Kam një problem me bashkëshortin, si mund ta zgjidh?

Fatma, 34, Tiranë

Duke iu lutur Allahut (xh.sh.) që t’ju japë sukses në këtë punë fisnike që keni nisur doja t`ju bëja një pyetje: Jam nënë e dy fëmijëve. Ata janë jeta jonë dhe çdo sakrificë, çdo përpjekje e bëjmë për ta. Im shoq punon shumë dhe i ka lënë pak pas dore fëmijët. Ka raste që kalon shumë pak kohë me ne, ka raste që sapo kthehet nga puna “noton” në TV e internet. Çfarë na këshilloni në lidhje me këtë?

Motër Fatma, jetojmë në një kohë kur njerëzit po kalojnë shumë pak kohë me njëri-tjetrin. Orë të tëra të kaluara në të njëjtin ambient, por me mendje në vende të ndryshme. Nuk je e vetmja që ke një “problem” të tillë. Një bashkëshorte e sinqertë, besimtare e shpirtdëlirë me ndihmën e Allahut mund të shërojë shumë plagë të familjes.

Mundohu të ulesh dhe të bisedosh me bashkëshortin tënd. Çdo tiktak i zemrës është një hap drejt mbarimit të kohës në këtë botë. Koha që kalohet me familjen ka një vlerë të madhe. Ajo që duhet mësuar dhe praktikuar është se nuk ka aq rëndësi se sa orë qëndrojmë me familjen, por si e kalojmë kohën me të. Të qëndrosh 4 orë përpara TV duke parë një telenovelë, megjithëse mund të jemi së bashku me familjen, në fakt jemi shumë larg saj. Detyra e prindërve në këtë aspekt është e qartë. Prindërit e kanë për detyrë të merren me edukimin e fëmijëve. Trashëgimia më e mirë që një prind mund t`i lërë fëmijës është morali i bukur. Këtë moral duhet të fillojë ta japë që në hapat e parë të fëmijës. Ashtu si puna e tepërt, preokupimet e shumta nuk mund të tregohen si arsye për të neglizhuar prindërit, nuk mund të jenë arsye dhe për të neglizhuar fëmijët. Në këtë aspekt duhet bërë një planifikim i mirë i kohës. Të dy, nëna dhe babai, duhet të luajnë rolin e tyre në edukimin e fëmijës duke e ngopur atë shpirtërisht.

Po, duhet kaluar kohë me fëmijët, duhet planifikuar mirë koha që kalojmë me ta. Kjo nuk do të thotë ta kalojmë ditën në lojë e argëtim. Mund të argëtohesh me fëmijën, por jo duke lënë pas dore edukimin fetar të tij. Mësimi i Kuranit, leximi i përbashkët i librave, bashkëbisedime me ta, buzëqeshje të sinqerta që të japin besim në vetvete, riparimi i ndonjë gjëje në shtëpi, bërja e pazarit së bashku me ta, lutje e përbashkët; janë vetëm disa nga “koha me cilësi” që mund të kalohet me fëmijët.

E nderuar Fatma, Allahu ju ndihmoftë ju dhe të gjitha familjeve që e ndjejnë nevojën për një edukim më të mirë të fëmijëve të tyre. Bashkohuni me bashkëshortin tuaj, nxirrni disa “do bëjmë” e “s`do bëjmë” për hir të Allahut (xh.sh.). Flisni për hir të Tij, qeshni për hir të Tij, duajeni njëri-tjetrin për hir të Tij, kaloni kohë duke menduar Atë dhe fëmija juaj do rritet me ngrohtësinë e lumturisë së parajsës, i mbrojtur nga sfidat e kohës, me personalitetin e tij, me besimin në vetvete dhe me mbështetjen tek Zoti i Gjithësisë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: