Atë ditë do të pyeteni për mirësitë e kësaj bote

Kuptimi i disa haditheve të Profetit Muhamed (s.a.s) është i lidhur ngushtë me  rrethanat në të cilat ai jetoi. Ne duhet të kemi gjithnjë parasysh jetën që ai zgjodhi të jetojë dhe mënyrën se si u përball me të gjitha vështirësitë. Jeta e tij ishte e njohur midis sahabëve, kështu që ai do të ishte një burim frymëzimi edhe për ta dhe për këdo që do ta lexonte jetën e tij më pas. Thuhet se ishte njeriu i vetëm në histori, i cili do të përballej me një larmishmëri gjendjesh në jetën e kësaj bote. Me këtë të fundit synohen; gjendja e varfërisë, prosperiteti; gjendja e të shtypurit, ngadhënjimi, etj.

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Pastaj, atë Ditë, do të pyeteni për mirësitë (e kësaj bote)!” (Tekathur, 8) Ky ajet na vë në dukje se njeriu do të japë llogari për të mirat e jetës së kësaj bote. A bëhet fjalë këtu vetëm për ato mirësi të cilat ne i konsiderojmë të mëdha, siç është grumbullimi i një pasurie të caktuar, arritja e një posti në shoqëri, apo edhe për mirësi të tjera “më të vogla”? I Dërguari i Zotit do ta përdorte ajetin e mësipërm në jo më pak se 30 situata, për t’i rikujtuar myslimanët rreth llogarisë që do të japin kur të dalin para Zotit të Gjithësisë.

Le të përmendim dy ngjarje në lidhje me ajetin e mësipërm. I Dërguari i Allahu dhe Ebu Bekri kishin kaluar një ditë të gjatë vere pa gjetur diçka për të pirë. Etja u ishte shtuar shumë dhe kishin dalë të kërkonin ujë. Një person u ofroi një gotë uji të ftohtë në mes të asaj nxehtësie të një dite vere në shkretëtirë. Ebu Bekri (r.a) ktheu një gllënjkë uji dhe i Dërguari i Zotit (a.s) i tha: “Do të pyetesh për këtë Ditën e Gjykimit”!

E njëjta situatë kishte ndodhur edhe me Omerin (r.a) dhe fjalët e Resulullahit ishin të njëjta: “Do të pyetesh për këtë Ditën e Gjykimit”! Omeri ishte çuditur dhe kishte pyetur, duke kapur me dorë enën e ujit: “Për këtë, o i Dërguar i Allahut”? Ai i ishte përgjigjur: “Për këtë dhe çdo mirësi tjetër që ju është dhuruar”!

Nuk kishte asnjë çast neglizhimi, apo hutimi në jetën e Profetit (a.s). Pavarësisht sprovave dhe vështirësive të mëdha, ai nuk harroi t’i vlerësojë mirësitë e Zotit dhe të tregohet mirënjohës për to. Në një hadith, ai ka thënë: “Kush prej jush zgjohet i sigurt në shtëpinë e tij, i shëndetshëm në trupin e tij, pranë vetes ka ushqimin e saj dite, është sikur t’i jetë dhuruar e gjithë bota.” Mirësitë më të mëdha që përmenden në këtë hadith janë shëndeti dhe siguria.

Shëndeti është një mirësi për të cilën njeriu duhet të falënderojë vazhdimisht. Çdo mirësi tjetër nuk ka vlerë nëse njeriu nuk është i shëndetshëm. Çdo i pasur në botë do ta shpenzonte pasurinë e tij pa hezituar, vetëm për ta rikthyer edhe njëherë shëndetin e munguar. Gjithashtu, edhe siguria është një mirësi e madhe. Nëse jeton i mbuluar në pasuri në një vend të pasigurt, atëherë asgjë s’ka vlerë dhe mirësia më e madhe për ty do të ishte rikthimi i sigurisë. Komentuesit e Kuranit në lidhje me ajetin: “Pastaj, atë Ditë, do të pyeteni për mirësitë (e kësaj bote)” kanë thënë se ato mirësi janë: “Shëndeti dhe Siguria”.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: