësitë që jetojnë larg tij ka thashetheme, konflikt, anarki e grindje.

A është shkruar, gjer më sot, vallë, një libër i cili t’i përshtatet njeriut të çdo shtrese, moshe e niveli, qoftë ai me shkollë fillore, universitar, mendimtar, njeri i thjeshtë, fizikan, kimist apo çoban, dhe nga i cili të kuptojë e përfitojë kushdo? Kur’ani është libri i vetëm që shfaqet në çdo vend gjer në fshatrat dhe skajet më të vetmuara me komunikacionin më të vështirë, që shpërndan dritë si diell, të cilin e lexojnë duke përfituar prej tij dhe te i cili gjejnë parime e zgjidhje për rrugën dhe profesionin, shërim për hallet dhe shkëlqim për idetë e tyre poeti, muzikani, oratori, sociologu, ekonomisti, juristi, administratori, politikani, edukatori, nxënësi, anëtari i rrugës së zikrit e meditimit e cdo kush tjetër që e has atë.

Profeti Muhamed a.s porosit se: “Më i dobishmi prej jush është ai që e mëson Kur’anin dhe ua mëson atë të tjerëve.” Ne duhet të dimë se detyrën ndaj Kuranit nuk mund ta përmbushim duke e mbështjellë bukur apo vendosur si dekor në shtëpi e makinë, por duke u përpjekur ta kuptojë, ta dizenjojmë jetën sipas Kur’anit e ndërkohë ti ftojmë edhe të tjerët të përfitojnë prej tij, t’ua mësojmë edhe atyre.

Në saje të Kuranit, njeriu është ngjitur në pozitën e bashkëbiseduesit me Allahun. Në atmosferën magjepsëse të Tij njeriu vëzhgon me ëndje hapat e krijimit, bashkëbisedon me Profetët, rrok mentalitete të ndryshme, analizon ngjashmëritë, ndasitë, veset, vlerat dhe veçoritë e popujve të kaluar. Nën tingujt e këndimit të tij, njeriu del nga vetja, për një çast rrok përjetësinë, troket dyert e parajsës, sekinia (qetësia shpirtërore) që Allahu i jep e merr dhe e shëtit në skajet më të largëta të universit e kështu ai sodit me habi dhe ngazëllim krijimin për të kuptuar sadopak madhështinë dhe lavdinë e Krijuesit…

Edhe armiqtë më të betuar të Kuranit shkonin fshehurazi përreth shtëpisë së Profetit me dëshirën për të dëgjuar Kuran. Në Kuran thuhet se edhe xhindet u mahnitën ndërsa dëgjonin këtë ligjëratë hyjnore nga goja e Profetit (a.s.). (Xhin 72/1)

Por, që ta njohësh e kuptosh Kuranin në mënyrë të atillë që të kënaqë mendjen dhe zemrën, duhet të kesh një dëlirësi shpirtërore që të mund t’i dallosh të gjitha bukuritë e gjithësisë në një lule, që të mund ta vëzhgosh furtunën në një pikë ujë. Ai është udhëzues për të devotshmit (Bekare, 2/2), të ofron dritë hyjnore në frekuenca të ndryshme që të mbush sytë dhe zemrën. Kurani është një mrekulli e gjerë dhe e pasur që i kapërcen të gjitha hapësirat dhe kohët dhe u jep përgjigje nevojave të të gjithë njerëzimit nga besimi gjer te rregulli më i thjeshtë i edukatës.

Ndonjëherë, duke përdorur metodën e analogjisë dhe shëmbëllimit Kurani na shpjegon njësinë e Allahut, njëkohësisht argumenton edhe ringjalljen, sikurse shpjegohet në ajetet:

“A nuk po e shohin se Allahu që i ka krijuar qiejt dhe tokën dhe nuk është lodhur në krijimin e tyre, ka mundësi edhe t’i ringjallë të vdekurit? Sigurisht! Ai ka mundësi për çdo gjë!” (Ahkaf, 46/33)

“Nga argumentet e Tij është edhe toka që ti e sheh të thatë, të plasaritur e të tkurrur. Por kur lëshojmë shi mbi të, ajo fillon të dridhet e të fryhet. Allahu që e ringjall atë, pa dyshim që i ringjall edhe të vdekurit! Ai ka mundësi për çdo gjë (Allahu ka fuqi të bëjë çdo gjë)!” (Fussilet, 41/39)

Tokën, Kurani e sheh si djepin e bashkimit njerëzor. Ai synon të bashkojë të gjitha racat, ngjyrat dhe besimet duke i konsideruar të gjithë adhuruesit e një Zoti të Vetëm si vëllezër.

“O ju njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju sollëm në fise e popuj që të njiheni. Më i nderuari prej jush është ai që është më i devotshëm përpara Allahut.” (Huxhurat, 49/13)

Për sa i përket normave, vlerave dhe moralit të mirë Kurani është i kthjellët, duke mos lënë shteg për paqartësi se çka është e drejtë e çka jo. Vetëm në suren Isra, ajetet 12-39, Kurani na sjell një sërë urdhëresash që strukturojnë jetën tonë në një ekuilibër të përkryer. Disa nga këto urdhëresa janë: Bëhuni shërbëtorë të Allahut dhe të askujt tjetër. Trajtojini mirë prindërit. Jepuni të drejtën që i takon të afërmve, të varfërve dhe udhëtarëve. Mos ji koprrac e as dorëlëshuar. Mos i vritni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë. Mbaji premtimet. Ki kujdes masën dhe peshën në tregti. Shmangu nga mburrja dhe mendjemadhësia, etj.

Për sa i përket këndvështrimit ndaj njerëzve të tjerë Kurani na këshillon të ndjekim rrugën e paqes dhe mëshirës. Ai dekreton se besimtarët janë vëllezër. (Huxhurat, 49/10) Në suren Hashr, ajeti 10, ai na mëson të lutemi: “Zoti ynë! Na fal ne dhe vëllezërit tanë që na kanë udhëhequr në besim e mos lër në zemrën tonë as një grimcë urrejtjeje për ata që besojnë. Zoti ynë! Ti je Falës, Mëshirues.”

Kurani shërben si burim për mijëra të vërteta shkencore që janë zbuluar e vazhdojnë të zbulohen. Në këtë drejtim janë kryer qindra studime dhe janë konstatuar mijëra lajme mbi shkencën. Gjithsesi themelore është njohja e Zotit. Kështu, shumë tema shkencore e teknike si rrumbullakësia dhe rrotullimi i tokës, forma e shtypur e poleve, atomet dhe gjurmët e gishtave, krijimi i njeriut dhe fazat që kalon njeriu në barkun e nënës, formimi i shiut, i reve, zgjerimi i universit, transmetimi i zërit dhe pamjeve etj., të cilat preken ose për të cilat aludohet shumë shkurt në Kuran në kuadër të synimeve themelore si njohja e Zotit, profetësia, ringjallja dhe adhurimet kanë zënë vend mjaftueshëm, pa e cenuar mrekullinë e Kuranit.

Gjithashtu, Kurani është një mjet shërimi shpirtëror (Fussilet, 41/44), sepse aplikimi i tij në kurat e përditshme të sëmundjeve sociale dhe psikologjike krahas kozmologjisë, epistemologjisë, ontologjisë, sociologjisë, psikologjisë dhe ligjit, është vërtetuar se luan një rol stabilizues në jetën e njeriut, pavarësisht kohës dhe vendit.

Ndërkohë që çdo vepër e humb vlerën me kalimin e kohës, Kurani jo vetëm që nuk zbehet e vjetërsohet, por çdo ditë që kalon, ai u fryn frymëzime të reja shpirtrave, mendjeve dhe zemrave. Shumë libra jua lënë vendin të tjerëve pasi e humbin aktualitetin dhe vlefshmërinë e tyre me kalimin e kohës. E kundërta ndodh me Kuranin. Janë ditët e shekujt që kalojnë e ia lënë vendin njëri-tjetrit për të përfituar në përpjesëtim me aftësinë e mentalitetit të banorëve të tyre prej Kuranit.

Kurani e trajton njeriun me të gjitha anët e tij materiale e shpirtërore, ai hap diskutime mbi çdo fushë të jetës, ai sjell parime zgjidhëse për të gjitha problemet shoqërore, ekonomike, juridike, politike e administrative dhe vendos parime që përmbajnë, bashkë me lumturinë e kësaj bote edhe lumturinë e botës tjetër, pranë kënaqësisë së mendjes edhe kënaqësinë e shpirtit. Vepër e kujt të jetë njeriu dhe gjithësia, edhe Kurani është fjalë e Tij, sepse nga njëra anë Kurani lexon njeriun me të gjitha dobësitë dhe virtytet e tij dhe nga ana tjetër e lexon gjithësinë me të gjitha të fshehtat dhe imtësitë.

Në Kur’an nuk ka asgjë të tepërt, as rastësore, dhe meditimi e reflektimi në lidhje me të quhet njëra nga punët më të nderuara dhe më të vyera.

Kurani është i paimitueshëm dhe askush deri më sot nuk ka mundur që të krijojë ndonjë diçka të ngjashme me suret, madje as me atë më të shkurtrën, që përbëhet vetëm prej tre rreshtash. Teksti i Kuranit nuk ngjan me të folurit e rëndomtë të njerëzve as nga forma e as nga brendia.

Kur’ani është fjala më e përkryer, më e fundit që i shkojnë pas, e cila të çon në synim pa të çorientuar, pa të gënjyer. Kurani është drita e amshuar, e cila shkëlqen në botën e shkronjave dhe fjalëve; është mesazhi, ligji, katalogu dhe udhërrëfyesi më i përkryer i njerëzimit.

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: