Kthehu te Zoti yt me pendim të sinqertë

Është një hadith autentik i Profetit Muhamed (a.s), i cili përsëritet shpesh, në të cilin ai ka thënë: “Kur Allahu e do dikë, Ai thërret Xhebrailin dhe i thotë atij se e do filan person…”

Ne të gjithë mund të themi se e duam Allahun, po pyetja që ngrihet është; a na do Allahu neve? Nëse po, si mund ta dimë diçka të tillë? Cili është personi që Allahu e do? Për të gjetur përgjigjen e kësaj, ne kthehemi te libri i Allahut, në të cilin thotë: “Allahu i do ata që pendohen (kthehen tek Ai).”

Teube (pendimi) vjen nga fjala “taabe”, e cila literalisht do të thotë të kthehesh; kjo lëvizje i referohet largimit nga diçka dhe një lëvizjeje përpara. Pyetje që ngrihet është; nga cila gjë po largohesh dhe drejt çfarë gjëje po shkon?

Përgjigjja e kësaj është vërtet shumë e bukur. Largohesh nga kundërshtimi dhe kthehesh drejt Zotit tënd.

Dera e pendimit është e hapur për të gjithë. Për sa kohë kjo derë është e hapur për ty… a e zotëron ti të drejtën për ta mbyllur atë për dikë tjetër?

Pranimi i pendimit mbyll derën e gjykimit dhe hap për njerëzit derën e mëshirës.

Hiqi gjykimet që ke për të tjerët, lutu për ata njerëz që i sheh në një gjendje kundërshtimi ndaj Zotit, sepse dera që dikur u hap për ty, tani mund të hapet për të tjerët dhe mund të të mbyllet ty.

Trego shumë kujdes në mënyrën se si sillesh me krijesat e Allahut. Ata që përpiqen drejt Zotit, janë të pranuar; por gjithashtu tek Ai janë të pranuar edhe ata të cilët bien shpesh në gabime. Disa prej të bindurve bazohen në punët e tyre të mira dhe Zoti i pranon, ndërsa disa të tjerë marrin për strehë vetëm mëshirën e Tij dhe asgjë tjetër.

Kthehu tek Allahu me sinqeritet dhe Ai do të të pranojë. Kthehu te të tjerët me dashuri dhe Allahu do të kthehet drejt teje me dashuri. Ne të gjithë përpiqemi për më të mirën, sfidat janë të shumta, por bëhu gjithnjë palë e së mirës dhe Allahu ka për të ta lehtësuar rrugën.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: