Kur preket sedra e Allahut

Një karvan devesh gjatë udhëtimit rastis me një dervish. Dervishi i lutet prijësit të karvanit ta marrin edhe atë me vete. Prijësi i karvanit pranon dhe vazhdojnë së bashku udhëtimin. Pas njëfarë kohe, hajdutët u presin udhën dhe plaçkitin gjithçka kishte karvani. Kur hajdutët pyesin dervishin nëse kishte diçka me vlerë, ai u përgjigjet: “Unë nuk kam asnjë kacidhe, por prijësi i karvanit ka një jelek të çmuar, paskeni harruar t’ia merrni mesa duket atë.” Hajdutët teksa ia marrin jelekun prijësit të karvanit, ai nuk thotë asgjë, por thellë në zemër po e gëlonte urrejtja për dervishin. Sigurisht që po; sepse ai i kishte bërë gjithë ato të mira, ndërsa ai ia shpërblente në këtë mënyrë. Teksa të gjithë pjesëtarët e karvanit po qëndronin të mjeruar pa asnjë pasuri me vete, papritur vijnë ushtarët e shtetit. Hajdutët ishin kapur dhe e gjithë pasuria i kthehet pas pronarëve. Në atë moment, prijësi i karvanit i afrohet dervishit dhe i thotë: “Turp të kesh! Të ofrova gjithë ato të mira, ndërsa ti shkon dhe i jep hajdutëve jelekun tim”. Dervishi ia kthen: “Bir, këta hajdutët bënë aq shumë padrejtësi, saqë pashë se mungonin edhe katër gisht për të prekur sedrën e Allahut. Pikërisht, ai jeleku yt, kishte vlerën e atyre katër gishtave”.

Allahu nuk harron t’i dënojë tiranët, por ama edhe të dhunuarit duhet të jenë të denjë për të prekur sedrën e Allahut. Nëse ai person nuk është i këtij niveli ose nuk i është drejtuar siç duhet portës që duhet drejtuar, dënimi edhe mund të vonojë. Dhuna që ushtrohet kohët e sotme ndaj myslimanëve dhe prekjen e saj në sedrën e Allahut duhet ta vlerësojmë pikërisht nga ky këndvështrim.

Për ata që bëjnë udhëtime me një transatlantik, sado të sigurta të jenë masat e sigurisë, për raste urgjencash vendosen varka shpëtimi… jelekë shpëtimi… fishekzjarrë tregues… përgatiten operacione shpëtimi etj. Ju lutem, nëse në këtë udhëtim të kësaj bote nuk përgatisim sigurinë drejt botës tjetër, çfarë mund t’i thuhet kësaj? Nëse njeriu përkundrejt një mundësie aksidenti bën kaq përgatitje, nëse nuk bën asnjë përgatitje për jetën e përhershme e cila është e sigurt po aq sa e nesërmja, ai patjetër që është i çmendur.

Nuk dihet saktësisht vërtetësia, por dialogu mes Aliut (r.a) dhe një materialisti është mjaft kuptimplotë. Materialisti i drejtohet Aliut (r.a) duke i thënë: “Ju lodheni kot në këtë botë. Po sikur Xheneti dhe Xhehenemi të mos ekzistojnë fare?” Aliu i nderuar ia kthen qetësisht: “Nëse është e vërtetë ajo që thoni ju, unë nuk humbas asgjë, por nëse është e vërtetë ajo që them unë, dhe nëse Xheneti ekziston, e kupton se çfarë po humbet?”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: