Agjërimi dhe përmbushja e dëshirave te njeriu

Dëshirat janë një pjesë e rëndësishme e qenies së njeriut. Ato shprehim një dobësi apo mangësi që kërkon të përmbushet. Dëshirat e njeriut mund të jenë fiziologjike, psikike dhe shpirtërore, të cilat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Dëshirat shprehen te njeriu në forma të ndryshme, ku shpeshherë mangësitë shpirtërore shprehen në formën e instikteve dhe kërkohet përmbushja e tyre. Kështu rendja pas përmbushjes së kënaqësive epshore dhe posedimit apo shkaktimit dhimbje ndaj të tjerëve, janë si rezultat i moszotërimit të vetvetes dhe nevojave shpirtërore te njeriu. Plotësimi i dëshirave të tilla krijon një kënaqësi momentale te njeriu, por nuk përmbush mangësitë e tij. Si pasojë, njeriu bëhet më i varur nga instiktet dhe mangësia e tij vazhdon përsëri të ekzistojë duke u thelluar më shumë.

Në jetën tonë, shpeshherë dëshirat epshore si të ushqyerit, nuk janë kërkesë që burojnë nga mangësitë në aspektin fiziologjik të njeriut, por si pasojë e mangësive në aspektin shpirtëror, siç janë stresi dhe pakënaqësia ndaj jetës. Në këtë rast plotësimi i dëshirës nuk është i shëndetshëm në aspektin fizik, psikik apo shpirtëror, duke qenë se të gjithë pjesët e qenies së njeriut nuk janë aktive në veprim dhe nuk qëndrojnë në harmoni me njëra tjetrën.

Njeriu duke agjëruar, largohet nga të ushqyerit për një kohë të caktuar, pavarësisht dëshirave që mund të burojnë. Në kohën e iftarit pas një kohe të gjatë pritjeje, dëshira e të ushqyerit është një nevojë fiziologjike dhe plotësohet në mënyrën e duhur. Kur në këtë aktivitet marrin pjesë dimensioni shpirtëror, si ndjesia kryerjes se urdhrit hyjnor apo vetëdijësimi për mirësitë e dhuruara nga Zoti, atëherë njeriu vepron në harmoni me të gjithë qenien e tij. Kështu ai përjeton veprimin e kryer në shumë dimensione dhe merr kënaqësinë e duhur në të.

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: