Ç’të bësh do të gjesh

Dikur, në kohë të lashta, atëherë kur nuk ishte shpikur akoma pasqyra, dy burra qëndruan në bregun e një liqeni të madh dhe të thellë. Të dy u mrekulluan me pamjen që ofronte liqeni dhe natyra përreth.

Njëri prej tyre zgjati kokën dhe pa të pasqyruar imazhin e tij mbi ujë. Ai buzëqeshi dhe imazhi i buzëqeshi gjithashtu. Ai lëvizi dorën në shenjë përshëndetje – të njëjtën gjë bëri edhe imazhi i pasqyruar. Sakaq, edhe shoku i tij i cili ishte paksa i mërzitur, u afrua pranë ujit dhe vuri re pasqyrimin e një burri brenda në liqen, një burrë që e shihte gjithë zemërim. Menjëherë mori një gur dhe ia hodhi, duke dashur ta qëllonte, e ndoshta dhe ta vriste. Në ujë iu shfaq një person me gur në dorë, të cilin ia lëshoi drejt. Sigurisht, uji i liqenit formoi valë të njëpasnjëshme dhe u trazua.

Pasi u larguan nga liqeni, gjatë rrugës së kthimit, burri i dytë i tha gjithë nerva shokut të tij: “Zot na ruaj! Çfarë ishin ata malukatë në atë liqen! Nuk vij kurrë më në këtë vend të frikshëm!”

Kurse shoku i tij ia ktheu: “Jo, e ke gabim. Ishte shumë vend i këndshëm! Aty brenda pashë një njeri të mirë që buzëqeshte. Unë për vete do të kthehem sërish.”

E tillë është jeta, na e kthen me të njëjtën monedhë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: