Si ta ruajmë pasurinë?

E gjithë pasuria e tokës dhe qiejve i përket vetëm Allahut. Ai i jep kujt të dojë në sasinë që dëshiron. Pasuria konsiderohet si mjet jetese në këtë botë dhe jo si qëllim në vetvete. Me anë të saj njeriu arrin të përmbushë nevojat e tij në këtë botë dhe ajo mund të shërbejë edhe për t’i ardhur në ndihmë të tjerëve. Aq sa mund të konsiderohet si mirësi e begati, pasuria mund të jetë edhe një sprovë. Ajo konsiderohet si e tillë në kohë kur njeriu e siguron nëpërmjet rrugëve të ndaluara, e shpenzon po në ato rrugë dhe gjithashtu për shkak të ndryshimeve që mund të sjellë në botën e brendshme të njeriut. Nëse pasuria na bën mendjemëdhenj, përbuzës dhe të vetëmjaftueshëm, atëherë ajo mund të quhet si një sprovë e madhe.

Islami nuk e ka konsideruar pasurinë si diçka negative, përderisa tregtinë si mjet pasurimi e ka bërë të lejuar dhe gjithashtu, i ka lavdëruar gjithnjë ata që japin ditën e natën prej asaj që Zoti i ka furnizuar. Vlen për t’u shtuar këtu edhe nxitja që feja jonë ka bërë në formë të përgjithshme rreth punës dhe zhvillimit në këtë botë. Besimtarët kanë mbi supe detyrën e ndërtimit të kësaj bote në përputhje me ligjet e Zotit të gjithësisë. Detyra jonë është që këtë botë ta bëjmë një vend të paqtë për t’u jetuar dhe të ndihmojmë sa më tepër ata që janë në nevojë.

Një i urtë ka thënë: “Pasuria nuk mund të ruhet ndryshe, vetëm se me tri gjëra: 1. Grumbullimi i saj pa i bërë padrejtësi askujt. 2. Shpenzimi i saj pa e shpërdoruar. 3. Ruajtja e saj pa u treguar dorështrënguar (koprrac).”

Sipas kësaj thënie, njeriu mund të pasurohet sa të dojë nëqoftëse nuk i bën padrejtësi askujt. Të mos i bësh padrejtësi askujt do të thotë të mos e prekësh as pronën publike, sepse aty mëkati është akoma më i madh, ngaqë aty është e drejta e të gjithëve.

Njeriu sigurisht që do ta shpenzojë pasurinë për mirëqenien e tij dhe atë të familjes së tij. Sigurimi i të mirave materiale për familjen është një obligim që Islami e ka vendosur mbi supet e burrit në familje. Përveçse është detyrim, nga ana tjetër njeriu fiton shpërblime shumë të mëdha në sajë të kësaj vepre. Si shenjë e ruajtjes së pasurisë sonë, ne duhet të shpenzojmë për veten dhe familjen aq sa e kemi të nevojshme dhe jo të kalojmë në shpërdorim. Shpërdorimi ia humbet begatinë pasurisë dhe ai konsiderohet një lloj përbuzjeje ndaj mirësive të Zotit.

Ne kemi të drejtë që ta ruajmë pasurinë tonë, duke e investuar atë për vitet e tjera të jetës, ose edhe për pasardhësit tanë. Diçka e tillë nuk bie në kundërshtim me shpenzimin e një pjese të pasurisë sonë në rrugën e Allahut. Përveç detyrimit të nxjerrjes së zekatit nga pasuria, besimtari shfrytëzon edhe shumë momente të tjera për të dhënë sadaka në rrugën e Zotit. Nëse pasurinë e ndajmë me të tjerët, padyshim që do të fitojmë zemrat, lutjet e atyre njerëzve, por mbi të gjitha do të kemi fituar kënaqësinë e Zotit.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: