Ç’është zemra e pastër (kalbi selim)?

Në shprehjen përkatëse, kalbi selim, zemra e pastër, si term i mistikës, fjala selim ka të njëjtën rrënjë me fjalën Islam. Kuptimi leksikor i kësaj shprehjeje është zemër e shëndoshë dhe e pastër, ku me fjalën zemër nënkuptohet tërësia e ndjenjave të njeriut.

Të kesh zemër të pastër do të thotë t’i jetosh cilësitë dhe vetitë e kërkuara në Kur’an për besimtarin. Ky përkufizim është i përgjithshëm dhe përmbledhës. Hz. Aishenë e patën pyetur: “Cili ishte morali i të Dërguarit të Allahut?” Dhe ajo u qe përgjigjur: “A s’këndoni Kur’an ju? Morali i tij qe Kur’ani!”

Së pari, Kur’ani është një libër i zbritur për Profetin me qëllim që ai ta rregullojë jetën sipas tij. Pastaj, si të bëjë imami, do të bëjë edhe xhemaati, bashkësia e rreshtuar pas tij në adhurime dhe që e ndjek atë në të gjithë jetën dhe e gjithë bashkësia muhamediane do t’i rregullojë mendimet, përfytyrimet, jetën dhe moralin sipas imamit.

Veç këtij kuptimi të zemrës së cilësuar “selim”, ne e mendojmë këtë lloj zemre më shumë si të paqëtuar, e cila nuk u bën dëm të tjerëve, sepse në një hadith, porosi profetike, thuhet: “Muslimani është personi, nga dora dhe gjuha e të cilit muslimanët nuk pësojnë dëm!” Ky është një përkufizim pak si specifik, por më i mirë, më i këndshëm. Muslimani nuk do t’i shkaktojë dëm askujt me dorë apo me gjuhë.

Shprehja kalbi selim përmendet në Kur’an dy herë dhe, në të dy herët, në lidhje me Hz. Ibrahimin.

Profeti Ibrahim vuan për shkak të perversitetit të fisit dhe sidomos të të atit. Vuajtja e tij është mjaft e natyrshme dhe normale, sepse çdo njeri, për shkak të lidhjeve të gjakut, është i ndjeshëm ndaj mjedisit të tij të afërt, i do dhe interesohet për ta. Sa më tepër të ngushtohet ky mjedis, aq më tepër shtohet dashuria dhe interesimi i personit për të. Asnjë fëmijë, asnjë bir i mirë e i dobishëm nuk do ta shohë të atin në rrugë të shtrembër. Jo vetëm nuk do ta shohë, por rruga e gabuar dhe e keqe e të atit e bën atë që të dëshpërohet e të vuajë thellë. Sidomos nëse ky bir është një profet i dhembshurisë kulmore si Ibrahimi!

Një ditë, përsëri, Ibrahimi po i jep mësime monoteizmi (tevhidi), pra, mësime të besimit në Allahun si Zoti i vetëm i gjithësisë, një grupi njerëzish mes të cilëve ndodhet edhe i ati, dhe po i fton në fenë e vërtetë. Por fisi dhe i ati e kundërshtojnë, nuk i përgjigjen me pranim ftesës së tij. Ata i thonë se ndjekin fenë e etërve. Ky arsyetim është bërë në çdo periudhë justifikimi dhe mbështetja e njerëzve që nuk i kanë besuar të vërtetës. Ja, pra, para një situate të tillë, Ibrahimi i ngre duart lart për lutje dhe i lutet kështu Zotit:

“Zoti im! Më jep urtësi dhe më bashko me të mirët! Dhe më bëj të kujtohem për të mirë nga pasardhësit! Dhe më bëj ndër trashëgimtarët e xhenetit të begatshëm. Dhe fale tim atë që është vërtet në rrugë të shtrembër! Dhe mos më turpëro atë ditë kur s’do të kenë vlerë fëmijët dhe pasuria, por vetëm zemra e pastër!” (Shuara, 26:83-89)

Profeti Ibrahim kishte një zemër të pastër. Këtë të vërtetë na e tregon ajeti që thotë: “Me të vërtetë, ai i erdhi Zotit me zemër të pastër!” (Saffat, 37:84) Profeti Ibrahim thoshte se në ahiret, në jetën pas ringjalljes, njeriut do t’i bëjë dobi vetëm zemra e pastër, domethënë se kurrsesi s’mund të mendohej që një zemër ku sundonte mohimi, të shpëtonte. Po qe se në zemrën e një njeriu sundon mohimi, pra, ai është qafir, nuk do të ketë dobi nga biri i mirë edhe sikur ky bir të jetë profeti Ibrahim, miku i Allahut, ati i shumë profetëve dhe, duke u nisur nga posti që zë, të krenohet me të Kryeprofeti duke thënë “unë i ngjas atij”! Ja, pra, ati i këtij profeti, Azeri, e ka zemrën të mbushur plot me mohim, kurse i biri s’i bën dot asnjë dobi. Profeti Muhamed thotë: “Ibrahimi do të përpëlitet edhe në ahiret me të njëjtin ankth, do ta shohë të atin nën këmbët e veta dhe do t’i lutet Zotit: “Zoti im, ky është im atë!…” Por Allahu do t’ia fshijë Ibrahimit interesimin dhe dashurinë për të atin, do ta bëjë Ibrahimin ta harrojë të atin…” Kështu, Ibrahimit që e ka quajtur “mik” dhe e ka dashur në mënyrë të veçantë, Allahu do t’i shfaqet me mëshirën e tij në një dimension tjetër.

Po ta shohim çështjen nga ky këndvështrim, e kuptojmë më mirë se ç’është zemra e pastër. Së pari, zemra e pastër duhet të jetë e qëruar nga mohimi, lëkundja dhe politeizmi. Sado sjellje njerëzore që të bëjë zemra ku sundon mohimi, s’mund të jetë e pastër. Në ditët tona ka shumë humanistë që thonë se “e kanë zemrën të pastër sepse i duan shumë njerëzit dhe se vrapojnë e përpiqen për të mirën e tyre”, por është e kotë, sepse zemra e zhytur në mohim kurrsesi s’mund të bëhet e pastër dhe e qetë, sepse ajo e mohon të zotin e gjithësisë. Në të vërtetë, respektimi i vlerave njerëzore ka rëndësi të madhe, vetëm se njohja e atyre vlerave me fytyrën e tyre të vërtetë, si dhe vazhdimësia e tyre varen nga besimi që është për njeriun baza e njerëzisë. Pa besim, të gjitha mirësitë, bukuritë dhe vlerat ose janë gënjeshtër, ose s’kanë vazhdimësi. Për rrjedhojë, janë pa vlerë.

Po qe se dikush i bën shërbime shumë të dobishme vendit të vet, madje njerëzimit dhe, ndërkaq, thotë se nuk i njeh ata që e qeverisin vendin, ligjet dhe rendin e vendit, pandeh se ai arrestohet menjëherë dhe dënohet, pa iu marrë parasysh aspak punët dhe shërbimet e kryera gjer atëherë. Po kështu, njeriu që nuk e njeh të zotin dhe pronarin e gjithësisë, sado që të bëhet i dobishëm për vendin dhe popullin e vet, në jetën tjetër ndëshkohet, duke mos i sjellë asnjë dobi veprat që ka bërë. Shiheni ju Ebu Talibin që e mori pranë Profetin qysh fëmijë, e mbrojti për 48 vjet me radhë pa e lënë askënd ta prekte, megjithëkëtë nuk e fitoi dot garancinë hyjnore, sepse s’besoi. Kur Ebu Bekri me flokët të bardhë e pati marrë të atin Ebu Kuhafe dhe e pati çuar te Profeti, Ebu Kuhafe i pati rënë Profetit ndër këmbë dhe qe bërë musliman duke hyrë në rrugën e të birit. Atëherë, Ebu Bekri pati filluar të qante dhe Profeti e pati pyetur: “Pse qan, ja ku yt atë hyri në rrugë të drejtë!” Kurse Ebu Bekri i qe përgjigjur kështu: “O i Dërguari i Allahut, sa do të dëshiroja që në vend të tim eti të ishte Ebu Talibi që të thoshte Fjalën e Njësisë!” Sepse Ebu Talibi ishte në krye të atyre që e patën mbrojtur Profetin duke i thënë “të bënte si të donte se, sa të ishte gjallë vetë, s’do të lejonte asnjë ta prekte”! Gjithashtu, Ebu Talibi ia pati dorëzuar Profetit të bijtë, Aliun dhe Xhaferin, duke i dorëzuar në duar të sigurta. Mirëpo, a do t’i sillnin dobi Ebu Talibit këto veprime! Ja, këtu qëndron e gjithë çështja! Po të kishte shkuar me besim, po. Por po të mos kishte shkuar me besim, punën do ta kishte shumë të vështirë dhe shpëtimin krejt të pamundur!

Pastërtia e zemrës, në këtë kuptim, ka shumë rëndësi. Njerëzit mund të bëjnë shumë të mira, mund të tregohen trima e bujarë, por më parë duhet ta shpëtojnë zemrën nga mohimi, politeizmi dhe perversiteti.

E dyta, zemra duhet rregulluar me Islamin dhe të pajiset me moralin e Kur’anit. Po qe se zemra nuk është e pajisur dhe rregulluar me moralin e përkufizuar e të propozuar nga Kur’ani, nuk është e pastër. Pas të gjitha këtyre, edhe morali dhe karakteri i lartë i Profetit (s.a.s.) janë shfaqje të zemrës së pastër. Një njeri konsiderohet se ka zemër të pastër me aq sa e përshtat moralin e vet me moralin e Profetit. Në të kundërt, gënjen vetveten. Shpresojmë dhe i lutemi Zotit që të na lartësojë me moralin e tij të lartë!

Shpresojmë se sot, besimtarët që i shërbejnë Islamit, në dashtë Zoti, i kryejnë adhurimet me sa u vjen doresh dhe përpiqen t’i rregullojnë zemrat me të. Në të njëjtën kohë, me qëllimin për t’u siguruar të tjerëve lumturinë materiale e shpirtërore, shpesh sakrifikojnë nga begatia e vet materiale-shpirtërore dhe duke shtyrë mënjanë kënaqësitë e veta jetësore, tendosen për t’u dhënë jetë të tjerëve e për t’i bërë të lumtur të tjerët. Nëse mblidhen bashkë në një vend, kjo vetëm e vetëm për të fuqizuar mendimin dhe vendosmërinë e tyre për të shërbyer. Po qe se ua vini veshin me të vërtetë dhe ua ndjeni emocionin, do të dëgjoni zemrën t’ju rrahë me idenë e lartësimit të fjalës së Allahut dhe do të kuptoni e ndjeni se ata janë personat e premtuar. Islami do të krenohet gjithmonë me këta shpirtra të sakrificës, sepse ata janë muslimanë të vërtetë që i janë bërë dorëzanës, në emër të së ardhmes, rilindjes sonë, e kanë mbështetur atë, i kanë vënë supet asaj. Ja, pra, këta janë njerëzit me zemra të pastra e të paqtuara.

Çështja e zemrës së pastër e të paqtuar është shumë e rëndësishme, sepse ajetet e Kur’anit e kanë vënë atë para pasurisë dhe fëmijëve duke urdhëruar: “Atë ditë, malli dhe fëmija nuk do të sjellin dobi; atë ditë vetëm zemra e pastër do të sjellë dobi!”

A ke jetuar mirë? A ke vdekur mirë? A do të mundesh të ringjallesh mirë? A do të mundesh ta gjesh rrugën e Flamurit të Lavdisë? A do të arrish dot në buzë të ujit parajsor? A do të të shohë dhe njohë Profeti që nga larg? Gjendja jote pas ringjalljes varet nga përgjigjja që ke për t’u dhënë këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera. Sepse Profeti ka thënë: “Unë do t’i njoh të mitë!” Kur e kanë pyetur se si do t’i njohë, është përgjigjur: “Ashtu siç i njihni ju kuajt tuaj nga balli i bardhë dhe leqet e këmbëve, edhe unë i njoh të mitë nga gjymtyrët e abdestit!” Ebu Hurejre, kur donte të merrte abdest, i përvishte krahët gjer në supe dhe, kur e pyesnin pse vepronte kështu, përgjigjej se “dëshironte ta shtonte nurin, bukurinë e gjymtyrëve të abdestit”. Ja, kjo është shfaqje e zotërimit të një zemre të pastër!

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: