Ç’është dyshimi dhe a është aq i frikshëm sa ç’e bëjnë disa?

Dyshimi është një sëmundje e frikshme që e bren njeriun tinëzisht, duke e çuar dalëngadalë drejt vdekjes. Sapo njeriu, me besimin, mendimin dhe përfytyrimin e tij ta lëshojë veten në duart e kësaj sëmundjeje, do të thotë se është paralizuar me të gjitha funksionet jetësore dhe me të gjitha aftësitë shpirtërore!

Dyshimin dhe skepticizmin si teori të lindura nga dyshimi, mund t’i ndajmë në dy lloje:

  1. Skepticizmi i përvetësuar në mënyrë të vullnetshme.
  2. Skepticizmi i lindur prej çekuilibrit në njohjen e brendshme dhe në vëzhgimin e jashtëm; prej devijimit në qëllim e në vështrim; prej mungesës së aftësisë sintetizuese.

Lloji i dytë i skepticizmit është një subjekt mbi të cilin kemi qëndruar pothuajse në çdo vend dhe sipas meje, me mundësi mënjanimi. Kurse skepticizmi i llojit të parë është devijim karakteri, një marrëzi, madje më tepër, një maraz. Për këtë lloj dyshuesish e skeptikësh, Spinoza thoshte: “Detyra e skeptikut të vërtetë është të rrijë e të heshtë!” Eh, sikur ta kishin dëgjuar këtë këshillë! Të paktën, nuk do t’u bënin dëm të tjerëve; dëmi i tyre do të kufizohej vetëm në vetveten e tyre!

Ç’është e vërteta, ka edhe një lloj tjetër dyshimi, i kushtëzuar ky, me synime shkencore dhe i përkohshëm, për të cilin askush s’ka çfarë të thotë. Kurse dyshimi që ne këtu e quajtëm sëmundje, është, sikurse e ka shprehur edhe Dr. Pol Solie, “dyshimi, gjendja e të cilit duket si e pazgjidhshme dhe e pashpresë“. Një dyshim i tillë na e merr dhe na e mban vetëdijen nën ndikimin e vet në trajtë të vazhdueshme. Pastaj gjithë gjendjen shpirtërore dhe gjithë veprimtarinë mendore na e çon në paralizë. Një shpirt njerëzor i ardhur në këtë gjendje, bëhet fokusi ku mblidhen një mijë e një lëkundje e i përngjet rrugëve të kryqëzuara dhe të ngatërruara me njëra-tjetrën, pa të dhënë shpresën e asnjë rrugëdaljeje..

Për një njeri që s’ka mundur t’i kapërcejë dyshimet e veta duke i kthyer ato në të bindura, impotenca trupore, deviacionet dhe turbullirat mendore e moralo-etike janë dukuri të pashmangshme.

Dyshimi prodhon ngurtësi në qëndrimet e njeriut, shqetësim në shpirt dhe mungesë suksesi në punë. Për rrjedhojë, dyshuesit, skeptikët, shfaqin vazhdimisht dëshirë për t’iu shmangur punëve fizike si dhe urrejtje për gjërat që sjellin lodhje. Sado pretenduese të ishin diagnozat që do t’u vinin psikiatrët këtyre tipave të lodhur pa kryer asnjë punë, nuk do të mundeshin të mohonin tek ta një pamjaftueshmëri të brendshme.

Sa për ndikimin e dyshimit mbi mendjen, ata që janë pushtuar nga ky maraz, nuk janë në gjendje të tregojnë veprimtari mendore serioze e të vazhdueshme. Një njeri, mendja e të cilit është tronditur për një kohë pak a shumë të gjatë nga dallgët e dyshimit, e ka mjaft të vështirë të mendojë në mënyrë të shëndoshë.

Aspektet më të dukshme të të tillëve janë dobësimi i vëmendjes, humbja e aftësisë vepruese të mendjes dhe atrofizimi i kujtesës. Më në fund, për këta tipa, çdo gjë hyn, hap pas hapi, në një trajtë të pamundshme dhe para vetes u ngulen maja të pakapërcyeshme prej “gjërash që s’bëhen”. Para tyre mbetet vetëm një portë e hapur dhe vetëm një rrugë ku mund të ecet: kritika për të tjerët. Ata jetojnë duke kritikuar të tjerët dhe me këtë gjë e vazhdojnë ekzistencën e vet.

Përveç këtyre, bëhet fjalë edhe për mbajtjen nën ndikim, nën presion, të moralit dhe të etikës nga ana e dyshimit. Dhe, për mua, kjo është më e rrezikshmja. Përfundimet që nxjerrin në shesh në mendjet e njerëzve dyshues tronditjet dhe dallgëzimet e kundërta nën veprimin e të cilave mbeten kërkesat dhe dëshirat, prirjet dhe pasionet, përgjithësisht gjërat që përbëjnë bazën më të fshehtë e më të sinqertë të personalitetit, i nxjerrin në shesh identikisht edhe në fushë të moralit dhe të etikës.

Tek njerëzit ku shfaqen mungesa e suksesit në punë, shqetësimi dhe turbullimet psikomotore, nxjerrin krye dukuri të tilla si droja apo frika dhe mizantropia. Edhe në se njerëzve të tillë u ofrohet të marrin pjesë në gëzime e dëfrime, ata dëshirojnë të ikin prej të gjithëve e të jetojnë të vetmuar, si eremitë. Prandaj, nuk munden të shpëtojnë prej mërzitjes dhe mjerimit. Këta janë të privuar prej mendimit të lirë dhe mjaft të dobët në qëndresën shpirtërore.

Sidomos te skeptikët e mëdhenj, që kanë shkuar shumë përpara, ashtu siç zotëron, disa herë, një mungesë e plotë ndjeshmërie në trajtën e një ashpërsie, zemërngurtësie dhe pashpirtësie, disa herë të tjera shihet se, për shkak të personalitetit shpirtëror të shembur plotësisht, e kanë humbur tërësisht karakteristikën e qenies shoqërore.

Dyshimi është një sëmundje shumë e rrezikshme edhe për nga pasojat sociale që ai shkakton. Një njeri që ka rënë në dyshime për mjedisin e tij dhe për gjërat që ndodhin në të, sajon një mijë e një rreziqe në dritë të ditës si dhe e shqetëson edhe veten, edhe mjedisin. Sidomos rasti i të lëkundurve e i të pushtuarve prej dyshimeve që, të frikësuar prej përgjegjësisë, tërhiqen atje ku duhet vepruar ose ndjenja se e kanë humbur kohën për të vepruar është aq i rrezikshëm, sa që disa herë mund të bëhen shkaktarë për shkatërrimin e plotë të një bashkësie të tërë. Veçanërisht në punët e mëdha e të rëndësishme, në politikë dhe në luftë, lëkundjet dhe dyshimet e atyre që u ka zënë koka erë, mjaftojnë dhe teprojnë madje për t’i fundosur krejt popullin dhe ushtrinë!

Në të vërtetë, nuk mund të mendohet që ai që dyshon në veten e vet, të bëhet pikëmbështetje për të tjerët. Sepse, masat popullore, të zhgënjyera disa herë për shkak se i kanë shkuar pas, nga që për dyshuesin asnjëherë nuk dihet qartë se si do të veprojë, edhe sjelljet më të pafajshme e të pëlqyeshme, do t’i presin vazhdimisht me lëkundje.

Krahas kësaj, në raport me prirjen për të mbetur “ashtu siç janë” të një pjese të madhe të skeptikëve, nuk duhet nënvleftësuar as zelli i një pjese të vogël për të bërë hope e për të shkuar përpara.

Si rezultat, as në mendimet e dyshuesve, skeptikëve, as në punë e në sjelljet e tyre nuk ka maturi dhe ekuilibër. Mes tyre ka aq shumë që e braktisin vendin ku u takon të jenë, profesionin dhe detyrën me frikën e përgjegjësisë, sa që, në një periudhë kritike, mos e dhëntë Zoti, mund ta paralizojnë një komb e një shtet të tërë! Ashtu siç nismat e tyre janë një aventurë, ashtu edhe masat paraprake të pafundme s’janë gjë tjetër veçse vendnumëro dhe shuarje. Edhe nëse kjo mund të duket prej disave se buron prej një mungese vullneti, në të vërtetë nuk është aspak kështu. Në të vërtetë, kjo gjendje buron prej mosmarrjes së vendimeve të qëlluara e në seri, prej moszgjedhjes së njërës prej rrugëzgjidhjeve të ndryshme që ofrojnë situatat dhe ndodhitë e përgjithshme të jetës.

Dyshuesi, skeptiku i dalluar për lëkundjet dhe moszgjedhjen, është më i dëmshëm e më i rrezikshëm se iniciatori. Edhe nëse orientimi dhe kanalizimi i veprimeve të iniciatorit duken si një problem, ai të paktën vepron. Sa për dyshuesin, për shkak se lëvizja e tij duket, çuditërisht, si qëndrim dhe qëndrimi si lëvizje, as lëvizjes para të tij nuk mund t’i besohet, as edhe tërheqjes pas.

Sidomos nëse ai e quan guxim marrëzinë e tij në iniciativë, kurse dyshimin dhe frikacakërinë, pjekuri dhe masë parapërgatitore, atëherë ai, me këtë gjendje shpirtërore plot maraz, ka një pozicion ekstrem, që do t’i shkatërronte edhe atë, edhe ata që ndodhen bashkë me të.

Sa e sa administratorë dhe komandantë ka pasur e ka, që e kanë braktisur frontin në çast rreziku duke e bërë një popull të tërë fli të një dyshimi të tillë. Nëse në të çarat e hapura do të kishin shkatërruar vetëm veten, do të mjaftohej duke thënë për ta, “Le të bëjnë durim të vdekurit”! Mirëpo sa e hidhur është që ca skeptikë të tillë, të hutuar, janë bërë shkak për fatkeqësinë e një sërë të mjerësh që i kanë pasur nën urdhër!

Nga skeptikët modernë, ashtu siç gjenden të tillë që, nga pozita përfaqësuese e një kombi të tërë, janë treguar aq trima sa ta shfaqin hapur blasfeminë e tyre, gjenden edhe skeptikë frikacakë që kanë mundur ta fshehin fytyrën e tyre të vërtetë, duke u kthyer në shkak për shumë fatkeqësi:

Unë që për çdo gjë dyshoj,

Kë të pyesësh, thotë se gjë s’kuptoj.

Kushedi, ndoshta gjithçka është sajesë gënjeshtare,

Ndoshta vetëgënjimi është nevojë jetësore.

Dhe ndoshta çdo gjë është e drejtë, kushedi,

N’sa unë për ndjenjën time të metë s’kam njohuri!

Të qenën, të paqenë desha ta dija e të paqenën, të qenë,

Ja pra, faji im, sa keq, dyshues të jem…

Kushedi, ndoshta dheu është origjina jonë;

Punë e kujt rastësie tinëzare është kjo

Dheun ta bëjë një baltë që rënkon?

Këtë faj një Krijues s’e punon;

Kush krijon, asgjëson, nuk shëmton…

 

I mjeri Fikret! Po të shihte se teprimi në blasfeminë e vet ka mbetur shumë pas sipas skeptikëve të ditëve tona, kushedi se sa do t’i vinte keq e do të nxehej!..

Megjithatë, ai skeptik, me mendimet e tij të errëta e pesimiste, prapëseprapë është rimishëruar e duket sikur është duke gjalluar mes skeptikëve të ditëve të sotme!..

Meqë këtu nuk jemi duke bërë kundërshtimin dhe hedhjen poshtë të llojeve të skepticizmit bashkë me argumentet e tyre, duke e lënë atë kokë më kokë me kritikat përkatëse që mbushin librat e filozofisë nëpër bibliotekat e botës, mendojmë se është e dobishme të bëjmë të qartë vetëm një specifikë. Kjo është pikërisht situata kur në krye të çdo iniciative ndihet nevoja e një besimi të pakundërshtueshëm, të tillë, që e kundërta e tij të jetë krejt e pamundur si dhe e një vullneti dhe vendosmërie të pashuar që burojnë po prej atij besimi. Dyshimi dhe lëkundja në njërin prej këtyre elementeve e thyen ndikimin e të tjerëve dhe lë një rrjedhje.

Besimi kategorik dhe i palëkundur është për individin dhe për bashkësinë, kushti i parë dhe elementi më i rëndësishëm në procesin e përparimit e të përsosjes, në ditën e shpërblimit e të ndëshkimit. Sa për çështjen e të jetuarit të rrugës së propozuar me kahje këtë besim, ajo është sjellja më e mençur dhe hopi apo akti më i rëndësishëm, ndërsa zigzaget në opinionin, përfytyrimin dhe sjelljet e njeriut, janë faktor mungese në sukses dhe për më tepër shkaktarë fatkeqësish.

Krahas kësaj, për dikë që ka rënë në dyshim, është e dobishme të qëndrohet mbi këto specifika:

  1. Një njeri i tillë duhet të shkojë ose duhet dërguar pa tjetër te një specialist. Në saje të një ndërhyrjeje të tillë, do të dalë në shesh nëse dyshimi i tij është një maraz apo jo, do të kuptohet thellësia e tij dhe mbi ç’gjëra është përqendruar. Dhe kjo duhet të jetë e rëndësishme për ta lehtësuar mjekimin e për ta eliminuar dyshimin.
  2. Nëse dyshimi ka lidhje me subjektet e besimit, aty duhet përqendruar; nëse ka lidhje me adhurimin, në atë specifikë; nëse ka lidhje me sistemin tonë të të menduarit, në atë drejtim; duhet të sillen argumente duke marrë parasysh shkaqet që e kanë shtyrë personin në dyshim dhe duhen eliminuar lëkundjet një e nga një.
  3. Veçanërisht, dikush që ka rënë në dyshim, duhet ndihmuar duke e takuar shpesh me persona që e kanë të ndriçuar horizontin e mendimit, të cilët bëjnë një jetë shpirtërore. Me një fjalë, duhet bërë që dyshuesi të përfitojë nga bisedat prodhimtare të tyre.
  4. Për njerëz të tillë, disa herë është mjaft e dobishme edhe pamja e përgjithshme e njerëzve të pasur në adhurime e të formuar në mendim. Takimi i këtyre lloj të sëmurëve jashtë e brenda vendit me përfaqësues të vetëdijshëm e të sinqertë të mendimit tonë, mund të jetë shumë herë më me ndikim sesa mijëra porosi të thata.
  5. Përveç këtyre, skeptiku duhet shëtitur në atlasin e pasur e shumëngjyrësh të së kaluarës; me anë të jehonës së historisë e të jetëve të shquara, fytyra e tij duhet kthyer nga izbat e errëta të egoizmit në të kaluarën tonë famëmadhe. Është ndër ngjarjet e shpeshta që pothuaj çdo njeri që ka ndjerë, kësaj rruge, fytyrën e ndritshme të së kaluarës dhe frymëmarrjet e kthjellëta të saj, ka shpëtuar prej mendimeve të turbullta që i kanë mbështjellë shpirtin dhe pak a shumë është drejtuar kah rilindja në zemrën e tij.
  6. Nëse dyshimi është kthyer në një sëmundje, e cila tregon shenjat e përhapjesh përreth, është e nevojshme që i sëmuri të izolohet nën vëzhgimin e një mjeku dhe nuk i duhet dhënë mundësi përhapjes së përçartjeve brenda shoqërisë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: