Cili është rreziku i hipokrizisë?

Një prej veseve, që Islami nuk e pranon të jetë te asnjë mysliman është dyfytyrësia (hipokrizia). Përcaktimin e dyfytyrësisë mund ta krahasojmë me atë të gënjeshtrës dhe kjo nënkupton: të paraqiturit e njeriut ndaj njerëzve të tjerë me një formë tjetër dhe jo si është në të vërtetë. Ai të paraqitet si njeri i devotshëm, kur në të vërtetë nuk është i tillë; plotëson ato që kërkon besimi, jo se është besimtar i mirë, por vetëm sa për t’u dukur i tillë; në takim të drejtpërdrejtë të tregohet i mirë, i dashur, por pas krahëve bën të kundërtën, bile edhe duke të të përgojuar; të thotë mirë me gojë, por në mendje ka të keqen dhe vepra e tij është e kundërt me atë që thotë.

Njerëz të tillë, jo vetëm që nuk janë të kënaqur, por mundohen që edhe të tjerët t’i pengojnë për të ecur në rrugën e drejtë.

Dyfytyrësia apo hipokrizia, sidomos në kryerjen e detyrimeve fetare është një mëkat i madh. Qëndrimi i një njeriu të tillë, në këtë rast është më i keq se ai i mosbesimtarit, sepse prej tij nuk di se si të ruhesh. Është për këtë që Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “… më së shumti frikësohem prej juve nga shirku i vogël…” Shokët e pyetën: “Çfarë është shirku i vogël?” Profeti iu përgjigj: “Dyfytyrësia! Allahu në ditën e gjykimit kur t’i shpërblejë robërit e Tij, u thotë hipokritëve: shkoni tek ata, të cilëve iu keni paraqitur (drejtuar) dhe shihni se a do t’ju shpërblejnë ata juve?”

Profeti (a.s) e ka shprehur në këtë formë dallimin midis besimtarëve dhe hipokritëve:

“Besimtari, i cili e lexon Kuranin i ngjan limonit e portokallit që ka erë dhe shije të mirë. Besimtari, i cili nuk e lexon Kuranin i ngjan hurmës, e cila nuk ka aromë, por shijen e ka të mirë. Hipokriti, i cili e lexon Kuranin i ngjan asaj pemës që vetë e ka erën e mirë, ndërsa frytin e ka të hidhur. Hipokriti që nuk e lexon Kuranin i ngjan kungullit të hidhur, që nuk ka aromë të mirë dhe frytin e ka të hidhur.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: