Es salatu hajrun minen neum

Dritaret e së Vërtetës hapen njëra pas tjetrës e ashikët e dashurisë hyjnore i afrohen Krijuesit me besim dhe dituri dhe, duke vëzhguar të fshehtën hyjnore, sodisin shfaqjet dhe të vërtetat e larta.

Es salatu hajrun minen neum, thirrja që ka bërë miliona e miliarda zemra të vërshojnë nga lotët; fjala që mbush shpirtrat me besim e shpresë; melodia e së cilës ka zgjuar njerëzimin nga përhumbja e viteve të zhgënjimit; fraza që ka bërë njerëzit të përjetojnë agime të mbushura me lumturi hyjnore, me mëshirën e pashtershme të Vetekzistencës.

Frika, mërzitja, dëshpërimi dhe ngushtica e kraharorit, ndëshkime këto të zemrës , do t’ia lënë vendin qetësisë, paqes, lumturisë, e mirësisë, thesare të shpirtit të përulur. Lumturia imagjinare drejt së cilës vrapojnë banorët e kësaj toke, e që lodhen për ta arritur atë, duke mos përfituar tjetër veçse më shumë dëshpërim dhe pakënaqësi, është shumë larg nga ajo në të cilën të fton thirrja Hajjeale’ssalah.

Lumturia dhe dashuria hyjnore është pastërtia dhe thesari i shpirtit, qetësia e zemrës, çlirimi i kraharorit dhe prehja e vetvetes. Ajo është diçka që mbin nga brenda njeriut dhe nuk importohet nga jashtë, nuk matet me metër dhe nuk blihet me asnjë vlerë monetare. Kjo thirrje buçet në vesh e kthehet në busull orientimi drejt lartësive të transcendentes. Një litar që zbret nga lart të fton të ngjitesh; porta e dritës hapet për të mbytur errësirën në të cilën jemi ngujuar. E pasi ngjitemi, buzët vetvetiu të pëshpëritin Dëshminë, i çojnë përshëndetje Krenarisë së Njerëzimit dhe një qetësi shpirtërore e një lumturi dehëse përmbush zbrazëtinë shekullore.

Vullneti njerëzor shkrihet me Vullnetin universal, kur trupi kthehet drejt një pike të vetme, e parrokshme si e tillë, por e gjendur mbi tokë. Një tjetër thirrje vjen për ata që kanë veshë për të dëgjuar: …Dhe tek Ai do të kthehen të gjitha çështjet, – e moria e të përulurve përkulet në faljen e përbashkët nga të gjitha anët drejt një qendre të vetme, të barabartë pavarësisht racës apo pozitës së kësobotshme, është kjo thirrje që shkrin kufijtë e diferencimeve.

Përgjigja ndaj saj do të sjellë rregull në jetën e tij të parregullt dhe ekuilibër në zemrën e njeriut të çoroditur, duke ia ngritur në këmbë ndjenjat e rrënuara, do t’u lëshojë një dritë mendimeve të tij turbullta. Për rrjedhojë njeriu do të gjejë mundësinë për të parë drejt. I varfër-i pasur, zotëri-shërbëtor, dijetar-injorant, aristokrat-qytetar i mesëm, kryetar i shteti-nënshtetas i zakonshëm, vihen në të njëjtin status. Dritaret e së Vërtetës hapen njëra pas tjetrës e ashikët e dashurisë hyjnore i afrohen Krijuesit me besim dhe dituri dhe, duke vëzhguar të fshehtën hyjnore, sodisin shfaqjet dhe të vërtetat e larta. Në të vërtetë, njeri i suksesshëm është ai që mirësinë e pret me falënderim dhe vështirësinë me durim. Shëndeti, siguria në shtëpi, kënaqësia me caktimin e Tij janë tre krahët e lumturisë me të cilat njeriu ngjitet mbi qiejt e mëshirës, vlerën e të cilave nuk e di kush veçse ai që është larg prej tyre.

Ashtu si orët e minutat zhduken në harresë, ashtu si nata dhe dita e kanë një zgjim e një perëndim, ashtu edhe kjo botë e ka një mbarim. Padyshim se gjithçka e ka një fund dhe, padyshim se, namazi është më i mirë se gjumi! Es salatu hajrun minen neum, çan errësirën e natës së plogësht, e ylli i përkushtimit ndizet flakë në tokën e zemrës së marinarit, që ka humbur yllin e tij polar, e dallgët e kanë degdisur në egërsinë e detit të trazuar të kësaj bote.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: