Hambari që s’mbaronte kurrë…

Dy vëllezër, njëri i martuar e tjetri beqar, jetonin dhe punonin në çifligun që i kishte lënë trashëgim i ati. Në mbrëmje, ata e ndanin në mënyrë të barabartë prodhimin dhe fitimet që kishin nxjerrë gjatë ditës.

Një ditë, vëllai beqar mendon me vete: “S’ka kuptim që ne i ndajmë prodhimet tona në mënyrë të barabartë. Unë jam beqar dhe nuk kam askënd tjetër per t’u kujdesur përveç vetes sime, ndërsa im vëlla ka fëmijë e familje dhe ka më shumë nevojë se unë për të mira materiale”. Kështu ai ngrihej çdo natë, në fshehtësi të plotë merrte një thes nga prodhimet e veta dhe e dërgonte në hambarin e vëllait.

Nga ana tjetër vëllai i martuar thotë me vete: “Ç’kuptim ka që i ndajmë prodhimet në mënyrë të barabartë? Fundja unë jam i martuar dhe kam fëmijë, në një farë mënyrë e kam rregulluar jetën time dhe në të ardhmen mund të më mbajnë fëmijët, ndërsa im vëlla është beqar e s’ka kush të kujdeset për të. Ai s’e ka filluar ende jetën e tij familjare, prandaj ka më shumë nevojë se unë për të mira materiale”. Edhe ai si vëllai i tij, ngrihej natën fshehurazi dhe merrte nga një thes prej prodhimeve të tij dhe e dërgonte te hambari i vëllait beqar.

Kaloi kohë dhe vëllezërit nuk po kuptonin dot pse nuk po boshatiseshin hambaret e tyre, po ishin gjithnjë plot. Një natë, teksa ishin duke dërguar fshehurazi thasët e prodhimeve, nëpër hambarët e njeri-tetrit, vëllezerit përballen bashkë dhe për një moment mbeten si të ngrirë duke u parë në sy. Pastaj, pasi  kuptuan gjithçka, i lëshuan thasët në tokë dhe u përqafuan fort me lot në sy.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: