Cili është agjërimi më i pranuar?

Agjërim nuk do të thotë të heqësh dorë veçse nga të ngrënët dhe të pirët për një kohë të përcaktuar. Në të njëjtën kohë, agjërimi e largon njeriun nga çdo e keqe. Ashtu siç distancohet nga ushqimet dhe pijet që normalisht janë të lejuara për të, individi që është agjërueshëm rreket që të përvetësojë prej kësaj praktike mirësi që do t’i ruajë përgjatë gjithë jetës.

Ai e kursen gjuhën e vet nga gënjeshtrat dhe nuk i zgjat duart për tek e ndaluara; stomakun nuk e mbush me kafshata haram, sytë nuk i rrotullon kah të palejuarës, veshët i mbyll ndaj thashethemeve dhe përgojimeve… Duke mos ngarendur pas punëve të këqija, mbron këmbët e veta!

Agjëruesi nuk vë dorë mbi sofrën e shtruar me ushqime hallall, qoftë edhe nëse e ndan një minutë nga çelja e iftarit! Edhe nëse është shumë i uritur apo i etur ai pret me durim çastin e hapjes. Vetëm se, kjo pritje nuk është e detyruar; ajo është si një përgjim në heshtje, vjen së brendshmi me qetësi dhe shpresëplotë. Ky dorëzim që shfaq besimtari para Allahut të Lartësuar është rezultat i edukimit të vetvetes përmes menaxhimit të dëshirave e pasioneve dhe zotërimit të vullnetit.

Ky edukim është i tillë që e shpëton njeriu nga të qenit skllav i kërkesave të ulëta të egos dhe gradualisht e lartëson atë në një nivel engjëllor.

Besimtari që edukohet në këtë mënyrë nxjerr disa mësime të rëndësishme: si mund ta zgjasë vallë dorën drejt haramit kur duhet ta frenojë veten edhe ndaj asaj që është hallall? Apo, derisa qenka e mundur të lësh ushqimet dhe pijet e dobishme për organizmin, si ka mundësi që nuk u lënkan një sërë huqesh që e dëmtojnë trupin? Gjithashtu, si mund të kërkojë të kryejë imoralitet besimtari që heq dorë edhe nga marrëdhëniet intime bashkëshortore? A do t’u drejtohet ai tradhtisë dhe shthurjeve në këtë pikë?

Agjërimi e ka përmbushur qëllimin e vet në raport të drejtë me ndryshimet pozitive të reflektuara në jetët tona dhe prej një agjëruesi të vërtetë priten sa më shumë të tilla.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: