Agjërimi, mjet për të arritur devotshmërinë

Pas çdo vepre, adhurimi që kryen njeriu, fshihet një qëllim i epërm. Të gjitha veprat tona drejtohen kah një synimi të caktuar, ku sigurisht më i rëndësishmi është fitimi i kënaqësisë së Zotit. Allahu thotë në Kuran: “Fale namazin që të më kujtosh Mua.” Falja e namazit është mjet për përkujtimin e Zotit dhe njeriu s’mund të përkujtohet për Zotin e tij, ashtu sikurse ndodh gjatë faljes së namazit. Përsa i përket agjërimit, Zoti thotë që e ka bërë obligim atë për ne, në mënyrë që të arrijmë devotshmërinë. Qëllimi i epërm i agjërimit është të na bëjë më të devotshëm.

Por çfarë është devotshmëria dhe pse është e rëndësishme ta kemi këtë cilësi?

Në fakt, arritja e devotshmërisë është qëllimi që ka çdo besimtar, për adhurimet që kryen. Devotshmëria është ajo që përftojmë pas kryerjes së çdo adhurimi dhe ajo është shkak i një lumturie të pashoqe, që lind në zemrën e njeriut.

Në gjuhën arabe, devotshmëria emërtohet si “takva” dhe e ka prejardhjen nga fjala “vikaje”, e cila do të thotë “mbrotje”. Vetë kuptimi i fjalës, lidhet shumë mirë me nocionin e devotshmërisë. Sepse, devotshmëria është pikërisht një mbrotje dhe siguri, që njeriu ia ofron vetes. Kjo mbrojtje fillimisht arrihet duke qëndruar larg gjërave të ndaluara e të dëmshme, kësisoj përftohet siguria jonë e plotë nga çdo rrezik. Ruajtja që njeriu i bën vetes nga mëkatet, konsiston në mbrojtjen e tij të pashmangshme nga dënimi dhe hidhërimi i Zotit. Pra, devotshmëria nuk është gjë tjetër, veçse mbrojtje e vetes sonë në çdo aspekt të mundshëm.

Disa dijetarë, këtë proces të arritjes së devotshmërisë e kanë ndarë në tre faza, të quajtura; “takhlije”, “tahlije” dhe “texhlije”. “Takhlije” do të thotë zbrasje, apo pastrim nga një cilësi negative dhe agjërimi na ndihmon shumë për përmbushjen e këtij procesi. “Tahlije” do të thotë përftimi dhe mbërritja e një cilësie pozitive, një zakoni të mirë. Gjatë agjërimit fokusohemi më shumë në vepra të mira, kështu që edhe ky proces mund të ndodhë pa asnjë pengesë.

Procesi i fundit “texhlije”, ka të bëjë me një lloj pasqyrimi dhe reflektimi të disa sjelljeve ndryshe, të cilat e kanë burimin nga Zoti i Lartësuar. Në një hadith na tregohet qartë, se njeriu me kryerjen e obligimeve dhe veprave të tjera vullnetare, arrin të fitojë dashurinë e Zotit, të jetë i dashur prej Tij. Kur njeriu arrin gradën e dashurisë hyjnore, çdo sjellje e tij ndryshon. Syri i sheh vetëm të pastërtën, veshi i dëgjon vetëm të vërtetën, gjuha i flet vetëm të drejtën, dora i prek vetëm të lejuarën dhe kështu ndodh me çdo aspekt të tijin.

Dijetarët e kanë konkretizuar procesin e mësipërm me pikën që gjendet mbi shkronjën “خ“, pikën që hiqet dhe formohet shkronja “ح” dhe pikën që gjendet brenda shkronjës “ج“. Në fillim, njeriu pastrohet nga pastërtitë fizike e morale, më pas cilësohet me virtyte të larta. Në fund, pika vendoset brenda shkronjës, që tregon edhe për thjeshtësinë, modestinë, që duhet ta karakterizojë njeriun e devotshëm.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: