Ku është Arafi? A mund të na jepni të dhëna mbi të?

Araf do të thotë vend i lartë.

Në tefsiret, komentet e Kur’anit, Arafi përmendet si një mur i ngritur mes xhenetit, parajsës, dhe xhehenemit, ferrit. Me këtë fjalë emërtohet edhe një sure, kaptinë e Kur’anit, meqë në atë sure përmendet Arafi.

Në fakt, Araf do të thotë interval, zonë e ndërmjetme. Me kuptimin që i jepet në ajet, ndodhet mes xhenetit dhe xhehenemit, por, si cilësi, nuk kemi asnjë të dhënë.

Kush janë personat që ndodhen këtu? Janë shumë përgjigje që i jepen kësaj pyetjeje, por që të gjitha subjektive, sepse s’dimë asnjë rrëfim (rivajet) përveç specifikës që përmbahet në Kur’an. Në Kur’an ekspozohen tri tabllo të veçanta dhe, në këtë mes, bëhet fjalë për njerëzit që ndodhen në Araf.

Në pjesën e parë zë vend pyetja e njerëzve të xhenetit për njerëzit e xhehenemit. Njerëzit e xhenetit i pyesin ata të xhehenemit: “Ne e pamë se ajo që na kishte premtuar Zoti, ishte e vërtetë; po ju a e gjetët të vërtetë atë që ju kishte premtuar Zoti?” Njerëzit e xhehenemit përgjigjen: “Po!”

Mu në këtë mes, një thirrës prej tyre bën zë kështu: “Mallkimi i Allahut rëntë mbi mizorët!” (Araf, 7:44)

Në tablonë e dytë hyjnë në veprim njerëzit e Arafit. Ata shohin kah njerëzit e xhenetit dhe u thonë: “Paqe juve!” Pastaj shohin kah njerëzit e xhehenemit dhe thonë për ta: “Zoti ynë! Mos na bashko me mizorët!”

Pastaj, njerëzit e Arafit ua kujtojnë parësisë së njerëzve të xhehenemit që njohin, fjalët që kanë thënë kur kanë qenë në botë dhe ua përplasin syve të vërtetën se atyre s’kanë për t’u bërë dobi as pasuria e as fëmijët. Kjo skenë duket sikur ndryshon dhe njerëzit e Arafit u thonë njerëzve të xhenetit këto fjalë: “Hyni në xhenet se, më në fund, për ju s’ka frikë dhe ju s’keni për t’u dëshpëruar!” (Araf, 7:49)

Kurse në tablonë e tretë, njerëzit e xhehenemit u bëjnë zë njerëzve të xhenetit që “t’u hedhin edhe atyre nga të mirat që u ka dhënë Zoti”. Kurse njerëzit e xhehenemit u përgjigjen se “Zoti i ka bërë haram (i ka ndaluar) ato të mira për mohuesit”! (Araf, 7:50)

Të gjitha këto duan të thonë se njerëzit e Arafit kanë lidhje me një aspekt, me njerëzit e xhenetit dhe, në një aspekt tjetër, me njerëzit e xhehenemit. Ata i njohin mirë dhe nga afër të dy palët.

Megjithëse ka rivajete, sipas të cilave, disa nga sahabet kanë shfaqur mendimin se Arafi përbëhet nga ballkone të Siratit dhe i kanë të barabarta mirësitë me mëkatet, kurse disa të tjerë kanë shfaqur mendimin se njerëzit e Arafit janë profetët, dëshmorët, dijetarët dhe njerëzit me shpirt të lartë pothuaj të engjëllizuar, të cilët i shohin të dy palët dhe marrin pjesë në replikat si më sipër, ky opsion nuk ka gjetur miratim nga analistët.

Në bestytnitë,[1] njerëzit e Arafit janë njerëzit me mirësitë dhe mëkatet në masë të barabartë. Kurse sipas një mendimi tjetër, janë engjëj me fytyrë njeriu. Po ta pranojmë opsionin se ata që janë në Araf janë njerëz, kjo përputhet me shprehjen Kur’anore që thotë për ta se “ata shpresojnë të hyjnë në xhenet”, pra se ata, megjithëse e dinë se janë për në xhenet, ende s’kanë hyrë atje!

Kurse sipas disa të tjerëve, njerëzit që ndodhen në Araf, të cilët shohin nga xheneti me shpresë dhe xhehenemi me frikë, janë njerëz që duhet të qëndrojnë edhe për një farë kohe aty duke vuajtur me qëllim për t’u përgatitur për të hyrë në xhenet.

Ndërsa për disa nga mëkatarët u shërbejnë si dëmshpërblim të mëkateve vuajtjet në këtë botë, për disa të tjerë u shërbejnë si dëmshpërblim vuajtjet në varr, kurse për një pjesë tjetër që nuk i lajnë dot të gjitha mëkatet në varr, është periudha kalimtare e Arafit ku ata shlyejnë mëkatet e mbetura.

Kështu, ndërsa njerëzit e merituar plotësisht për në xhenet do të hyjnë në xhenet, njerëzit që ende s’e kanë merituar plotësisht këtë, do të qëndrojnë edhe për njëfarë kohe në Araf me shpresën e xhenetit dhe frikën e xhehenemit. Kjo formë e jetës tjetër do të jetë për ta shlyerje e mëkateve duke i dëmshpërblyer ato. Pastaj, më pas, me mëshirën dhe favorin e Allahut do të hyjnë edhe ata në xhenet.

Ashtu siç e di të vërtetën dhe fytyrën e brendshme të çdo gjëje, Allahu e di edhe të vërtetën e Arafit dhe të njerëzve të Arafit!

[1] Në origjinal: israilijat, bindje bestytni, të pabazuara në librat autentikë hyjnorë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: