10 këshilla esenciale për ta shfrytëzuar muajin e Ramazanit

Ramazani është koha më e begatë e vitit dhe koha më e përshtatshme për të zgjuar shpirtin tonë. Është koha për të përvetësuar zakone pozitive dhe për t’i braktisur ato zakone, që na pengojnë nga arritja e kënaqësisë së të Gjithëmëshirshmit.

Si mund ta shfrytëzojmë sa më shumë këtë muaj të begatë?

1- Të jemi të kujdesshëm me kohën që kalojmë nëpër rrjetet sociale

Gjatë gjithë muajit do të ketë shumë mësime, ligjërata dhe aktivitete të tjera, që bëhen nga njerëz të ndryshëm. Gjej balancën duke ndjekur aq ligjërata sa të mjaftojnë për të të motivuar dhe për të përmbushur qëllimet që i ke vendosur vetes. Mos i zëvendëso aktet e adhurimit, duke qenë vetëm dëgjues pasiv.

2- Reflekto mbi Kuranin

Përveç leximit të Kuranin në gjuhën arabe, që është adhurim më vete, mos lër pas dore edhe leximin e përkthimit dhe komentimit të disa ajeteve specifike të Kuranit.

3- Ndërmerr përgjegjësi personale

Planifiko një program që do ta ndjekësh përgjatë gjithë muajit të Ramazanit. Njerëzit që ndjekin një program të caktuar, e kanë më të lehtë të bëjnë vepra të mira dhe rrjedhimisht përfitojnë më shumë shpërblime. Përcakto një kohë që ta falësh namazin e teravive çdo natë në të njëjtën orë, njësoj si do ta falje nëse xhamitë do të ishin hapur.

4- Mos e teproni në të ngrënë

Allahu thotë në Kuran: “Hani dhe pini, por mos shpërdoroni, padyshim Zoti nuk i do shpërdoruesit.” (7/31)

Përpiquni të gatuani më pak, ose të shmangni ushqime të skuqura apo që përmbajnë shumë sheqer. Kjo do t’ju mundësojë që të jeni më të kujdesshëm për gjërat që hani dhe nuk keni për t’u ndier të dobët, ndërkohë që jeni të angazhuar me akte adhurimi.

5- Kujdesu për veten

Ramazani ka të bëjë me sakrificën, por kjo nuk do të thotë që ta lëmë pas dore kujdesin për veten.  Kjo ka të bëjë me anulimin e disa angazhimeve të tepërta, të pushosh dhe të ushqehesh në mënyrë të shëndetshme. Të gjitha këto, kur përdoren në masën e duhur, mund të na afrojnë më shumë te Zoti i Lartësuar.

6- Adhuro me vetëdije

Adhurimi me vetëdije mund të jetë një mjet i dobishëm, për t’i zmadhuar veprat e mira, për të rritur përqendrimin dhe për të përfituar sa më shumë nga atmosfera e Ramazanit. Ndaji disa minuta në ditë për të lexuar disa lutje, duke i medituar thellë, ose reflekto mbi mirësitë e jetës tënde.

7- Vendos synime të arritshme

Për çdo synim madhor, vendos edhe një synim dytësor. Në këtë mënyrë, në ditët që nuk e përmbush dot synimin madhor, për shkak të lodhjes apo angazhimit, mund të përmbushësh synimin dytësor, në vend që të kalojë dita pa bërë asgjë. Kjo të siguron qëndrueshmërinë dhe mos-humbjen e kurajës për të vazhduar më tej.

8- Qëndro aktiv

Vendos një orar ditor (p.sh. një orë para iftarit) për të ecur, për të bërë gjimnastikë apo ndonjë veprimtari tjetër fizike, për të shmangur ndjenjën e plogështisë. Kjo është qenësore për shmangien e stresit, pa ashtu për të fituar energji pozitive, që të jemi të motivuar për qëndrimin gjatë në falje, apo adhurime të tjera.

9- Vendos një qëllim të epërm

Agjërimi është prioriteti ynë i këtij muaji, qëllimi i të cilit është të bëhemi të devotshëm, ashtu sikurse Allahu e ka përshkruar në Kuran. Lër mënjanë çdo gjë që të largon nga përmbushja e këtij synimi. Përcakto një hapësirë të veçantë në shtëpinë tënde, që të të shërbejë për të kryer adhurimet dhe për të reflektuar.

10- Sfidoje veten për të ndryshuar

Çdo ditë pas iftarit, bëj diçka ndryshe. Ushtrohu, mëso përmendësh një pjesë të caktuar nga Kurani, ose telefono dikë që ke kohë pa folur, për t’i thënë një fjalë të mirë dhe për t’i përshëndetur. Shfrytëzoje parehatinë që vjen nga ndryshimi dhe përdore këtë kohë për të zbuluar se veten dhe aftësitë e tua.

Përshtatur nga anglishtja

Postime të ngashme

%d bloggers like this: